Shembulli tipik i betimit të Hipokratit - I ftuar kardiokirurgu Altin Veshti

1 Maj 2019, 14:01

Ai është nga ata njerëz që në qarqet profesionale njihet shumë mirë, dhe ka gati 10 vjet që është rikthyer në Shqipëri, pas shkollimit, specializimit dhe përvojave profesionale në vende të huaja, dhe vijon të kryejë me qindra ndërhyrje të suksesshme duke shpëtuar jetë fëmijësh, në fakt në një moment kur duket se shumica e mjekëve kanë tendencën të largohen jashtë shtetit. Pas qindra ndërhyrjesh të suksesshme, i fokusuar tashmë në kardiokirurgjinë pediatrike, mjeku Altin Veshti, njëkohësisht edhe pedagog në Fakultetin e mjekësisë  i ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv tha se kthimi në Shqipëri ka qenë i vështirë, por për të parësore ka mbetur kënaqësia që merr nga puna fisnike që bën.

Veshti ka studiuar në Universitetin e Mjekësisë në Padova të Italisë, ku është diplomuar maksimalisht. Pas përfundimit të fakultetit dhe  specializimit në Itali dhe një eksperience tjetër specializimi në Londër, më pas  kaloi dy vite në Guatemala, ku preku një eksperiencë që e konfirmoi dhe e kompletoi tërësisht në zgjedhjen e tij profesionale, dhe pikërisht aty, brenda tre viteve operoi 300 fëmijë. Më pas iu drejtua Bostonit dhe në vitin 2010 vendosi të rikthehet në Shqipëri, me entuziazmin për të zhvilluar fushën e Kardiokirurgjisë  me dëshirën për ta cuar në një nivel tjetër, si dhe me ëndrrën për të qenë gjithashtu pjesë e Fakultetit të Mjekësisë si pedagog ku vijon edhe sot.