Tavë me krap nga zonja Vjollca

8 Maj 2020, 10:54

Tavë me krap Përbërësit: 1.2 kg krap Kripë dhe piper i zi 1 lugë gjelle miell Vaj për skuqje Salca: 4-5 kokrra qepë 1 copë pistil (80 gr) 1 filxhan çaji pure domate 4 domate + 1 lugë çaji sheqer 2 gjethe dafinë 1 kokërr hudhër + 3 lugë gjelle uthull 1 gotë verë e bardhë Kripë dhe piper i zi Vaj ulliri

Përgatitja: Peshkun të pastruar mirë e të prerë në feta e marinojmë me kripë dhe piper të zi, e pudrosim lehtë me pak miell dhe në një tigan me vaj të nxehtë për skuqje e kalojmë peshkun për t’I dhënë vetëm një faqe të lehtë. E largojmë dhe e lëmë mënjëanë. Në një tigan të thellë me vaj ulliri kaurdisim qepën të prerë në fije. E kaurdisim qepën pa I dhënë ngjyrë, por të zbutet mirë. Shtojmë tek qepa pistilin të copëtuar, të zbutur pak në ujë, I kaurdisim së bashku duke shtuar më pas salcën e domates, 1 lugë gjelle koncentrat salce ose një filxhan çaji pure domate. E përziejmë mirë. Shtojmë domatet të copëtuara në copëza, 1 lugë çaji sheqer, e përziejmë dhe I vendosim kapakun duke e lënë domaten të ziejë në temperaturë mesatare për 10 minuta. Shtojmë hudhrat, 2 gjethe dafinë, gjysmë gote ujë dhe e lëmë të ziejë dhe për 5 minuta. Rregullojmë shijen me kripë, piper dhe uthull. Në një tavë shtrojmë fillimisht salcën e përgatitur dhe I vendosim sipër copat e krapit. Shtojmë në fund një gotë vere të bardhë, spërkasim pak peshkun me vaj ulliri që të mos thahet dhe e vendosim tavën në furrë në temperaturë 180 gradë Celsius derisa salca të mpikset siç duhet rreth 30 minuta.