Receta e ditës - Tavë me pestil, hallvë me qumësht dhe salltë me spinaq e vezë / Pjesa e parë

17 Tetor 2018, 15:23

Receta e parë: Tavë me pestil, Tradita e Elbasanit

Përbërësit:

800 gr mish dashi ose viçi

2 kokrra qepë

1 copë pestil

4 lugë gjelle vaj ulliri (50 ml)

30 gr oriz (gjysëm i zier)

1 lugë çaji piper i kuq

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

Fillimisht grijmë qepën hollë në kubikë të imët. Ngrohim vajin dhe kaurdisim qepën deri sa ajo të zbutet dhe të mos ketë lagështirë.

Shtojmë mishin të prerë në copa dhe vazhdojmë ti kaurdisim së bashku deri sa qepa dhe mishi të marrin pak ngjyrë të verdhë.

Ndërkohë 1 copë pestil , afërsisht sa pëllëmba e dorës, e copëtojmë në copa të vogla dhe e vendosim në ujë të ngrohtë për ta zbutur. (mund ta vendosim për tu zier edhe në zjarr me 1 gotë ujë).

Në tiganin që kaurdiset qepa me mishin shtojmë pak kripë dhe pasi të kenë marrë pak ngjyrë shtojmë 1 gotë ujë dhe e lëmë të ziejë. Ndërkohë pasi pestili të jetë zbutur(tretur), e shtojmë me gjithë lëng në tiganin me mish e piper të zi. E lëmë të ziejë mishi me pestilin për 10 minuta në temperaturë mesatare. Transferojmë mishin me lëng në një tavë balte. Shtojmë dhe 2 lugë gjelle oriz (gjysëm të zier). E përziejmë dhe e vendosim tavën në furrë në temperaturën 200ºC për 30 minuta.