Vajza që nderoi Shqipërinë, peshëngritësja Veli për Report TV: Në dhjetor doja të lija sportin, njerëzit habiten kur më shohin infermiere

30 Maj 2022, 13:35 | Përditesimi i fundit: 2022-05-30 16:23:42

Evangjeli Veli, kampionia e Europës në peshëngritje e shpallur vetëm një ditë më parë, thotë se është shumë e lumtur për disa arsye. E para për faktin se pas djemve ajo është vajza që bëri krenare Shqipërinë, e dyta sepse fitoi në vendin tonë dhe e treta sepse kampionati zhvillohet në Tiranë. Në intervistën për Report TV Veli tha se njerëzit habiten kur e ndeshin në spitale dhe ajo ndërkohë merret me sport, ndërsa u uroi sukses të gjithë peshëngritësve të tjerë që do garojnë në kampionatin europian.

“Në të gjithë sportin nuk ka femër tjetër që ka ngritur flamurin shqiptar. Jam shumë e lumtur dhe krenare. E vërtetë është se ka qenë një garë shumë e fortë. Nëqoftëse mbani mend në botëror vendi i parë u mor me 202 kilogramë, ndërsa unë fitova medaljen me 208 kilogramë. Ishte synim. Doja edhe rekordin europian.