'Boshatiset' Infektivi, vetëm 20 të shtruar! Rrëfimi i Najada Çomos para se të marrë mandatin

10 Qershor 2021, 13:31 | Përditesimi i fundit: 2021-06-10 16:01:09

TIRANË- Spitali Infektiv ishte i pari që priti e trajtoi te sëmurët më COVID -19 dhe për këtë shkak u quajt COVID-1.

 Që në fillimet e pandemisë Report Tv ka ndjekur nga afër herë pas here betejën e bluzave të bardha për të shpëtuar të prekurit nga koronavirusi. Report Tv u ka afruar shikuesve nga ky spital, trajtimin dhe përjetimet e të sëmurëve në kulmin e pandemisë.

Edhe sot kur Infektivi është i vetmi spital që pret e trajton të infektuarit, Report TV sjell atë cfarë ndodh në pavionin me 20 pacientë të shtruar.

Doktoreshë Najada, pas një kohe të gjatë, është fiks një vit e tre muaj, që kur rasti i parë erdhi pikërisht në Spitalin Infektiv. Gjatë muajve të fundit oborrin e kemi parë të mbushur plot me Urgjenca që vinin, sillnin të sëmurë të cilët kishin nevojë për ndihmën tuaj dhe të të gjithë mjekëve të Spitalit Infektiv. Ndërkohë sot e shohim situatën fatmirësisht krejt ndryshe, të qetë. Si mund ta përshkruani këtë eksperiencë?

Sigurisht vijmë pas një periudhe kohore një vit e tre muaj fiks, sikurse e thatë ju, sot. Një kohë e gjatë, e cila ka pasur brenda një mund dhe një punë të jashtëzakonshme të të gjithë stafit mjekësor të Spitalit Covid 1, dhe sigurisht këtu përfshihet brenda dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës që ka qenë prurësi i pacientëve me Covid-19. Për disa duket e largët, për disa duket e afërt, por sot jemi para një realiteti të ri që kemi një fluks të minimizuar të pacientëve që kërkojnë ndihmën për infeksionin nga Sars-Cov-2. Pra, realisht kemi ulje drastike të numrit të rasteve.