Veliaj: Partia jonë ka vetëm një program për ta çuar vendin përpara! Ata s’dinë kë kanë drejtues, fuksin e lagjes apo non grata-n

7 Maj 2023, 19:44

Kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj tha se ka vetëm një parti me program të qartë për kryeqytetin, e cila ka një udhëheqës, Edi Ramën, ka vetëm një logo dhe ajo është Partia Socialiste e Shqipërisë. Ndërsa, për kundërshtarët politikë, ai shtoi se s’dinë cilin kanë udhëheqës.

“Kemi një parti, që në dallim nga partia jonë, e cila ka një program, ka një udhëheqës, Edi Ramën, ka një logo, këtë trëndafilin me grusht, ka një emër, quhet Partia Socialiste, ata s’dinë kë kanë udhëheqës. Ata nuk dinë çfarë emri kanë, se çdo palë zgjedhje ndryshon emri, dhe nuk dinë se çfarë logo kanë, se çdo palë zgjedhje zgjedhin logo tjetër. Në qytetet si Shkodra, ku i kanë gënjyer një herë njerëzit, nuk e premtojnë dot autobusin falas, kjo është arsyeja pse kanë një program për ata që i kanë gënjyer dhe një për ata që duhet të gënjejnë. Unë besoj se Tirana nuk e ha më tortën e Pavarësisë falas. E provuam njëherë tortën falas dhe u bëmë gazi i botës; Tirana gropat tek sheshi ‘Skënderbej’ nuk i bën më, se e provuam gropën e Hajdin Sejdisë dhe nuk është se na doli shumë mirë në mes të Tiranës. Tirana, i ka pasur dhe do i ketë nënkalimet, por kur Tirana ndërtonte me Edi Ramën nënkalimin te Zogu i Zi, gjëja e parë që bënë këta që sot shiten si dashnorë të nënkalimeve, ishte ta prishnin. I pamë se ç’i bënë nënkalimit tek sheshi ‘Shqiponja’, tek ‘Astiri’, ku na bllokuam punën tre vjet. Tirana nuk gënjehet më dy herë. Tirana ka vendosur të ecë vetëm përpara. Tirana e ka kuptuar se koha e Sudes, e atyre që na fëlliqën me tortën, e atyre që flinin gjumë në Bashki, nuk vjen më dhe qyteti ynë e ka ndarë mendjen. Ne do të shkojmë vetëm përpara”, tha Veliaj.