Receta e ditës - Patëllxhanë të mbushur dhe sallatë me kus-kus e perime / Pjesa e dytë

17 Korrik 2019, 12:06 | Përditesimi i fundit: 2019-07-17 15:36:10

Receta e dytë: Sallatë me kus kus dhe perime

Përbërësit:

200 gr kus kus

1 kastravec

2 tufa majdanoz

1 spec i kuq

1 spec jeshil djegës

2 karrota

2 domate

2 qepë të kuqe

2 kokrra limon

2-3 lugë gjelle uthull

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja:

Vendosim kus kusin në një tas. Shtojmë në të pak kripë, 1 lugë gjelle vaj ulliri dhe shtojmë në raportin 1 me 1, pra një masë kus kus dhe një masë ujë të valuar dhe e trazojmë pak. E mbulojmë dhe e lëmë të pushojë për 10 minuta.

Lajmë perimet. Majdanozin e grijmë hollë dhe e lëmë mënjanë. Domatet i pastrojmë nga lëngu dhe farat dhe I presim në kubikë shumë të vegjël. Të gjitha perimet i grijmë shumë imët me dorë ose me grirësen e qepës apo me rende.

Përziejmë më pas perimet e grira me majdanozin e grirë imët. I shtojmë perimeve pak kripë dhe i trazojmë përsëri. Shtojmë kus kusin e gatuar dhe të ftohur. I trazojmë së bashku duke i dhënë shije në fund me dresingun e përgatitur me lëng limoni, uthull e vaj. E shërbejmë sallatën duke i dhënë formën që dëshirojmë.