Veliaj nderon me ‘Certifikatat e mirënjohjes’ personalitetet e Njësisë 10: Qyteti është më i mirë falë punës tuaj

29 Prill 2023, 16:21

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputeti i zonës, Fatmir Xhafaj vlerësoi me certifikata mirënjohje emra të njohur, që me punën e tyre i kanë shërbyer komunitetit të Njësisë 10 në kryeqytet. Teksa shprehu mirënjohjen për kontributin e këtyre personaliteteve në jetën e vendit, Veliaj tha se qyteti sot është më i mirë falë punës dhe kontributit të këtyre njerëzve me influencë.

“Jam vërtet mirënjohës për kontributin që secili ka dhënë në fusha nga më të ndryshmet. Sot vërtetë ndihem se kemi një qytet është më i mirë falë punës suaj. Shoh gjithashtu sot që më shumë se kurrë, kemi një sulm për vlerat nga anti-vlerat, kemi një sulm për kulturën nga anti-kultura, kemi një sulm për profesionistët nga ata që nuk janë ekspertë dhe nuk janë profesionistë. Kur shikoj emrat e nderuar të mjekësisë, kujtohem sa kohë kanë pa dalë në televizor. Unë i njoh, Tirana e vjetër i njeh, por rinia nuk i njeh. Në televizor del më shumë njëri që thotë që vaksinat janë me çip dhe që Steve Jobs me Bill Gates kanë futur atje një mikorçip që të kontrollojnë botën me telekomandë. Mësuesin e kemi zëvendësuar me youtube apo me disa reality shou. Imagjinoni, në mes të Tiranës dikush ngre gishtin e mesit, është shumë krenar dhe paguan para për ta nxjerrë. Imagjinoni që ne kemi më shumë besim që një sistem kompjuteri do ruajë fëmijët tanë ndaj vulgaritetit?! Sot më vjen mirë të shoh mësuesit të ngrihen në piedestal”, tha Veliaj.