Ekskluzive/ Administrata, 12% e punonjësve ngelin në testim

Rreth 12 për qind e punonjësve të administratës publike nuk e kalojnë testin për përfitimin dhe përditësim e njohurive. Gjatë vitit 2017, janë testuar 905 punonjës, kryesisht të inspektorateve shtetërore, ku 106 nëpunës u vlerësuan “Jokënaqshëm”.

Të dhënat pasqyrohen në raportin vjetor të Departamentit të Administratës Publike, për vitin 2017, raport i cili do të shqyrtohet dhe miratohet në ditët në vijim nga Parlamenti. Sipas raportit të siguruar nga Shqiptarja.com, nga 905 të testuar, vetë, 19 nëpunës u vlerësuan “Shumë mirë”. Sipas këtij trendi, 12 për qind e rreth 80 mijë punonjësve të administratës, nuk e kalojnë testin për njohuritë rreth detyrës së tyre.

“Në përfundim të kësaj procedure rezultoi se nga 905 nëpunës civilë të vlerësuar: 106 nëpunës u vlerësuan “Jokënaqshëm”. Këta nëpunës janë të detyruar t’i nënshtrohen një procedure trajnimi pranë ASPA-s dhe një testimi në përfundim të trajnimit, si dhe një periudhe vlerësimi tremujore; 387 nëpunës u vlerësuan “Kënaqshëm”. Këta nëpunës janë të detyruar t’i nënshtrohen një trajnimi brenda një viti pranë ASPA-s, për plotësimin e njohurive ku ata kanë paraqitur dobësi gjatë procedurës së vlerësimit; 393 nëpunës u vlerësuan “Mirë”; 19 nëpunës u vlerësuan “Shumë mirë””, thuhet në raport.

Çfarë ndodh me këta punonjës?
Punonjësit që janë vlerësuar “jokënaqshëm” konsiderohen jo të përshtatshëm për pozicionin e punës ku janë caktuar. Atyre do t’u jepet edhe një mundësi për t’u rikthyer në vendin e punës. Ata mund të detyruar të ndjekin trajnimin pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë.

Këta punonjës të vlerësuar “jokënaqshëm”, në procedurën e parë të vlerësimit, i nënshtrohen një periudhe vlerësimi 3-mujore, nga eprori direkt, si dhe procedurës së trajnimit për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë, pranë ASPA-s. Në varësi të kategorive/grupeve, ASPA, në bashkëpunim dhe bazuar në rekomandimet e DAP-it, harton programet e trajnimit për nëpunësit e vlerësuar “jokënaqshëm” në përfundim të procedurës së testimit. Punonjësit që janë vlerësohen “jokënaqshëm” konsiderohen se nuk e kanë kaluar testimin.

Në përfundim të procedurave , bazuar në rezultatet e testimit të realizuar nga komisioni i vlerësimit dhe në rezultatet e vlerësimit 3-mujor, eprori direkt vendos përshtatshmërinë ose jopërshtatshmërinë e nëpunësit civil në pozicionin e punës.

Lirimet dhe emërimet
Sipas raportit, gjatë vitit 2017 janë liruar gjithsej 460 nëpunës civilë, ku 191 nëpunës civilë kanë dhënë dorëheqjen, 108 kanë dalë në pension, 33 janë larguar nga administrata për shkelje të ndryshme, 11 janë larguar për shkak të veprimit të ligjit të dekriminalizimit si dhe 117 janë liruar për arsye të tjera. Sa i takon emërimeve, gjatë vitit 2017, u zhvilluan 242 procedura konkurrimi për 481 pozicione të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese.

Në grafikun më poshtë paraqitet ecuria e shpalljeve për çdo kategori, krahasimisht me vendet e planifikuara për t’u shpallur. Numri total i aplikimeve për të gjitha pozicionet e shpallura për vitin 2017, është 8606, nga të cilët rezulton se 3535 aplikantë i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në shpallje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:19
Ristrukturimi i ministrive, u shkurtuan 366 vende pune

Nga ristrukturimi i ministrive në vjeshtën e vitit 2017, janë shkurtuar 366 pozicione pune. “Në tetor të vitit 2017, pas krijimit të kabinetit të ri qeveritar, numri i portofoleve ministrore, si dhe organizimi i brendshëm i tyre (struktura dhe organika) ndryshuan. Si rezultat i miratimit të strukturave dhe organikave të reja, rezultoi se numri i ministrive u reduktua nga 16 në 4-vjeçarin e kaluar, në 11.

Ndërkohë që numri i pozicioneve të punës, ndryshoi nga 2494 pozicione, në 2128 të tilla, me një shkurtim prej 366 pozicione pune. Në veçanti numri i pozicioneve të shërbimit civil ndryshoi nga 1874, në 1624, me një shkurtim prej 250 pozicione pune. Duhet të theksojmë këtu se një ndër elementët e organizimit të brendshëm të Kryeministrisë dhe ministrive të linjës ishte edhe kalimi i funksioneve të teknologjisë së informacionit të institucioneve të administratës shtetërore, në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)”,
thuhet në raportin e DAP.

Sipas DAP, që në momentin e inicimit të procesit për hartimin e strukturave dhe organikave të reja të Kryeministrisë dhe ministrive të linjës, punonjësit u njoftuan për fillimin e procesit të ristrukturimit të ministrive të linjës dhe Kryeministrisë, duke respektuar kështu afatin e njoftimit të nëpunësve civilë të paktën 1 muaj përpara.

“Pas miratimit të strukturave dhe organikave të reja, Departamenti i Administratës Publike krijoi komisionet e ristrukturimit për Kryeministrinë dhe secilën nga ministritë e linjës. Komisionet e ristrukturimit në vendimet e tyre për propozimin e transferimit të nëpunësve civilë, apo atë të përfundimit të marrëdhënies së punës në shërbimin civil për arsye të ristrukturimit, u bazuan në: (i) krahasimin e përshkrimeve të punës; (ii) përvojën e nëpunësve civilë në tërësi në shërbimin civil dhe përvojën në pozicione të njëjta apo të ngjashme; (iii) shkallën e arsimimit, kualifikimet dhe trajnimet; (iv) vlerësimet e rezultateve në punë”, thuhet në raport.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Drejtesi: 07/04/2018 13:22

    Po cfare administrate thoni?by...lepirsat e partive,ne fund dalin dhe me eksperience keta lloj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)