Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 17 Dhjetor 2025 – Receta / Problemet me tretjen / ‘1 mollë mban mjekun larg’

17 Dhjetor, 15:57 | Përditesimi: 17 Dhjetor, 15:57

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Bakllava me fistikë dhe qumësht të kondensuar / Patate në furrë me krem dhe djathë / Qofte me kungull.

Në përditshmërinë tonë flasim shpesh për ushqimin “e shëndetshëm”, por shumë më rrallë ndalemi te si e tresim atë. Problemet me tretjen janë ndër shqetësimet më të zakonshme sot dhe shpesh i reduktojmë gabimisht vetëm te fryrja e barkut apo ndjesia e rëndesës pas ushqimit. Në të vërtetë, tretja e dobët është shumë më tepër se kaq, ajo ndikon në energjinë tonë, imunitetin, ekuilibrin hormonal dhe mirëqenien e përgjithshme. Çfarë do të thotë realisht tretje e dobët? A është e mundur të kemi mungesë acidi në stomak edhe pse ndiejmë djegie? Pse shumë njerëz ngatërrojnë aciditetin e ulët me atë të lartë dhe cilat janë shenjat që tregojnë se stomaku nuk po prodhon mjaftueshëm acid për të tretur ushqimin siç duhet? Po ashtu, pse ndodh që ushqime të konsideruara “të shëndetshme” si drithërat apo perimet e gjalla, ndonjëherë na shkaktojnë shqetësime? Në "Rreze Dielli" me nutricionistin Altin Joka, do të ndalemi edhe te një aspekt shpesh i nënvlerësuar: mënyra si hamë, jo vetëm çfarë hamë. Ritmi, përqendrimi, stresi dhe ndërgjegjësimi gjatë ushqimit luajnë një rol kyç në funksionimin e sistemit tretës. Gjithashtu, do të shohim lidhjen e ngushtë mes tretjes, sistemit imunitar dhe hormoneve, si dhe mënyrat natyrale për të përmirësuar tretjen, duke i dhënë trupit mbështetjen që i nevojitet për të funksionuar në mënyrë optimale.

Me nutricionistin Altin Joka flasim dhe për një nga frutat më të dashura dhe më të shëndetshme të sezonit: mollët. Të thjeshta në pamje, por të pasura në vlera ushqyese, mollët kanë qenë gjithmonë pjesë e tryezës sonë dhe e këshillave për një jetë të shëndetshme. Shprehja e njohur “një mollë në ditë e mban mjekun larg” nuk është aspak e rastësishme. Por çfarë i bën realisht një mollë trupit tonë? A ka ndryshim mes mollëve të kuqe, jeshile apo të verdha? Zbulojmë përfitimet e këtij fruti të mrekullueshëm dhe kuptojmë se cilat mollë na përshtaten më shumë.

MC/Shqiptarja.com