Shembja e objekteve pa leje në bregdet, zv. ministri i Brendshëm: Vijojmë deri në zhbërjen e çdo paligjshmërie!

8 Qershor 2021, 14:31 | Përditesimi i fundit: 2021-06-08 14:56:47

Nga veriu në jug, në vend ka filluar aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje, operacion ky që sipas zv. ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, do të vijojë deri në në zhbërjen e çdo paligjshmërie në linjën bregdetare.

Operacioni 'bregdeti ynë' filloi dje në Velipojë dhe Ksamil, ndërsa në një intervistë në "Report Tv", Lamallari u shpreh se janë prishur deri më tani 15 objekte. Ai shtoi se ka edhe një ndërgjegjësim, pasi disa pronarë tashmë kanë filluar vetë prishjen e objekteve.Dita e djeshme shkoi shumë mirë. Janë prishur dje 6 në Velipojë dhe 9 në Ksamil, operacioni vijon. Ka edhe një ndërgjegjësim të momenteve të fundit pasi u pa vullneti i qartë i qeverisë për të pastruar njëherë e mirë bregdetin dhe kemi persona që po prishin tashmë godinat e tyre. Dje patëm të paktën 4 apo 5 raste në Ksamil ku vetë pronarët, ndërtuesit u angazhuan për të prishur objektet që kishin ndërtuar, e njëjta gjë po konstatohet edhe në Velipojë pasi u njohën me ultimatumin e qeverisë. Puna i përket tashmë strukturave shtetërore, IKMT që po mbështetet edhe nga strukturat e rendit për të shmangur konflikte. Operacioni do zgjasë deri në zhbërjen e çdo paligjshmërie në linjën bregdetare. Kemi dhe raste ku nuk mund të ndërhyhet në prishjen e gjithë objektit pasi katet e para mund të jenë me leje, po ndërhyjmë me metoda të veçanta, me prerje objekti që mos të dëmtohet pjesa tjetër. Këto janë raste sporadike. Duhet të marrë fund epoka e ndërtimeve pa leje. Kjo në fund të ditës është të bërit shtet. Nuk mund të vazhdojmë me këtë epokë të së kaluarës, të shfrytëzimit pa leje e shkeljes flagrante. Ky nuk është një aksion, por një operacion madhor, vetëm këto janë reforma shtetbërëse. Edhe Durrësi ka shumë objekte që janë evidentuar dhe me përfundimin e aksionit në Velipojë e Ksamil, procesi do vijojë paralelisht deri në pikën e takimit nga të dyja anët, për të pastruar çdo ndërtim pa leje", tha ai.