Speca me gjizë, mrekulli për shijen nga zonja Albana

20 Shtator, 11:46

Speca me gjizë

Përbërësit:

  • 500 gr speca të kuq
  • 1 domate me tul
  • 500 gr gjizë
  • 2 kokrra vezë
  • 1 filxhan kafeje qumësht
  • 4-5 lugë supe vaj ulliri
  • 2-3 thelpinj hudhër
  • Pak rigon dhe majdanoz
  • Pak arrë moskat
  • Kripë, piper i zi
  • Vaj për skuqje

Përgatitja:

Për këtë recetë mund të përdorim speca të kuq, të gjatë ose të rrumbullakët, speca të verdhë dhe speca jeshilë me tul. Pastrojmë fillimisht specat nga bishti dhe farat dhe i skuqim në tigan me vaj. Ndërkohë në një tigan tjetër hedhim pak vaj ulliri, hudhrën e grirë imët dhe e kaurdisim pak, sa të aromatizohet vaji. Hedhim gjizën në tigan dhe e kaurdisim, shtojmë më pas qumështin, piperin e zi, rigonin, arrën moskat, domaten e grirë në kubikë, vezët dhe majdanozin. I përziejmë mirë dhe e kontrollojmë për kripë. Largojmë tiganin nga zjarri. Mbushim mirë specat e skuqur me gjizën e përgatitur dhe i vendosim nëpër pjata.

Këtë recetë mund ta përgatisim dhe në një mënyrë tjetër duke i mbushur specat të papjekur me përzierjen e gjizës dhe me të gjithë përbërësit e tjerë. Edhe në këtë rast, hudhrën e kemi kaurdisur pak më përpara. I vendosim specat në një tavë dhe i fusim në furrën e ngrohur për t'u pjekur për 30 minuta në 180 gradë.