Fundi i vitit 1944 në Tiranë, shënoi një varg vrasjesh pa gjyq, që kishin terrorizuar kryeqytetin në fund të Luftës së dytë Botërore. 

Mbi 39 intelektualë, ushtarakë e njerëz të fesë, rezultojnë viktima të terrorit komunist në ditët e para të vendosjes së regjimit të dhunshëm në kryeqytet. 

80 vjet pas kësaj masakre, Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, kujtoi  këto ngjarje të përgjakshme ku u eliminuan deputetë, gazetarë, inxhinierë, ekonomistë, mjekë, teologë dhe ushtarakë. 

Besim Ndregjoni, një prej organizatorëve kujtoi ditët e masakrës dhe fajet e politikës së sotme. 

“80 vite me parë me 17 nëntor 1944 Tirana do të gdhihej e përgjakur me trupat  e intelektualëve të vrarë në mënyrë barbarë nga komunistët e diktatorit Enver Hoxha. Pas 80 vitesh ajo parti, ai formacion që krenohet me xhelatët, jo vetëm  që s’ka kërkuar falje, por përçmon, përbuz shqiptarët me anë të pushtetit. Këta 39 intelektualë, shumica e tyre nuk marrin dëmshpërblim. Shumica e këtyre intelektualëve nuk kanë një varr në tokën e tyre, nuk kanë një varr ku të vënë një lule….”, tha ai ndër të tjera.

Me pjesëmarrjen e disa prej përfaqësuesve të politikës së djathtë, dhe  shumë familjarëve nga familjet e këtyre 39 martirëve,  në këtë përvjetor u kujtuan historitë e disa prej këtyre intelektualëve të vrarë pa gjyq.

Vesim Kokalari, trashëgon sot emrin e gjyshit të tij, vëllait të Musine Kokalarit, e pushkatuar në Tiranë  më 13 nëntor, atë ditë kur sapo kishte mbushur 47 vjeçe. 

“Gjyshi im ishte një nga ata që u dënua nga dora mizore padrejtësisht dhe pa arsye si të gjithë intelektualët që u vranë atë natë dhe në vazhdim. Masakra e Tiranës ka filluar që në muajin tetor 1944 dhe mbaroi me 17 nëntor. Kur të tjerët po festojnë, në shtëpitë tona kishte vetëm vaj dhe hidhërime të mëdha, sepse mbetën shumë familje pa baballarët, pa njerëzit e tyre të afërt që dora kriminele i mori pa asnjë arsye. E vetmja arsye ishte se ata e donin këtë vend dhe e donin Shqipërinë perëndimore”, shprehet ai.

Eduart Allamani, nipi i Isuf Allamanit, pushkatuar në ditët e përgjakura të  1944, tregoi fatin e hidhur të veterinerit të njohur diplomuar në Firence.

“Isufi mbaroi studimet në Firence. U dashurua me një vajzë nga Firence dhe Leonela fierentina dhe u kthye në Shqipëri për t’i shërbyer vendit të vet. Të mos mbash këto burra por t’i pushkatosh, s’ka dëm më të madh. Isufin e pushkatuan dhe Leonela bashkëshortja u kthye në Firence, ku rriti djalin e saj dhe nuk u martua kurrë”, thotë ai.

Masakrat e tetor-nëntorit 1944,  mbi elitën e jetës së kryeqytetit, i hapën rrugën ardhjes së përgjakshme në pushtet të komunistëve dhe do të pasonte me shumë ngjarje tragjike përgjatë 45 viteve, që regjimi komunist ushtroi pushtetin përmes dhunës dhe diktatit.