Zgjedhjet e 25 prillit/ Celibashi: Vota e pavlefshme nëse zgjedh parti dhe kandidat të ndryshëm! Lejohet edhe nëse zgjidhni vetëm njërën

5 Prill 2021, 12:19 | Përditesimi i fundit: 2021-04-05 14:42:57

TIRANË- Me mundësinë e re që iu është dhënë votuesve në 25 prill, vetëm në një rast vota e tyre do të quhet e pavlefshme, atëherë kur ajo shkon për partinë/koalicionin dhe kandidatë të ndryshëm! E thënë më thjeshtë me anë të një shembulli konkret, nuk mund të votohet për X parti dhe kandidatin Y të një partie tjetër. Kjo votë do të quhet e pavlefshme, e ndërsa votuesit kanë të drejtën që të zgjedhin vetëm kandidatin ose vetëm partinë.

Megjithatë, duhet pasur parasysh që kur votohet vetëm kandidati, atëherë kjo votë automatikisht i shkon edhe partisë me të cilën ai garon. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpjegoi ditën e sotme me detaje procesin e votimit në 25 prill, nisur nga fakti se këto janë zgjedhjet e para kur mund të votohet përveç partisë, edhe për kandidatë.