POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Intervista/Presidenti i Nuova Fiera del Levante: Kur biznesi kapërcen kufijtë, suksesi është i garantuar

Flet Alessandro Ambrosi, president i Nuova Fiera del Levante dhe i Dhomës së Tregëtisë së Barit.

Nga pozicioni tuaj si president i Dhomës së Tregtisë së Barit, si i shikoni marrëdhëniet ekonomike me biznesin shqiptar?

Fakti që zyra jonë në Tiranë është një nga më të suksesshmet flet shumë pozitivisht. Nga të gjitha rajonet e tjera të Italisë kërkojnë ndërmjetësimin tonë për të siguruar lidhje me sipërmarrësit shqiptarë.

Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me ta. Sipërmarrësit tanë tanimë kanë investuar tek ju në qendra të mëdha tregtare, bujqësi, turizëm. Mendoj se marrëdhëniet tona duhet të intensifikohen: distanca mes nesh dhe jush është më e vogël se nga Bari në Romë, kështu Fiera jonë mund të bëhet shumë mirë panairi i Shqipërisë.

Në sektorë që po kthehen në rëndësi të veçantë për vendin tuaj, siç është rasti i bujqësisë apo turizmit, mund të bashkëpunojmë shumë më tepër, duke filluar edhe nga panairet. Shoh se psh në prodhimin e vajit të ullirit me kalimin e kohës Shqipëria do të marrë një rëndësi të veçantë në tregje, kjo edhe në sajë të investimeve nga sipërmarrës italianë. Kjo krijon kushtet që të bashkëpunojmë në këtë sektor, duke bashkuar forcat tona nga të dy anët e detit me leverdi të përbashkët.

A janë “xhelozë” bizneset tuaja për rritjen e turizmit në Shqipëri, duke përfshirë turistë nga Italia, që preferojnë vendin tonë për të pushuar?

Nuk duhet t’i shohim këto zhvillime duke menduar “kjo është imja”, “kjo e jotja”. Ju keni plazhe të mrekullueshme, det të mrekullueshëm.

Për turistët tanimë vizioni është zonal, jo kombëtar, pra turisti që viziton Greqinë apo Italinë mund të vizitojë shumë mirë edhe Shqipërinë, e cila është shumë pranë. Shoh me kënaqësi që qeveria shqiptare dhe drejtuesit rajonalë në Pulja kanë marrëdhënie shumë të mira dhe në këtë drejtim mund të bashkëpunohet me sukses.

Në cilët sektorë të tjerë të ekonomisë mund të investohet nga jashtë në Shqipëri?

Mendoj se duhet parë me interes investimi në fushën e prodhimit të pjesëve që montohen në Itali. E kam fjalën edhe për pjesë të automjeteve, psh, dhe e di që tashmë në vendin tuaj kanë filluar investime të tilla. Po ne kemi shumë sektorë ku mund të bashkëpunohet, që nga farmaceutika e deri tek prodhimi i avionëve. Po edhe sektori i mjekësisë po zhvillohet mirë në Shqipëri dhe kjo ngjall tjetër interes.

Por sipërmarrësit shqiptarë a janë të joshur të investojnë në ekonominë tuaj?

Mendoj se i pengon sistemi shumë i rëndë i taksave që kemi këtu. E kanë më të lehtë të investojnë në Shqipëri. Po kështu, edhe fuqia punëtore këtu kushton shumë më tepër.

Çfarë mendimi keni sot, gati 30 vjet pas zbarkimit të anijeve mbushur me emigrantë shqiptarë në brigjet tuaja, për bashkëkombasit tanë?

Njoh shumë e shumë shqiptarë punëtorë dhe të suksesshëm. Madje, që janë bërë edhe ata investitorë, pasi kishin ardhur me anijen “Vlora” si refugjatë. Kanë shkuar edhe në Amerikë, duke investuar edhe aty. Kam shumë miq prej tyre.

Ata që duan të punojnë e gjejnë gjithnjë rrugën e suksesit. Ne, si puljezë, i konsiderojmë si njerëz shumë të afërt. Ne këtej themi: Shqiptarë e puljezë, e njejta fytyrë dhe e njejta racë (stessa faccia, stessa razza).

Ne, si puljezë, i konsiderojmë shqiptarët si njerëz shumë të afërt. Ne këtej themi: Shqiptarë e puljezë, e njejta fytyrë dhe e njejta racë (stessa faccia, stessa razza).

ke.mu./b.ha.
Komento