POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

“Dueli i heshtur” për Perëndimin mes Enver Hoxhës dhe Kadaresë

Ismail Kadare

Pavarësisht izolimit të Shqipërisë, të cilin regjimi komunist megjithatë e mohonte, Perëndimi një ditë do t’i kushtonte vëmendje këtij shkrimtari kaq atipik për botën komuniste dhe akoma më tepër për Shqipërinë staliniste, çfarë ishte Kadareja.

Veçanërisht në Francë, një vend ky me të cilin Shqipëria e asaj kohe mbante marrëdhënie më të mira se me vendet e tjera kapitaliste për shkak të afeksionit që kishte diktatori për vendin ku kishte studiuar, pyetjet nisën të bëhen gjithmonë e më me këmbëngulje për diplomatët shqiptarë: “Pse nuk udhëton kurrë ky Kadareja në Francë,në Perëndim? A i lejohet të udhëtojë?

”Ndonëse Kadareja akoma nuk ishte përkthyer në frëngjisht, përsëri emri i tij kishte depërtuar në sallonet kulturore të Parisit dhe në rrethet e botuesve atje. Vërtet shumë pak francezë mund të lexonin në shqip, por shumë më tepër francezë, si dhe të tjerë perëndimorë jofrancezë,gazetarë, kritikë letrarë, etj., mund të lexonin në rusisht dhe atyre u kishte rënë në dorë vëllimi poetik i Kadaresë i botuar në rusisht. Libri ishte një gjë që i bënte përshtypje një perëndimori, për shkak se autori kritikohej për ndikime perëndimore. Ç’ është ky shkrimtar shqiptar që konsiderohet si “me frymë të tepruar perëndimore”, madje edhe në Moskën e erës liberale hrushoviane, nuk mund të rrinte pa pyetur një perëndimor, një francez. Kështu, në mënyrë paradoksale, vëllimi poetik i Kadaresë, i botuar në rusisht, duhet të ketë patur një rol çuditërisht të madh për njohjen e tij në Perëndim, një rol që mbetet akoma për t’u studiuar.

Diplomatët shqiptarë në Paris bënin përpjekje të mëdha për t’i bindur bashkëbiseduesit se Kadareja ishte i lirë të udhëtonte kur të donte dhe ku të donte, por për momentin ai ishte i zënë me punën e tij krijuese dhe nuk kishte dëshirë të udhëtonte.

Ja, shtonin diplomatët shqiptarë, kohët e fundit Kadareja ka qenë në Kinë dhe në Vietnamin e Veriut. Erdhi një moment kur pyetjet në Paris u bënë aq këmbëngulëse sa me këtë çështje iu desh të merret vetë Enver Hoxha. Por diktatori donte që t’ia ruante Parisin shkrimtarit si dhuratë për veprat letrare që do të kishte shkruar për të.

Atë Parisin mund ta fitosh si shpërblim për portretin tim letrar, pëllumb, ishte mesazhi i heshtur i diktatorit për shkrimtarin, që përcillej me mungesën e lejes për të vizituar Francën. Tanimë po bëhej gati një dekadë që nga pakti i tyre i heshtur dhe shkrimtari akoma nuk kishte bërë ndonjë vepër për të. Tanimë shkrimtari kishte marrë dy kërkesa dhe kërcënime rresht nga diktatori, siç i kam përshkruar edhe në një libër.

Të tretë nuk do të kishte me sa duket. Shkrimtari e kuptoi se tani duhet të ndërmerrte diçka. Jo thjesht për të larguar zemërimin e diktatorit dhe për të fituar të drejtën të vizitonte Parisin, por se kështu mendonte se mund t’i shërbente popullit të tij, duke kontribuar sadopak për të ndryshuar kursin e vendit në drejtimin e dëshiruar nga Perëndimi. Kadareja vendosi që ta sfidonte diktatorin duke kërkuar që të shkruante një libër për prishjen e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik.

Nëntor 1960, mbledhja e Partive në Moskë në veprën e Kadaresë

Nëse diktatori donte që ai shkrimtari i parë i vendit të shkruante diçka për të, atëherë ishte shkrimtari ai që zgjidhte të shkruante një roman për atë ngjarje që kishte në qendër një episod me të cilin Enver Hoxha mburrej aq shumë, pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e partive komuniste të botës në Moskë në nëntor 1960, kur Enver Hoxha ishte ndeshur me Hrushovin.

Shkrimtari donte që me një gur të vriste dy zogj si i thonë fjalës. Kadareja donte që të njihej me dokumentet sekrete që kishin të bënin me këtë ngjarje dhe ta përshkruante atë artistikisht, si dhe të kishte mundësi që me anë të librit t’i dërgonte një mesazh diktatorit, duke i thënë se përse shërbeu kjo ngjarje e madhe, nëse ai nuk e përdori atë për të ndjekur rrugën e Titos, afrimin me Perëndimin. Kadareja kur vendosi të shkruante librin, me zgjuarsi nuk iu drejtua me një kërkesë vetë Enver Hoxhës(duhet të bënte një kërkesë patjetër për shkak të dokumenteve sekrete që i duheshin për të shkruar librin) por iu drejtua Ramiz Alisë, njeriut i cili e kishte kritikuar në mbledhjen e vitit 1961 dhe që ishte i afërt me Nexhmije Hoxhën.

Kadare në librin “Kohë barbare” ku iu përgjigjet pyetjeve të Denis Fernandez Recatala, thotë për këtë: Tema vetë ishte bërë tabu. Asnjë tekst letrar nuk e citonte prishjen e marrëdhënieve. I shkrova Ramiz Alisë, sekretarit të propagandës: "Shoku Alia mendoj të shkruaj një roman për Shqipërinë socialiste dhe Bashkimin Sovjetik revisionist…”.

Përdora një formulë tepër të njohur për kohën. Kërkova të më jepej mundësia që të shfletoja dosjen sekrete që ishte nëpër arkiva. Kjo ishte një kërkesë e zgjuar, si për personin të cilit iu drejtua, ashtu edhe për përmbajtjen e saj. Duke ia drejtuar kërkesën Ramiz Alisë, Kadareja kishte neutralizuar një njeri që ndryshe do të ishte kundërshtar i romanit, pasi kishte frikë për pasojat që mund të kishte ai në qoftë se gjërat shkonin keq. Si sekretar për propagandën, Ramiz Alia ishte përgjegjës edhe për kulturën. Si rregull, Kadareja duhet t’ ia kishte bërë kërkesën kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, dhe ai pastaj duhet ta përcillte më lart, te Ramiz Alia, e ky pastaj te Enver Hoxha. Kadareja i kapërceu hallkat dhe bëri mirë, se burokracia dinte si ta mbyste kërkesën, nëse ajo do të udhëtonte nga Lidhja e Shkrimtarëve në zyrat e Komitetit  Qendror. Tanimë që kërkesa i kishte shkruar direkt Ramiz Alisë, ai ishte përgjegjës për të dhe nuk mund të mos njoftonte Enver Hoxhën, i cili nëse do ta mësonte në rrugë të tjera idenë e shkrimtarit dhe do ta pëlqente atë, sigurisht që do ta kritikonte ashpër Ramiz Alinë që nuk e kishte vënë në dijeni. Që Kadareja kishte vepruar me zgjuarsi, kjo u kuptua nga reagimi i Ramiz Alisë, të cilin shkrimtari e përshkruan kështu: Ramiz Alia më la shumë muaj në heshtje. Kur fliste për mua më quante të çmendur. Një shkrimtar kërkoka të zhbirojë sekretet e zotave. Më në fund, një ditë të bukur (shumë muaj më vonë), ai vendosi të më priste. Kërkesa ime iu duk shumë e çuditshme. Dhe jo për faktin që dosja mbahej sekret. Unë e binda se bëhej fjalë për një konflikt “të shkëlqyer”, “të fortë”, kuptohet, por mbi të gjitha“të bukur”, domethënë “të bukur” nga pikëpamja letrare.

Kur Ramiz Alia e vonoi kështu shkrimtarin, tani që kishte përgjegjësi direkt për kërkesën e tij, mund të mendohet se si do të kishte vepruar në qoftë se kërkesa do të kishte shkuar nga Lidhja e Shkrimtarëve në zyrat e Komitetit Qendror. Në këtë rastin e fundit, Ramiz Alia nuk do ta kishte pasur të vështirë të sajonte shumë shkaqe që kërkesa të bënte ecejake për shumë vjet.

Hezitimi i Ramiz Alisë duket se vjen ngaqë ai e ka marrë me mend se çfarë kishte ndërmend shkrimtari dhe nuk donte të kishte telashe. Duke iu kthyer përgjigje atyre që e kanë përdorur këtë roman për ta kritikuar shkrimtarin për lidhje të ngushta me sferat e larta të regjimit komunist, Kadare thotë në librin “Kohë barbare” ku iu përgjigjet pyetjeve të Denis Fernandez Recatala: Afërmendsh që për të shkruar “Dimrin e vetmisë së madhe” kisha nevojë për dokumentacion lidhur me mbledhjen ndërkombëtare të partive komuniste që u mbajt në Moskë e në mbyllje të së cilës ndodhi ndarja e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Duhet t’i pasqyroja ngjarjet sa më besnikërisht nëpërmjet dokumenteve që mbaheshin sekret.

Kështu formulova një kërkesë zyrtare, e cila më dha mundësinë të shqyrtoj dosjet historike: “Më duhet të shikoj këto dokumente. A është e mundur?” Por për t’i parë ato më “dërguan” të takoj drejtoreshën e arkivave, e cila ishte dora vetë e shoqja e Enver Hoxhës. Më dhanë autorizim. Gjatë disa orëve munda të shqyrtoj këto dosje tronditëse. Në romanin tim e kam përshkruar këtë histori shumë të bukur, dramatike e ky ishte një roman i veçantë, që përshkruante ngjarje historike të së shkuarës së afërt, dhe afërmendsh që një liber i tillë nuk mund të shkruhej pa parë dokumentet e Mbledhjes së Moskës që vazhdonin të ishin sekret. Një pjesë e tyre do të publikoheshin vetëm dy vjet pas botimit të romanit, në 1975, në vëllimin 19 të veprave të Enver Hoxhës.

Vetë romani duket se u bë shkas që Enver Hoxha të detyrohej të botonte materialet sekrete të mbledhjes së Moskës. Me vendimin për të shkruar këtë libër, Kadare vendosi që të bënte lojën më të madhe dhe më të rrezikshme që kishte bërë ndonjëherë një shkrimtar me një diktator në botën komuniste. Kadare shkruan për këtë gjë te libri “Pesha e kryqit”: Enver Hoxha ishte gjashtëdhjetë vjeç. Në shtëpinë e tyre jetonin gjatë, kështu s’pritej ndonjë vdekje natyrale. Ishte koha për t’ i vënë në fytyrë maskën.

Prej asaj maske Shqipëria mund të fitonte njëzet vjet. Tani, libri që po shkruaja, jo vetëm që nuk më dukej i bezdisshëm, por, përkundrazi mendoja se ishte i domosdoshëm. Brenda dy vjetësh isha bërë shkrimtar i njohur në Perëndim. Kështu që me anë të librit mund të isha ndërmjetës midis tij dhe Perëndimit. Me fjalë të tjera, të bëja atë që Perëndimi nuk e kishte bërë dhjetë vjet më parë: të ndihmonte diktatorin të çlirohej nga demoni. Për hir të kombit shqiptar, kombit më fatzi në kontinent.

Kur Kadare mori vendimin për të shkruar librin përprishjen shqiptaro-sovjetike, ai mendonte se pasi të botohej libri në shqip, e siç shpresonte shkrimtari edhe në frëngjisht,Perëndimi do të shihte te ky libër, që kuptohej se nuk mund të ishte shkruar pa lejen e diktatorit për përdorimin e dokumenteve sekrete, shenjën më të qartë se Enver Hoxha po i kërkonte Perëndimit shpërblimin për prishjen me Bashkimin Sovjetik, pra pranimin e tij nga Perëndimi. Libri ishte një sinjal se Kadareja kishte miratimin e heshtur të Enver Hoxhës për t’ u bërë ndërmjetësi i këtij të fundit me Perëndimin, duke i kërkuar Perëndimit shpjegime se përse nuk e pranonte Enver Hoxhën ashtu siç kishte pranuar Titon. Më vonë shkrimtari ka pranuar se kjo ishte një shpresë e kotë, pasi fati i Shqipërisë ishte vendosur në marrëveshje sekrete mes Perëndimit dhe Rusisë, por në kohën kur shkrimtari bënte këto përpjekje, kjo nuk mund të mos quhej një ndërmarrje fisnike, dhe me risk të madh siç e tregoi koha.

Tani shkrimtari e kishte bërë zgjedhjen e tij për ta lidhur fatin e tij me romanin që po shkruante për prishjen me Bashkimin Sovjetik. Ai e dinte se ky roman, mund t’ i jepte një periudhë ripërtëritjeje të paktit me diktatorin, por mund edhe ta rroposte fare. Çfarë do të ndodhte në rast se Perëndimi nuk do ta pranonte mesazhin, do të bënte sikur nuk e kuptonte?

Vitet ’60, kur Kadare lutej “Mbahu o ylli im mos bier”

Diktatori do të zemërohej shumë me shkrimtarin dhe mund ta bënte atë ta paguante shtrenjtë përpjekjen e tij. Të gjitha këto dyshime ndikonin që Kadareja në atë kohë të ishte në një gjendje shpirtërore të turbullt të cilën ai e përshkruan kështu: Mbahu o ylli im, mos bjer… (Gori zvjezda moja, nje padaj).

E gjeja këtë varg të Eseninit kudo nëpër fletoret e mia, të shkruar, me sa duket, pa e pasur mendjen në orët e përhumbjes. Kaq e pranishme ishte kjo psikozë, si brenda, ashtu dhe rrotull meje, saqë gati-gati më dukej se zgjonte një zemërim të turbullt te njerëzit kur rrëzimi nuk vërtetohej. Njëfarë zhgënjimi i tyre, një  lloj pyetjeje nervoze: ç’ ke kështu, përse nuk e bën zakonin, po na shqetëson, na ngatërron të gjithëve?

Kjo, në vend që të më zemëronte, më krijonte, përkundrazi një lloj ndjesie faji: e kuptoj që keni të drejtë, por edhe unë s’ kam faj. Koha kalonte, unë bëhesha çdo ditë më i njohur dhe e ndieja gati fizikisht padurimin e humnerës që më priste. Të burgosurit më prisnin atje, dhe përderisa po vonohesha, i zemëroja dhe ata Më tutje niste, ndoshta pritja e rëndë, e shurdhër e të vdekurve. E në sytë e të gjallëve ishte po ajo mungesë mëshire: tani ik, s’ e ke vendin këtu  .Të gjitha këto vuajtje psikologjike të shkrimtarit janë shfaqur në një mënyrë interesante në romanin e tij “Kështjella” që u shkrua në periudhën midis pranimit të kërkesës së Kadaresë për të bërë një roman për prishjen shqiptaro-sovjetike dhe fillimit të punës për këtë roman.

Kadareja vendosi ta përdorë pozitën e përkohshme të favorshme që kishte fituar, pasi iu miratua kërkesa për të shkruar romanin për prishjen shqiptaro-sovjetike, për të botuar ndërkohë libra që ndryshe nuk do të ishte në gjendjet’ i botonte. Kadare bën këtë dialog me gazetarin Denis Fernandez Recatala për këtë çështje në librin “Kohë barbare”:Kur arrita të shtij në dorë materialin e dosjes, iu futa menjëherë  punës për të shkruar “Kështjellën”. -Përse? -Kisha kohë, kohë të lirë dhe qetësi, mandej nuk isha i sigurt se kjo situatë do të vazhdonte kështu. Ia dhashë botuesit këtë roman që nuk kishte të bënte fare me komunizmin. Ai ishte i shqetësuar .Pikërisht në romanin “Kështjella”, Kadareja e ka vënë vargun e Eseninit “Gori zvjezda moja, një padaj” (Mbahu o ylli im, mos bjer) në gojën e një personazhi, të astrologut të ushtrisë turke që ka rrethuar kështjellën.

Astrologu kishte si detyrë që të studionte yjet dhe të bënte një parashikim  sikur ishte koha e përshtatshme për të sulmuar kështjellën. Por astrologu fitoi zemërimin e kryekomandantit të ushtrisë turke për shkak se bëri një parashikim të gabuar për ditën e favorshme të sulmit, sipas yjeve.

Astrologu thotë kështu me vete në romanin e Kadaresë:Mos bjer, o ylli im! Diku i kishte lexuar këto fjalë. Ato i vërtiteshin vazhdimisht diku në kokë, prapa ballit të nxehtë. Ato filluan t’ i vërtiteshin me tërbim qysh në çastin kur filloi sulmi. Mbahu, o ylli im  .Ç’ lidhje ka parë shkrimtari mes vetvetes dhe personazhit të astrologut? Kuptohet se Kadaresë i është dukur i ngjashëm me rolin e astrologut të ushtrisë turke, roli i ndërmjetësit mes diktatorit dhe Perëndimit, që kishte marrë përsipër ai.

Në romanin “Kështjella” astrologu ndëshkohet nga kryekomandanti turk për shkak të parashikimeve të gabuara dhe përfundon si i burgosur që punonte në gërmimin e llagëmit me të cilin kërkohej të depërtohej në kështjellë nga nëntoka. Fati i astrologut në roman është një shenjë se Kadareja kishte frikë se diktatori do ta ndëshkonte rreptë në qoftë se Perëndimi nuk do t’ u përgjigjej demarsheve të tij.

Llagëmi ku përfundon astrologu është një aluzion për minierat ku punonin të burgosurit politikë në Shqipëri dhe ku shkrimtari mund të përfundonte në qoftë se diktatori do ta humbiste durimin me të. Duke kërkuar që të shkruante një roman me temë përprishjen e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik Kadareja rrezikonte shumë, sepse ky libër do të shqyrtohej shumë më imtësisht se çdo libër tjetër i tij dhe konservatorët do të kërkonin që ta përdornin atë për ta shkatërruar shkrimtarin.

Ja pse Enver Hoxha e ftoi vetë në shtëpinë e tij Kadarenë

Që kur konservatorët mësuan për kërkesën e shkrimtarit,ata duhet të kenë fërkuar duart të sigurt në fitoren e tyre, se ata e njihnin mirë shkrimtarin dhe e dinin se ai nuk do të rrinte dot pa bërë ndonjë nga ato të pabërat e tij në libër. Diktatori duhet të ketë qenë në dilemë nëse duhet t’ i jepte mundësi shkrimtarit që ta shkruante këtë libër apo jo.

Nga njëra anë Enver Hoxha e kuptonte se përshkrimi në një vepër letrare i prishjes shqiptaro-sovjetike do të ishte mënyra më e mirë për të realizuar kërkesën e tij për t’iu bërë portreti letrar. Nga ana tjetër diktatori mendonte se shkrimtari do t’i krijonte probleme të padëshiruara me shtresat e militantëve partiakë, për të cilët e dinte se nuk e donin shkrimtarin.

Diktatori me rastin e shkrimit të këtij libri deshi ta takojë përherë të parë shkrimtarin. Kadare shkruan mbi këtë: Ky takim, që është i pari dhe i fundit midis nesh, ndodhi në  vitin 1971, në kohën që po skicoja strukturën e romanit. Ai ishte gjoja i rastësishëm. E shoqja e tij N. Hoxha, prej së cilës varej arkivi i partisë prej nga do të tërhiqja dosjen e fshehtë të bisedimeve të Moskës, më kishte folur në shtëpi për të biseduar për këtë gjë e për të pirë një kafe. Pas njëfarë kohe, ai hyri në dhomë duke kërkuar ndjesë që po na shqetësonte. Të ulem dhe unë një çikë? Mos po ju prish bisedën? Diktatori ishte në hall se ai kishte pritur që shkrimtari, pas vlerësimit në publik që i ishte bërë atij në mbledhjen e korrikut 1961, të kërkonte vetë një takim me të, gjë që do të ishte e natyrshme, se shkrimtari i parë i vendit kishte nevojë ta njihte udhëheqësin për të shkruar për të.

Enver Hoxha sigurisht që do ta kishte mirëpritur këtë kërkesë, ndonëse do të kishte bërë disa naze, duke e shtyrë takimin, sikur ishte i zënë me punë. Por shkrimtari nuk e kërkoi këtë takim kështu që diktatori u detyrua që ta kërkonte vetë takimin direkt me anë të gruas së tij.

Por për të dy, shkrimtarin dhe diktatorin ishte e qartë se ishte diktatori ai që kishte kërkuar një takim në shtëpinë e tij me shkrimtarin. Enver Hoxha e kërkoi takimin me shkrimtarin, para së gjithash që të mund t’i jepte mundësi atij ta njihte nga afër, gjë që do të ishte e nevojshme për ta përshkruar si personazh në libër. Kadare tregohet shumë i sinqertë dhe nuk kërkon të na bindë se Enver Hoxha u ndodh rastësisht në atë bisedë që Kadare dhe gruaja e tij, kishin me gruan e diktatorit.

Kadare, në librin “Pesha e kryqit”, shkruan për sjelljen e diktatorit në këtë takim: Aktor i përsosur, ishte aq i sjellshëm e engjëllor, saqë të bënte të ndiheshe fajtor për të ligat që mund të kishe menduar për të. Me sa dukej, kishte aftësinë, që në çaste të caktuara, të bëhej vërtet ashtu siç donte të paraqitej, përndryshe mirësjellja e tij s’mund të ishte aq vijimisht e natyrshme. Gjatë gjithë bisedës që vazhdoi më shumë se dy orë, nuk e përmendi asnjëherë partinë, marksizëm-leninizmin, ose ndonjë nga parullat me të cilat qenë mbushur fjalimet e tij.

Përkundrazi, e kujtoi mbledhjen e Moskës, por me një përçmim të thellë për gjithçka. Po me atë përçmim foli për shkronjat cirilike të rusishtes, për fytyrat e pagdhendura të udhëheqësve sovjetikë, për të folurën, të ngrënët e të pirët e tyre prej fshatarësh. Ai fliste për atë botë, domethënë për Lindjen, si për diçka të vdekur përgjithmonë. ... E folura e tij sa vente e po më habiste. Për një të tretë, kjo ishte biseda midis dy intelektualëve, që kishin lindur në të njëjtin qytet dhe që nuk donin të dinin se ekzistonte në botë komunizmi ose lufta e klasave, madje politika në përgjithësi 1. Diktatori qëllimisht u soll në mënyrë shumë miqësore dhe të përzemërt me shkrimtarin, që t’ i bënte atij një përshtypje të mirë.

Diktatori, gjatë bisedës me shkrimtarin mendonte për përshkrimin që do t’ i bënte ky i fundit figurës së tij. Kështu që diktatori donte ta mbushte shkrimtarin me përshtypjet që donte ai për figurën e tij. Të dy e dinin se më pas mund të ndodhte që diktatori të jepte urdhër për goditjen e shkrimtarit, por atë ditë ata ishin dy njerëz të barabartë, miqësorë me njëri-tjetrin, që po kalonin një pasdite të këndshme.

Në fund diktatori i bëri shkrimtarit edhe një dhuratë, veprat e plota të Balzakut në frëngjisht. Një dhuratë jo e zakonshme kjo për udhëheqësin komunist më Stalinist të Europës! Shkrimtarit nuk mund të mos i ketë bërë përshtypje kjo sjellje e pazakonshme e diktatorit. Çfarë mesazhi kishte dashur t’ i përcillte diktatori shkrimtarit të parë të vendit me këtë sjellje? Me sa duket diktatori e kishte kuptuar qëllimin e fshehtë të Kadaresë me këtë roman, për të bërë ndërmjetësin mes tij dhe Perëndimit, atë qëllim që Kadare e shpreh kështu në dialogun me Alain Bosquet:Kishin kaluar dhjetë vjet që nga ngjarja e madhe. Një shpresë megjithatë nisi të notonte përsëri në erë. Ftohjet e herëpashershme me Kinën nga fillimi i viteve 70, bënin që të ringjallej iluzioni I shkëputjes përfundimtare nga komunizmi.

Ishte koha për të stimuluar këtë dhe mua, krejt si Don Kishotit, m’ u ringjall besimi se letërsia mund të bënte të pamundurën. Të bëja pra, atë që s’kishte bërë Perëndimi. T’ i jepja kumtin: Ti mund të jesh I pranueshëm, në qoftë se zbutesh. Ti vija pra maskën korrektuese me shpresë se do t’ i përshtatej asaj.

Në janar të vitit 1985, kur ai ishte ende gjallë, në trajtesën për Eskilin e kam shpjeguar se ç’është maska korrigjuese mbi fytyrën e një tirani dhe ç’rol mund të luajë ajo Diktatori, duke e kuptuar këtë qëllim të shkrimtarit të parë të vendit, për t’u bërë ndërmjetës mes tij dhe Perëndimit,deshi t’ i bënte një surprizë shkrimtarit, duke i demonstruar pikërisht atë imazh të zbutur të tij, të cilin shkrimtari kërkonte t’ia ofronte si maskë. Me këtë diktatori donte që ta inkurajonte shkrimtarin e parë të vendit, dhe donte t’i jepte atij këtë mesazh:

“Unë di të jem edhe kështu, plotësisht i ndryshëm nga një udhëheqës stalinist, di të jem aspak komunist. Dhe jo vetëm në një bisedë private, në shtëpinë ime, por me të gjithë vendin, me të gjithë botën. Di ta bëj rolin e Titos edhe më mirë se ai, pra di të jem krejt si një lider perëndimor. Meqenëse ti dashke ta provosh atëherë mere dhe përcille këtë figurë timen në Perëndim dhe të shohim sesi do ta presin ata. Para dhjetë vjetësh nuk më ofruan gjë,ndryshe nga ç’bënë me Titon pas vitit 1948.

Të shikojmë se mos bëjnë gjë tani”.Për ta përforcuar mesazhin që do t’i jepej Perëndimit me anë të librit të ardhshëm të Kadaresë, Enver Hoxha bëri dhe dy lëvizje të tjera, për të cilat ai mendonte se Perëndimi nuk mund të mos i kuptonte. E para ishte që nisi një periudhë të liberalizimit të jetës së vendit në kulturë e në mënyrën e jetesës.

E dyta që lejoi shkrimtarin që po shkruante librin mesazh për Perëndimin që të udhëtonte në Perëndim në Paris. Të dy këto mesazhe duhet ta bënin Perëndimin që të kuptonte se ai diktatori shqiptar ishte gati të sillej si Titoja, madje ndoshta edhe të shkonte më tej se ai. E gjithë kjo nisi me vizitën e Kadaresë në shtëpinë e diktatorit dhe me bisedën e pazakonshme që patën ata të dy. Fryma e asaj bisede u ndje shpejt në të gjithë vendin.

(Shënim: Titujt dhe mestitujt janë redaksionalë. Përgatiti për botim Dh. Hamzai)

ke.mu.
Komento

Komente

  • Edi: 16/08/2018 09:22

    Pallavra

    Përgjigju