POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Ekskluzive-Dalin emrat/ DSIK: Prokurorët që marrin para për të mbyllur dosjet

Prokurori i Tiranës Adriatik Cama ka marrë para për të mbyllur dosjet penale, ndërsa prokuroi i Apelit në Tiranë Luan Kaloçi është përfshirë në veprimtari të kundraligjshme si dhe ka kontakte me persona të përfshirë në krim të organizuar. Kështu thuhet në dy raporte sekrete që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar i ka dërguar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Raporti për prokurorin Cama mban datën 18 maji 2018, me numër protokolli 5566, ndërsa për prokurorin Kaloçi mban datën 2 nëntor 2017, me numër protokolli 1209.

Raportet e zbardhura nga Shqiptarja.com janë hartuar nga SHISH, DSIK dhe Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Komisioni i Vetingut e ka konfirmuar si të saktë raportin për prokurorin Cama, duke e shkarkuar nga detyra me vendim të datës 12 korrik 2018. KPK ka shkarkuar nga detyra edhe prokurorin Luan Kaloçi, duke e hetuar vetëm për pasurinë, ndërsa nuk është shprehur për përmbajtjen e raportit të DSIK. Kaloçi e ka ankimuar vendimin në Kolegjin e Apelimit. Në datën 23 tetor 2018, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e KPK, duke shkarkuar përfundimisht nga detyra. Edhe Cama ka kërkuar rrëzimin e vendimit të KPK në Kolegj, por Kolegji ende nuk ka marrë një vendim. 

Para për të mbyllur dosjet 
Sipas të dhënave të mbledhura nga shërbimet sekrete, DSIK raporton se Adriatik Cama, së bashku me prokurorin e çështjes Gjergji Thaka kanë marrë një shumë parash për të mbyllur një dosje penale në ngarkim të një shtetasi. “Subjekti i vlerësimit Adriatik Cama, asokohe prokuror në Prokurorinë e Rrethi Gjyqësor Lushnje, së bashku me prokurorin e çështjes Gjergji Thaka kanë marrë shumën... nga familjarët e shtetasit për pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij. Shtetasi ishte ndaluar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnje për kontrabandë. Vlerësojmë se gjendemi në një situatë që evidenton forma të shfaqjes së korrupsionit pasiv e kryerjes së veprimeve/dhënies së urdhrave arbitrare, gjatë ushtrimit te detyrës, ndër radhët e funksionarëve të sistemit të drejtësisë, konkretisht në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje. Dy prokurorë kanë kërkuar dhe marrë, nëpërmjet personave të tjerë, personit të ndaluar/nën hetim, për favorizim/pushim të çështjes në ngarkim të tij, në papajtueshmëri të plotë me detyrën. Gjykojmë se kjo veprimtari e paligjshme i përmbahet përcaktimit të pikës 8 të nenit 3 të ligjit 84/2016, që përfshihen veprat penale të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, ku përfshihen ‘krimi i organizuar, trafikimi dhe korrupsioni”, thuhet në raport. Për pasojë, DSIK i ka arritur në konkluzionin se subjekti është i papërshtatshëm për të shërbyer në sistemin e drejtësisë. 

KPK pranoi raportin  
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas një hetimi të theluar, e ka vlerësuar si të saktë dhe të bazuar raportin e DSIK për përfshirjen e prokurorit Adriatik Cama në praktika korruptive. “Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi u njoh me rrethanat e çështjes, bazuar në provat e administruara, raportin dhe rekomandimet e relatorit të çështjes, arrin në përfundimin se: Subjekti i rivlerësimit, z. Adriatik Cama, ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë, sipas parashikimeve të neneve 39 dhe 33 të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në vendimin e KPK. Gjithashtu, Komisioni ka arritur në konkluzionin se prokurori ka fshehur pasurinë si dhe nuk justifikon pasurinë e deklaruar me burime të ligjshme të ardhurash. Si përfundim, Komisioni ka vendosur shkarkimin e subjektit nga detyra. 

Raporti i DSIK për Adriatik Camën

Prokurori tjetër 
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, përmes një tjetër raporti, bazuar në informacionet e shërbimeve sekrete, thekson se prokurori i Apelit në Tiranë, Luan Kaloçi është përfshirë në veprimtari të paligjshme si dhe ka kontakte me persona të përfshirë në krim të organizuar. “Për subjektin e rivlerësimit Luan Kaloçi disponohen të dhëna për përfshirje në veprimtari të kundraligjshme shfaqur në formën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm gjatë ushtrimit të detyrës. Gjithashtu, subjekti i rivlerësimit Luan Kaloçi ka patur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krim të organizuar. Në vlerësimin e informacioneve të siguruara nga autoritetet verifikuese për subjektin e rivlerësimit Luan Kaloçi dhe kërkesave të parashikuara në germat ‘c’ dhe ‘d’ të të pikës 4 dhe germës ‘c’ të pikës 6 të nenit 38 të ligjit 84/2016, rrethana që merren parasysh në konstatimin e faktit, rezulton se kontakti i papërshtatshëm sipas përcaktimit të pikës 6, të nenit 3 të ligjit është me më shumë se një person të përfshirë në krim të organizuar, me aktivitet kriminal të njohur dhe të dokumentuar, si dhe në një kohë relativisht të gjatë të pasjes së kontakteve të papërshtatshme”, thuhet në raport. 

Raporti i DSIK për Luan Kaloçin

 

d.ba./b.ha.
Komento