Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu i është rikthyer edhe njëherë tjetër çështjes së Klement Balilit, i cili prej dy vitesh ndodhet në arrati. 

Lu tha se mosarrestimi i Balilit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si kreu i një bande të fuqishme të trafikut të drogës, është dështim i Prokurorisë, Policisë dhe Qeverisë, të cilat sipas tij nuk kanë pasur vullnet për ta arrestuar.

Mbështes arrestimin e Met Kananit në Turqi, banda e tij u kap në Turqi. Së treti, dogana shqiptare zbuluan kokainë kolumbiane të Arbër Çekajt. Disa nga anëtarët e bandës së tij janë arrestuar. Kryebashkiaku Fran Frrokaj dhe ish-kryebashkiaku Elvis Roshi po gjykohen. Emiljano Shullazi dhe Lul Berisha, po gjykohen në Gjykatë. Hetimi penal kundër ish-ministrit Saimir Tahiri po vazhdon. Janë shumë në një kohë të shkurtër, por duam të shohim rezultatet, të ndiqen penalisht, të dënohen dhe të futen në burg. Ky do të ishte sukses. Dua të theksoj një dështim të qeverisë, prokurorisë dhe policisë, për të arrestuar Klement Balilin. DEA punoi me policinë greke për të arrestuar disa anëtarë të bandës së Balilit në Greqi. Më pas Gjykatat greke e dënuan Balilin me dënim të përjetshëm.

Balili është një bos i krimit të organizuar me lidhje politike. Për dy vite, qeveria, policia dhe prokurorët, nuk kanë patur aftësinë ose s’kanë dashur ta kapin. ONM ka thënë se do përfundojë këtë verë kalimin në Vetting. Kokat e krimit duhet të kenë frikë. Drejtësia për ta po vjen.  

Donald Lu, ambasador i SHBA-ve në Tiranë

Përgjigjen ia ka kthyer Kryeministri Edi Rama pak minuta më vonë. Rama tha se Lu ka të drejtë, që është i shqetësuar për kapjen e Balilit por sipas tij, kapja e Balilit nuk do të vonojë, dhe kur të ndodhë do të jetë një sukses i madh.

Unë e mirëkuptoj shqetësimin që nënvizoi nuk e di për të satën herë, miku ynë, ambasadori, për një nga profilet më të larta të krimit të organizuar. Normalisht që padiskutim arritja në kapjen e këtij personazhi të botës së krimit është një domosdoshmëri dhe do të jetë sukses i madh. Mos të harrojmë se nuk ishte 40 vite më parë, vetëm pak vite më parë, ky ishte drejtor, ishte drejtor i lidhur politikisht. Dhe politikisht i provuar drejtor. Dhe çuditërish jo drejtor peshkimi por drejtor transporti. Sot është në kërkim dhe patjetër që në bashkëpunim me partnerët, herët ose vonë do të kapet. Siç tregojnë dhe shembujt nga vendet e tjera, herët ose vonë do të kapet.

Edi Rama, kryeministër