U mor në pyetje për 3 orë në SPAK, Meta: U pyeta për CEZ-in, është çështje që aktivizohet sa herë rilindja është në krizë

22 Shkurt 2023, 13:38

Ish presidenti Ilir Meta është pyetur për tri orë në SPAK për çështjen e CEZ. Meta u shpreh se nuk ka lidhje me çështjen ndërsa akuzoi Partinë Socialiste se e përdor në favor sa herë gjendet në vështirësi dhe krizë.

“Nuk është përgjegjësia ime që keni pritur këtu disa orë por mund t’ju përgjigjem me qetësi e dashuri. Kam patur një festë për të ardhur në SPAK prej disa ditësh për një çështje të nisur kryesisht në vitin 2019. Kjo s’është e rëndësishme që ta sqaroj, se dikur kam patur pritshmëritë që SPAK do ishte lider në luftën kundër korrupsionit dhe sigurisht sa herë do ftohesha do të vija për çdo ­çështje. Ashtu sikurse e dinë që janë me dhjetëra kallëzime të mijat edhe kur kam qenë president për çështje të veçanta apo për denoncimin e Kuvendit dhe falsifikimit të firmës të kryetarit të kuvendit. Kishte të bënte me çështja të CEZ dhe DIA, është një çështje shumë e përsëritur dhe aktivizohet sa herë që rilindja është në krizë. Por gjithsesi, unë tregoj sjelljen time prej shtetari me transparencë. Jam përgjigjur me qetësi dhe durim për t’i ndihmuar.”- tha Meta.