Receta e ditës - Fileto pule me brokoli e patate dhe sallatë me kuinoa / Pjesa e parë

18 Mars 2019, 15:50 | Përditesimi i fundit: 2019-03-19 09:13:04

Fileto pule me brokoli dhe patate

Përbërësit:

600 gr fileto pule

700 gr patate

400-500 gr brokoli

4 thelpinj hudhër

150 gr krem kosi

4 kokrra vezë

50 gr parmixhan

3 lgj gjelle vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi

Trumzë, rozmarinë

Përgatitja:

Fillimisht lajmë mirë patatet dhe i vendosim të ziejnë jo plotësisht (për rreth 20 minuta) në një tenxhere me ujë dhe kripë. Brokolin gjithashtu e vendosim në ujë të vluar me kripë për 3 minuta dhe më pas e vendosim në ujë me akull që të mos zbutet më shumë.

Presim filetot e pulës në copa me gjatësi 3 cm. Vendosim një tigan në zjarr me vaj ulliri Olitalia, një thelpi hudhër dhe  1 degë rozmarinë për të aromatizuar vajin. Vendosim copat e pulës, largojmë thelpinjtë e hudhrës  dhe kaurdisim filetot e pulës derisa të zverdhen lehtë nga të dy anët. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi.

Qërojmë patatet dhe i presim në feta rrumbullake me trashësi 0.5 mm. Lyejmë një tavë me vaj ulliri dhe vendosim fetat e patateve (të vendosura si tjegullat) në një rrjesht si kolonë, më pas vendosim një rrjesht kolonë me brokoli dhe një kolonë me mish pule. Vazhdojmë më pas përsëri me 3 kolona të tjera patate – brokoli- mish pule.

Një një tas rrahim vezët dhe shtojmë pak nga pak kremin e kosit si dhe hudhrat të shtypura, kripë, piper të zi dhe trumzë. I përziejmë mirë të gjithë përbërësit derisa të formohet një salcë e lidhur.

Pudrosim perimet me pak djath parmixhano dhe më pas i mbulojmë me salcën e përgatitur. E pudrosim përsëri tavën me djath parmixhano dhe e vendosim në furrë në temperaturën 180 gradë Celsius për 25-30 minuta.