Veliaj nga Farka: Ata kanë hall se janë non-grata, duan të na kthejnë te Sudja e fajdeve, çdo gjë falas, deti kos

15 Prill 2023, 20:36

Nga Farka, ku u takua me banorë të zonës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Partia Socialiste përballet në këto zgjedhje me një parti të shpallur non-grata, që shkatërron shtëpinë e saj dhe s’mund të rregullojë asgjë.

“Problemi është se këta duan që hallet e tyre të bëhen hallet tona. A e patë çfarë i ndodhi shtëpisë tyre vjet në 8 Janar? Dolën të merrnin selinë, shkuan me sfurqe, me shkopinj bejsbolli. Ne kur dalim me lopata, të gjithë e dinë që po doli Lali me lopatë është për të mbjellë ndonjë pemë, ata me lopata thashë: Ditë e bekuar do të mbjellin edhe ata pemë! Ata i kishin për të luftuar njëri-tjetrin, ata i kishin për të shkatërruar shtëpinë e tyre. Ne shkojmë i rregullojmë shtëpinë demokratëve nga tërmeti, ata shkojnë djegin shtëpinë që kanë në mes të Tiranës. A e kuptoni sa qesharake? Është për të qarë dhe për të qeshur,” ironizoi Veliaj.