Zhdukja e Bleona Matës, e ëma përballë dajës së "rrëmbyesit": Mbesa jote e bëri kurthin

22 Janar 2019, 23:08 | Përditesimi i fundit: 2019-01-23 10:10:07

Historia e Bleona Matës së zhdukur më 22 maj të vitit 2010 teksa kulloste bagëtinë në mal sëbashku me 5 vajza të afërme të saj bëri bujë në media me kërkesën e vazhdueshme të nënës për të mësuar mbi fatin e 7-vjeçares asokohe. Bleona sot është 15 vjeçe. Kjo histori u rikthye në vëmendje të oponinit publik me kërkesën e nënës, Bukurie Mata e cila edhe në fund të botës është gati të shkojë në gjurmët e vajzës së saj. Arsyeja e ardhjes në studion e “Pa gjurmë” lidhet me sinjalizimet e vazhdueshme që nëna e Bleonës ka marrë që lidhet me vendndodhjen e mundshme të vajzës, sot një adoleshente.

Katër vite më parë kur nëna e Bleona Matës, nga fshati Zapod i Kukësit, Bukuria e riktheu për të disatën herë çështjen e zhdukjes së Bleonës, asokohe vetëm 7 vjeçe, në ekranin e Report Tv pati deklaruar se lidhje me zhdukjen kishte Begzim Isa. Ky apel erdhi kur Prokuroria e Krimeve të Rënda, në vitin 2014 e përjashtoi Begzim Isën nga rrëmbimi dhe zhdukja e Bleonës, duke e akuzuar atë vetëm për veprën penale të rrëmbimit.

Begzim Isa u arrestua në vitin 2013 nga Policia e Kukësit, pasi kishte rrëmbyer e mbajtur peng për disa orë një fqinj të tijin vetëm 8 vjeç me qëllim trafikimin drejt Kosovës. Falë ndërhyrjes së uniformave blu, 8-vjeçari u la i lirë dhe i shpëtoi trafikimit, ndërsa ende edhe pas kaq vitesh për Bleonën nuk ka asnjë gjurmë. Afërsia dhe të qenit nga e njëjta zonë ku ka humbur Bleona, bënë që policia të dyshojë për përfshirjen e Begzim Isës në zhdukjen e Bleonës, por kjo akuzë nuk u arrit të provohej. Begzim Isa, banor i fshatit Orgjost, u arrestua pasi akuzohet se rrëmbeu dhe mbajti në banesë 24 orë një fëmijë të mitur me iniciale A.F. për qëllime trafikimi. Familjarët e Begzim Isës, i cili akuzohet për rrëmbimin e fëmijëve, protestuan në vitin 2013 para gjykatës, informuan asokohe mediat kosovare, duke thënë se e gjitha kjo ishte një inskenim i policisë së Kukësit. Begzim Isa dyshohet se bën pjesë në një bandë të trafikimit të fëmijëve. Nëna e Begzimit, Shpresa Isa, u shpreh se djali i saj ishte në gjumë kur policia e pati arrestuar. Nëna e Begzimit, thekson se djali i saj dhe 8-vjeçari patën një zënkë të vogël, por hedh poshtë pretendimet se i biri të kishte lidhje me rrëmbimin dhe se e kishte mbajtur në banesë fëmijën. Familjarët vijojnë të hedhin poshtë çdo akuzë ndërsa në studion e emisionin ’’Pa gjurmë’’, nëna e Bleona Matës vë gishtin si shkaktar të rrëmbimit të vajzës së saj vetë Begzim Isën dhe hallën e të miturës Qamile Mata.