Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia tha se protesta e opozitës nuk duhet të ndalet derisa sa Edi Rama të tërhiqet.
“Ne kemi pasur përgjegjësinë e madhe që në momente historike të mbetemi guri i çmuar i demokracisë. Era e ndryshimit nisi nga Shkodra dhe kam bindjen se me këtë kurajo për të mos u dorëzuar, era e ndryshimit po fryn në të gjithë Shqipërinë. Sot është një ditë e bukur lirie por nuk mjafton nëse ne e lëmë me kaq. Protesta jonë duhet të jetë e pandalshme deri sa ky kryeministër të japë dorëheqjen dhe ti hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ne sot jemi shndërruar në popullin e gomoneve se vota vidhet e manipulohet. Vetëm vitin e kaluar nga Shkodra u larguan 5 mijë qytetarë, këtë vit ky numër është disa herë më i madh. Nuk na duhet të ikim ne nga vendi, është koha që të ikë Qeveria. Është koha që të rikthejmë shpresën. Ne e dimë që nëse qëndrojmë indiferencë asgjë nuk ndryshon. Reagimi është i vetmi opsion. Ne duhet të rezistojmë, duhet të luftojmë, duhet të protestojmë. Qeveria ka frikë nga ne, nga populli i zemëruar nga korrupsioni. Ata duan të na shohin të thyer, të lodhur, të ndarë. Ne sot jemi të bashkuar, jo vetëm demokratët. Ne sot këtu jemi me kokën lart dhe me zërin tonë të fortë kërkojmë ndryshimin që po vjen”, tha Bardhi.