Vonesë për dozat e reja të Sinovac, sqaron Bino: Shtyrja e dozës së dytë nuk shkakton problem

19 Maj 2021, 22:41

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, Silva Bino, ka sqaruar situatën e krijuar me vonesat për injektimin e dozave të dyta me vaksinën kineze, Sinovac. Në një prononcim për gazetaren e "Report TV", Doris Sallaku, Bino u shpreh se dozat e vaksinës kineze nuk kanë mbaruar, por janë të pamjaftueshme për të kryer vaksinimin e të gjithë qytetarëve që kanë marrë tashmë dozën e parë. Sipas Binos strategjia e ndjekur është vaksinimi i sa më shumë qytetarëve me dozën e parë, duke theksuar se shtyrja e marrjes së dozës së dytë, jo vetëm që nuk përbën problem për qytetarët, por rrit edhe antitrupat. "Deri më tani në vend janë kryer më tepër se 680 mijë vaksinime, me 4 llojet e vaksinave. Sa i përket dozave të vaksinave kineze, ka një sasi më të pakët momentalisht që nuk mjaftojnë për të kryer vaksinimin e të gjithë qytetarëve që kanë marrë vaksinën kineze. Dozat e radhës priten brenda fundjavës sipas kalendarit të publikuar dhe do të nisë me ritme më të shpejta vaksinimi me dozat e para dhe po ashtu do të nisë edhe vaksinimi me dozat e dyta. Minimalja për ta marrë dozën e dytë të vaksinës kineze është një muaj, nuk duhet marrë më parë dhe  ka një tolerancë në ditë, pra nuk është problem nëse merret edhe më mbrapa. Sipas Binos, shtyrja e dozës së dytë rrit edhe më tepër antitrupat. Shefja e epidemiologjisë shtoi po ashtu se dozat e tjera të Sinovac prite të vijnë brenda fundjavës, duke i bërë thirrje personave që presin të marrin dozën e dytë të kontaktojnë me mjekun e familjes, në mënyrë që të mos presin para qendrave të vaksinimit. "Procesi i vaksinimit po ecën mjaft mirë janë rreth 20% e popullatës e vaksinuar me dozën e parë. Jemi akoma larg objektivit, por për një kohë të shkurtër kemi arritur gati 20% të popullatës me dozën e parë. Me të dyja dozat, përqindja po i afrohet 10%. Kemi një përdorim mjaft të mirë të vaksinave, për vaksinë kineze, nuk është se nuk ka doza vaksine. Kemi vaksinë që është planifikuar për dozat e dyta, por duke qenë që ritmi i vaksinimit me dozat e para, pra synimi ynë ka qenë të vaksinojmë sa më shumë me doza të para, ka një mangësi me dozat e dyta. Por kjo nuk ka problem, shtyrja nuk është problem për qytetarët dhe shumë shpejt presim të vijën dozat e tjera që janë porositur prej kohësh. Nuk ka asnjë problem nëse doza e dytë e vaksinës shtyhet. Sipas disa studimeve, është vënë re që shtyrja e vaksinimit nuk përbën problem, por rrit edhe antitrupat. Ne synojmë t'i vaksinojmë qytetarët plotësisht, por strategjia është të vaksinojmë sa më shumë me dozat e para. Qytetarët të lidhen me mjekët e familjes në mënyrë që të mos sorollaten dhe procesi të shkojë siç ka shkuar deri më tani", tha ajo.