Receta e ditës - Role me gjizë e koper dhe supë me legume / Pjesa e parë

2 Dhjetor 2019, 14:45

Role me gjizë dhe koper

Përbërësit:

1 pako peta

3 kokrra vezë

½ gotë qumësht

½ gotë vaj

1 lugë kafe pluhur pjekës

Kripë

400 gr gjizë ose djathë

1 tufë koper

1 lugë gjelle susam

Përgatitja:

Në një tas rrahim 1 vezë me pak kripë, shtojmë gjysmë gote vaj, gjysm gote qumësht, 1 lugë kafe pluhur pjekës, i përziejmë mirë dhe këtë përzierje e lëmë mënjëanë për të lyer petët.

Në një tas tjetër rrahim dy vezë, hedhim kripë, gjizën, 2 lugë gjelle vaj dhe koperin të grirë hollë. Me këtë përzierje do të mbushim rolenë.

Hapim një petë dhe e lyejmë komplet sipërfaqen me përzierjen e tasit të parë.  Vendosim petën e dytë mbi të dhe përsëri e lyejmë. Vendosim lugë lugë mbi petën e tretë, e spërkatim lehtë në fillim në petë horizontalisht gjizën për mbushje, rrotullojmë dhe formojmë një role.

Lyejmë tavën me yndyrë dhe vendosim rolenë në tepsi kështu vazhdojmë dhe me roletë e tjera derisa të mbarojmë petët. Lyejmë roletë me vezë vaj dhe qumështin e trazuar, i presim në gjerësi 10 cm. I spërkasim me susam dhe i pjekim në temperaturë 200 gradë Celsius për 20-25 minuta.