Fadil Kepi: Përfitimet e detyrimet e pensionistëve që punojnë në privat

Fadil Kepi: Përfitimet e detyrimet e pensionistëve që punojnë në privat

Si çdo javë, eksperti për çështjet e pensioneve Fadil Kepi ka sqaruar në Report TV, qytetarët mbi problematikat e pensioneve. Në emisionin “Këndi i Ekspertit” nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli, Fadil Kepi u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të qytetarëve.

Eksperti ka sqaruar qytetarët që kanë dalë në pension, por vazhdojnë të punojnë në sektorin privat për detyrimet por edhe privilegjet e tyre. Po kështu profesor Kepi ka sqaruar qytetarët që kanë problem shëndetësore për procedurën e pensionit të invadilitetit.

Na shkruan z. Abedin nga Tirana: “Më 4 gusht 2017, plotësova moshën 65 vjeç. Kam punuar 39 vite punë të siguruara, por vazhdoj ende të punoj në një bankë private. Kur dal në pension? A mund të vazhdoj të punoj edhe pas daljes në pension?”.
Moshën për pension e ka plotësuar më 4 gusht të vitit 2017, kur mbushi 65 vjeç. Nga 36 vjet punë që i duhej për pension të plotë, ai kishte 39 vjet. Meqenëse zotëria punon në një bankë private dhe ka një kontratë pune me bankën private, mund të vazhdojë të punojë edhe mbi moshën e pensionit. Nga data 4 gusht 2017 e në vazhdim, për çdo muaj që punon në bankën private, ai do të përfitojë 0,5% shtesë mbi pension.

Pasi të dalë në pension, ai do të përfitojë lejen e zakonshme nga 1 janari i këtij viti deri më 4 gusht 2018 dhe pastaj do të marrë pensionin dhe në qoftë se vazhdon të punojë në bankën private, është i detyruar prapë të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Merr edhe pensionin edhe shtesat që i bëhen pensioneve me vendime qeverie, por do të marrë edhe pagën te banka private, por do të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore në mënyrë të detyrueshme sikur nuk ka dalë në pension. Të zgjedhë rrugën më të mirë për të.

Flas nga Shkodra. Jam shtruar në spital në datën 6 nëntor dhe më 15 nëntor kam bërë një ndërhyrje në zemër. Jam i vetëpunësuar që kontribuoj. Më kanë thënë që të drejtën për të dalë në KEMP e kam pas 6 muajve, pra më takon më 6 maj. Unë duhet të ndërpres sigurimet dhe të marr pagesën e KEMP-it apo edhe sigurimet edhe KEMP-in?
Të uroj të shkuara e shërim të shpejtë. Pasi del nga spitali, pajiseni me një fletë drejtimi për në KEMP, në Shkodër. Atje ju caktohet dhe data e daljes në komision, por 6 muaj pas ditës së shtrimit në spital. Pas 6 muajve nuk ka të drejtë asnjeri të lëshojë raporte mjekësore në vendin tonë, në asnjë instancë. Nëse del invalid i plotë, do të marrësh pensionin e invaliditetit, shuma e të cilit varet nga vitet e punës që ke pasur, sivjet duhen 36 vjet e 4 muaj gjithsej, dhe nga paga mesatare bruto mujore që ke marrë gjatë viteve të punës. Por, do të marrësh edhe në bashki 3.300 lekë të reja, nga dita që ju filloni pensionin e invaliditetit.

Kjo merret nga fondet e sigurimeve shoqërore. Deri në moshën 65 vjeç që plotëson moshën për pension pleqërie, kjo periudhë të quhet vjetërsi pune. Në moshën 65 vjeç ju lind e drejta për të marrë pension pleqërie. Kjo periudhë, pra, nga dita që ke marrë pensionin e invaliditetit, jo nga dita që je shtruar në spital, të quhet vjetërsi pune për efekt të pensionit të pleqërisë. Pra, në moshën 65 vjeç të lind e drejta për të zgjedhur midis dy pensioneve: ose të marrësh pensionin e plotë të invaliditetit ose të marrësh pensionin e pleqërisë.

Bashkërisht me Sigurimet Shoqërore, ti ke të drejtë të zgjedhësh pensionin më të lartë, por vetëm një pension, jo dy. Dhe pavarësisht se cilin pension zgjedh ti për të marrë, përfiton edhe 3.300 lekët nga bashkia. Gjithashtu do të përfitosh edhe barnat mjekësore me rimbursim të plotë, pavarësisht nga pensioni që do të zgjedhësh.

Jam 70 vjeç, nga Tirana. Kam dalë invalid në vitin 2012, sepse vuaj, nga hipertensioni, zemra dhe nga diabeti. Kam gjithsej 34 vjet punë deri në vitin 2002, kur jam sëmurë dhe deri në vitin 2012 kam qenë nëpër spitale. Pastaj dola invalid. Pensioni që marr është shumë i ulët, 146 mijë lekë. Para 2 muajve bëra një kërkesë për rishikim pensioni dhe ma kanë lënë përsëri aq sa e kisha.
Ju keni të drejtën të shkoni për të takuar çdo ditë të mërkurë, me dokumentet me vete, me librezën e pensionit, Drejtorin e Sigurimeve Shoqërore, në Tiranë. Të gjitha pretendimet që keni, do t’ia thoni atij. Në qoftë se përsëri nuk do të bindesh, 100 metra më larg ndodhet Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Mundohu që të takosh drejtorin apo njërin nga zëvendësdrejtorët. Ky është një problem që zgjidhet.

Flas nga Tirana. Burri im ka dalë në pension. Tani është 70 vjeç. Merr pension të pjesshëm, megjithëse ka punuar 40 vjet. 2 vitet e ushtrisë dhe 3 vite që ka punuar si nënoficer nuk figurojnë në asnjë vend. Si shpjegohet kjo?
Në parim ke të drejtë. Bashkëshorti duhet që me dy dëshmitarë të vërtetojë në një proces gjyqësor që ka punuar në atë apo këtë repart ushtarak, sepse ushtarakët kanë lëvizur nëpër reparte e zona të ndryshme. Raste të kësaj natyre ka pasur plot dhe janë sqaruar në këtë formë, edhe pse nuk figuronin të dokumentuara vitet e punës. Ky nuk është faji i Sigurimeve Shoqërore, por i Ministrisë së Mbrojtjes që nuk ka mbajtur dokumente të rregullta. Të këshilloj t’i shkruash edhe një letër Ministres së Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka.

Flas nga Shkodra. Jam 33 vjeç. Kam pësuar një aksident në vitin 2010 dhe gjykata vendosi që unë të dëmshpërblehem me KEMP dhe me siguracione. Kur gjykata vendosi për 45% humbje aftësie, unë përfitova KEMP. KEMP-in ma dhanë thjesht si i papunë, gabimisht, sepse unë isha në ushtri. Pastaj dosja ime u zhduk fare. As në komision nuk e sillnin. Në bashki ma dhanë dosjen dorazi dhe e dërgova në komision. Komisioni nuk ma pranoi. As bashkia nuk ma pranoi. Më mbeti dosja në dorë. Ndërsa në komision e kishin shkruar “mosparaqitje”. KEMP-in e dhanë gabimisht si i papunë sepse u ndërrua qeveria dhe u shtrembëruan ligjet. Kam vetëm 1 vit ushtri.
Në vitin 2012, për të marrë pension të plotë invaliditeti, ty të duheshin vite pune sipas kësaj formule: 33 që është mosha juaj minus 20, një shifër konstante, e pjesëtuar kjo për 2. I takon 6 vjet e 6 muaj. Nëse ti do të kishe 6 vjet e 6 muaj punë, do të kishe marrë pension të plotë. Nëse do të kishe 3 vjet e 3 muaj punë, do të kishe marrë 50%. Sqarime më të hollësishme mund të marrësh në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër.

Flas nga Korça, jam 64 vjeçe. Kam dalë në pension në vitin 1993. Marr një pension 60%. Tani që kam mbushur moshën nuk më është rritur.
Zonjë, merr librezën e pensionit dhe shko të takosh Drejtoreshën e Sigurimeve Shoqërore në qytetin tënd. Ti që ke hall, ti do të takosh njerëzit kompetentë për t’u sqaruar. Ligji thotë: “Të gjithë ata që kanë dalë në pension me 60%, kur plotësojnë moshën, u kthehet në pension të plotë”. Por të është kthyer apo jo, unë nuk mund të fajësoj punonjësit e Sigurimeve Shoqërore. Duhet patjetër të shkosh te Drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore, me librezën e pensionit dhe t’i parashtrosh pretendimet e tua. Unë nuk mund të them më tepër sepse duhet të shihen dokumentet e tua. Dosja jote është në Korçë, prandaj te Drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore të Korçës. Nëse nuk bindesh, mund t’i bësh një ankesë Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Flas nga Durrësi. Kam 28 vite pune dhe kam bërë një ndërhyrje në zemër para një viti. Jam 53 vjeç. Nuk dola në KEMP sepse te Sigurimet Shoqërore më thanë që marr KEMP minimal. Unë nuk e dija këtë, por ju dëgjova më parë që thatë se ndikojnë vitet e punës në marrjen e KEMP-it. Nëse keni mundësi të më sqaroni.
Pensioni i KEMP-it ka llogaritjet e veta, në bazë të viteve të punës. Ka një formulë standarde. Ju jeni 53 vjeç minus 20, që është një shifër konstante, dhe del 33. E shumëzojmë me 3 dhe del 99. E pjesëtojmë me 4. Për të marrë pension të plotë juve ju duhen 24 vjet e 9 muaj punë. Dhe gjatë 5 vjetëve të fundit, nga dita që jeni shtruar në spital e 5 vite përpara, duhet të keni 1 vit punë. Ligji i Sigurimeve Shoqërore thotë: “Pensioni i invaliditetit për sëmundje të përgjithshme llogaritet njëlloj si pensioni i pleqërisë”. Do të çosh vërtetimin e rrogës që ke marrë, që nga data 1 janar 1994. Do të çosh librezën e punës.

Do t’i çosh te KEMP-i i Sigurimeve Shoqërore në Durrës. Ata të KEMP-it nuk llogarisin pensione. Ata vetëm pranojnë dokumentet dhe i dërgojnë te Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore. Atje, ata e japin me shkrim se sa del pensioni. Nëse ty të del pension i plotë i invaliditetit, atëherë do të marrësh edhe 3.300 lekë të reja në bashki. Pensioni i invaliditetit ka procedurën e vet që ti nuk e di. Prandaj do të shkosh tek Agjencia e Sigurimeve Shoqërore dhe ne nuk bindesh, do të shkosh te Drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore në Durrës. Përgjigjja duhet të jetë zyrtare, me shkrim dhe e firmosur. Nuk është përgjigje ajo që thua ti se ke marrë. Nuk është serioze. Dhe unë nuk mendoj se punonjësit e Sigurimeve Shoqërore të jenë sjellë në mënyrë jo serioze, duke t’u përgjigjur me hamendje.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës