Shkodër, vrau motrën, vëllai vrasës braktiset nga familjarët në seancë, gjykata e lë në burg

8 Qershor 2021, 14:34

SHKODËR- Fabian Vukaj, 55-vjeç, është lënë në burg nga Gjykata e Shkodrës, për vrasjen e motrës së tij, Diana Vukaj, 58-vjeç. Gjyqtarja Irida Kaceri ka pranuar kërkesën e prokurorit Ermir Lelcaj, teksa 55-vjeçari ishte i vetëm në seancë, i braktisur nga familjarët. Shkak për këtë krim të rëndë janë bërë 4 mijë euro që motra i kishte shpenzuar për blerjen e disa mobileve, të cilat autori i kërkonte për veten e tij pasi luante bixhoz. 

Mes konflikteve të vazhdueshme që kulmuan pak ditë më parë, autori në gjendje të dehur, qëlloi 4 herë me armë zjarri motrën e tij të madhe, Diana. Ajo që e bën më tragjike këtë vrasje është se 55-vjeçari pasi e ka vrarë e ka lënë trupin e saj të pajetë në krevat për më shumë se 3 ditë. Kanë qenë fqinjët ato që pasi nuk kanë parë Dianën në lagje, që kishte vetëm pak kohë që kishte mbërritur nga Gjermania, kanë njoftuar policinë. Efektivët, pas telefonatës e pas kontrollit në banesë në lagjen “3 Heronjtë” në Shkodër, gjetën të pajetë në krevat 58-vjeçaren.

Autori, një njeri i alkoolizuar, pas vrasjes me gjakftohtësi ka marrë në celular agjensinë imobiliare për të anuluar porosinë, që u bë shkak për vrasjen tragjike. Ai ishte i papunë dhe ishte Diana që e ndihmonte ekonomikisht duke i sjellë çdo muaj rreth 300 euro, por kjo nuk i ka mjaftuar 55-vjeçarit, duke vrarë dorën që “i jepte bukë”.

Gjithçka u zbulua mbrëmjen e së dielës rreth orës 22:30. Fabian Vukaj ka pranuar autorësinë e krimit të rëndë, teksa në vendin e ngjarjes u gjetën 4 gëzhoja pistoletë 7.62  mm dhe arma e krimit me një krëhër me 4 fishekë dhe një fishekë në fole. Gjithashtu në banesën e 55-vjeçarit në lagjen ‘3 Heronjtë’ u gjet edhe një krehër pistolete zastava  pa fishekë, një krëhër automatiku pa fishekë dhe një silenciator automatiku.