Receta e ditës - Tavë gore dhe tortë e thjeshtë me puding dhe biskota / Pjesa e dytë

16 Prill 2019, 11:52 | Përditesimi i fundit: 2019-04-16 12:33:08

Receta e dytë: Tortë e thjeshtë me puding dhe biskota

Përbërësit:

1 gotë sheqer

1.2 litër qumësht

3 pako puding vanilje

150 gr gjalp

180 gr ajkë (schmand)

400 gr biskota pa yndyrë

4 banane ose reçel

200 ml pana ëmbëlsire

100 gr arra

Përgatitja:

Vendosim 1 litër qumësht të ngrohtë në zjarr. Në një tas vendosim sheqerin, pudingun, qumështin e mbetur dhe tresim mirë sheqerin dhe pudingun. Në momentin që zien qumështi, shtojmë pudingun e tretur në qumësht, i përziejmë mirë deri sa të marrë valë për 1 minutë dhe e largojmë.

Gjalpin e kemi prerë në kubikë dhe e shtojmë në puding, pasi e kemi larguar atë nga zjarri duke e përzier me tel dore. Shtojmë edhe 180 gr ajkë (schmand).

Thyejmë biskotat në copa mesatare ( në katërsh) dhe i shtojmë në tenxheren me puding, i trazojmë ngadalë.

Lyejmë një tavë me pak gjalp. Shtojmë gjysmën e biskotave me puding në tavë dhe e nivelojmë atë. Presim bananet për së gjati dhe i vendosim në të gjithë sipërfaqen e tepsisë. Mbulojmë bananet me pjesën tjetër që teproi me biskota dhe pudding dhe e novelojmë mirë.

E vendosim tepsinë në frigorifer të ftohet. Rrahim 200 ml pana ëmbëlsire dhe nxjerrim tepsinë nga frigoriferi. Shtrojmë një shtresë të hollë mbi të dhe e vendosim përsëri në frigorifer për 2 orë. Pas 2 orësh e spërkatim sipër me arra të grira dhe mund ti shërbejmë.

Shënim: Mund të shtoni edhe reçel sipër shtresës me banane nëse dëshironi.