Veliaj takim me sportistë të xhudos: Gati për stadiumin ‘Selman Stermasi’ dhe Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi'

7 Maj 2023, 21:53

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Financave, Delina Ibrahimi dhe ministren e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi një takim me sportistë në disiplinën e xhudos, medalistë olimpikë ndërkombëtarë, dhe dashamirës të sporteve te fushat e reja të tenisit në Parkun e Liqenit.

Në fjalën e tij, Veliaj kujtoi se vetëm pak vite më parë, Parku i Liqenit ishte një hapësirë e zaptuar dhe e degraduar, por tashmë është vendi më i frekuentuar nga qytetarët dhe ata që merren me sport. “Kur shoh liqenin më kujtohen disa nga historitë më të bukura, por edhe më të hidhura të punë sime në bashki. Imagjinoni, ca njerëz u lidhën me zinxhirë dhe morën pistoletën me vete për të ndaluar këndin e lodrave, që ai fëmija që po luan atje të mos gëzonte. Këtu ishte një hapësirë me ferra, një tokë e zaptuar. Kur kujtoj anën tjetër të liqenit, ku digjej plastikë, mblidheshin sustat, skaldabanjot, lavatriçet, frigoriferë, divane, kolltuqet, një zonë e kthyer në hedhurinë”, u shpreh Veliaj.