Veliaj takim me banorët e Njësisë 5: Rruga e Kosovarëve, dikur kaloje me tank, sot me vlerë të rritur të pronës

23 Prill 2023, 20:11

Në vijim të turit të gjelbër drejt zgjedhjeve të 14 Majit, kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj mbolli disa pemë në Njësinë 5 në kryeqytet. Veliaj renditi me banorët disa prej investimeve më të rëndësishme që janë bërë në këtë zonë, të cilat kanë bërë që të rritet ndjeshëm vlera e pronës.

“Dikur në “Rrugën e Kosovarëve” duhet të kaloje me tank, sot është një nga rrugët që i është rritur më shumë vlera e pronës në të gjithë Gadishullin Ballkanik, se në Tiranë dhe në Shqipëri as nuk diskutohet. Rruga e Kosovarëve sot është komplet model zhvillim. Ka disa veta që thonë është rritur shumë vlera e pronave. Në Tiranë 93% janë pronarë. Në qoftë se një pronë në 2015-n vlente 100 lekë dhe tani vlen 250 ose 300, kjo është mirë apo është keq?  Keq është kur bie vlera e pronës. E di unë si ulen çmimet e pronës. Lërë një natë Tiranën pa pastruar, bie vlera e pronës. Lëre dikë të fillojë ndërtimi pa leje, bie vlera e pronës. Lëre dikë të të çajë rrugën përpara dhe të të vërë kunja dhe bllokues, bie vlera e pronës. Lëri komshinjtë të theren me njëri – tjetrin, pa administrator dhe të bie vlera e pronës. Lëri të kthehen ata siç e bëmë atë gabim në 2011-n dhe ne e pamë që shkoi vlera e pronës si ‘kovë pusi’ ”, theksoi Veliaj.