Receta e ditës - Turli me perime dimri dhe petulla me mollë / Pjesa e dytë

19 Nëntor 2018, 14:30

Receta e dytë: Petulla me mollë

Përbërësit:

3 kokrra vezë

80 gr sheqer

1 pako sheqer vanilje

50 gr gjalp i tretur

300-350 gr miell

½ pako pluhur pjekës

30 gr rum

1-2 mollë

150 gr kos

2 lugë gjelle qumësht

Përgatitja:

Fillimisht ndajmë vezët të verdhat nga të bardhat. Grijmë mollët me rende duke i spërkatur me pak lëng limoni që të mos oksidohen.

Në tasin ku kemi vendosur të verdhat e vezëve shtojmë ¾ e sheqerit, sheqerin e vaniljes dhe i përziejmë mirë derisa sheqeri të shkrije pak.     

Ndërkohë rrahim të bardhat e vezëve me pjesën e mbetur të sheqerit derisa të krijohet një marengë e fortë.

Tek të verdhat e vezëve shtojmë gjalpin e zbutur, e përziejmë mirë shtojmë kosin dhe rumin dhe e përziejmë mirë. Më pas shtojmë miellin e trazuar me pluhurin pjekës si dhe mollët e grira në rende. I trazojmë mirë të gjithë përbërësit derisa të shikojmë që brumi lirohet pak. Më pas shtojmë pak nga pak të bardhën e vezëve marengë. E lemë brumin të pushojë të mbuluar për 15 minuta.

Në fund ngrohim vajin dhe me një luge çaji shtojmë në të petullat, i lemë sa të marrin një ngjyrë të verdhë dhe i largojmë duke i vendosur në një letër kuzhine.

Në fund përziejmë pak kanellë me sheqer dhe i sperkasim petullat e ngrohta.