Veliaj me të rinjtë: Është momenti të bëhemi bashkë për të çuar Tiranën përpara

29 Prill 2023, 19:15

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me ministren e Rinisë, Bora Muzhaqi, me anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe përfaqësues të Bashkisë, ishin prezentë në një organizim rinor, ku të rinjtë ishin ndarë në panele të ndryshme sipas profileve ku ato studiojnë. Kryebashkiaku Veliaj tha se Bashkia e Tiranës i ka mbështetur të rinjtë në të gjitha kërkesat dhe idetë e tyre.

“Kur një grup studentësh na tha se kemi nevojë që aboneja e studentëve të jetë falas, sepse çmimet janë rritur, kushtet janë më sfiduese për atë që është student, be iu përgjigjëm pozitivisht kësaj nevojë dhe aboneja e studentit në Bashkinë e Tiranës është falas. Pastaj, një grup tjetër studentësh kërkoi ndihme për konviktet dhe ne iu përgjigjëm pozitivisht në Këshillin Bashkiak, duke paguar 50% të kostos se konvikteve. Një grup tjetër studentësh dhe gjimnazistësh thanë se nuk ka sens që të mbyllen palestrat pas mësimit dhe ne i lamë të hapura për komunitetin. Po ashtu, do ju japim hapësirën më të madhe të Republikës së Shqipërisë, që është Piramida e Tiranës, për ta kthyer në qendrën më të madhe të punëve të së ardhmes, të kodimit”, tha Veliaj.