Vasil Zoga, përballja me Mehmet Shehun për vëllanë e pushkatuar

28 Qershor 2021, 22:42

Vasil Zoga është një nga viktimat e krimeve të regjimit kominist. Ai përjetoi një kalvar mundimesh nga persekutimi dhe dënimi në Spaç. Gjithçka nisi me pushkatimin e vëllait të tij Jani Zoga. Vasili ka lindur në vitin 1939 dhe rrjedh nga një familje e thjeshtë punëtore nga fshati Shtikë i Kolonjës. Ëndrra për t’u bërë mjek iu ndërpre në mes, por e ushtroi profesionin e mjekut në burgun e Spaçit dhe në internim gjithë jetën. Në 8 korrik 1976 arrestohet pasi kërkoi drejtësi për pushkatimin e vëllait. Takimi me kryeministrin Mehmet Shehu për pak sa nuk i kushtoi jetën, por me shprehjen “I di Partia këto punë” ai do të pranonte fatin që i caktoi partia duke u dënuar me 10 vjet burg “për agjitacion e propagandë” dhe “rrëzim të pushtetit popullor”. Dënimin e vuajti në burgun e Spaçit ku kujton dhunën dhe torturat çnjerëzore që ndodhnin atj. Lirohet në 1986, duke u kthyer në familjen e tij tashmë të vendosur në Karbunarë-Lushnjë, dhe nuk u lejua të ushtronte profesionin e tij si mjek, por punoi si bari. Edhe pse kanë kaluar shumë vite dëshira e vetme e tij është gjetja e eshtrave të vëllait të pushkatuar nga regjimi Jani Zoga.