Këndi i Ekspertit/ ‘Kushtet që duhet të plotësojë invalidi kur arrin moshën për të marrë pension’

Këndi i Ekspertit/ ‘Kushtet që duhet të plotësojë invalidi kur arrin moshën për të marrë pension’

Këndi i Ekspertit në Report Tv

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, si çdo të premte, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi. Në këtë emision Profesor Kepi ka sqaruar qytetarët për pyetjet e tyre të shumta që kanë mbërritur në redaksi si nëpërmjet letrave ashtu edhe live në Report TV gjatë emisionit me telefonata. Ekperti ynë ka sqaruar fillimisht se çfarë ndodh në rastet me gratë kur nuk kanë mbushur vitet e punës për të marrë pesnion si dhe nëse ekziston mundësia e transferimti të viteve të punës nga burri tek gruaja.

Në adresën tonë në Report TV ka ardhur një letër. Na shkruan një emigrant shqiptar nga Greqia: “Kam 38 vite punë dhe gruaja ime ka 14 vite punë. A mund t’i jap 2 vite punë gruas sime, për të plotësuar vitet që i mungojnë?”.
Raste të kësaj natyre ka shumë. Ka edhe raste kur gratë kanë më shumë vite pune. Deri në fund të këtij viti, burrat dalin në pension në moshën 65 vjeç dhe gratë në moshën 60 vjeçe e 8 muaj. E domosdoshme për të marrë pension, është që si femrat ashtu edhe meshkujt, duhet të kenë të paktën 15 vite punë të siguruara, përpara se të plotësojnë moshën për pension.

Në rastin konkret, burri ka 38 vite punë dhe për të marrë pension të plotë, i duhen 36 vite e 4 muaj. Pra, ai ka 1 vit e 8 muaj më shumë. Kurse gruaja e tij ka 14 vite punë. Pra, ka 1 vit më pak. Burri do të marrë pension të plotë sepse nga 36 vite e 4 muaj, ka 38 vite. Dhe legjislacioni i Sigurimeve Shoqërore thotë që sa më shumë vite pune të kesh, aq më i lartë del pensioni. Gruaja nuk i ka 15 vite punë. Normalisht, me ligjin që është në fuqi, nëse e zë mosha e daljes në pension me 14 vite punë, ajo nuk merr fare pension. Por, që të mos i shkojnë kot këto 14 vite, unë i sugjeroj që përpara se të plotësojë moshën për daljen në pension, ajo vetë kur të vijë në Shqipëri apo të afërmit e saj që jetojnë këtu, të bëjë edhe 1 vit sigurime vullnetare. Kështu, me 15 vite, ajo siguron një pension social.

Por zotëria pyet se a mund t’i kalojë ai nga vitet e tij të punës? Jo. Kjo gjë nuk mund të bëhet sepse nuk lejohet. Kështu që është e drejtë dhe më e mira që zotëria të marrë pensionin e tij për 38 vite punë dhe bashkëshortja e tij të paguajë sigurime shoqërore vullnetare për 1 vit dhe të përfitojë pensionin social. Për t’u siguruar vullnetarisht për një vit, nuk është e lartë pagesa e kontributit të sigurimeve shoqërore. Nëse ajo nuk paguan kontributin e sigurimeve shoqërore, zonja mbetet fare pa pension. As në moshën 70-vjeçare ajo nuk do të përfitojë pension. Edhe 14 vitet që ka i shkojnë tërësisht dëm. Për të përfituar pensionin social në moshën 70-vjeçare sepse zonja është emigrante sepse kushti i parë për të përfituar këtë pension është që të ketë moshën 70 vjeçe, gjë që ajo mund ta arrijë, dhe kushti i dytë është që 5 vitet e fundit të jetë me banim të përhershëm në Shqipëri. Por zonja banon në Greqi.

Flas nga Tirana. Kam gruan invalide që prej 15 vitesh. Tani që ka mbushur moshën për pension, ia kanë ndërprerë edhe invaliditetin sepse nuk i ka vitet e punës.
Nga 1 janari i vitit 2015 e në vazhdim, për të marrë pension invaliditeti, personi duhet të plotësojë dy kushte: e para, duhet të ketë punuar i siguruar në vendin tonë. Por sa duhet të ketë punuar? Llogaritet mosha e të sëmurit, minus 20, shumëzuar me 3/4. Sepse sëmundja nuk pyet për moshë. As aksidentet nuk pyesin për moshë. Atëherë po marr një shembull, për t’u treguar më i qartë: e zëmë se zonja është 50 vjeçe, ka punuar 20 vite dhe sëmuret. Sa vite pune i duhen për pension të plotë? Atëherë: 50 – 20 = 30, 30 x 3 = 90, 90 : 4  = 22 vite e 6 muaj punë të siguruar për të marrë pension të plotë.

Kushti i dytë është që 5 vitet e fundit, pra që nga viti 2013 e në vazhdim, duhet të ketë punuar 1 vit pune e siguruar. Ky kusht i dytë është shtuar, për herë të parë, me ligjin 104/2014, të datës 31 korrik 2014. Sigurimet Shoqërore janë krijuar për herë të parë në vitin 1947. Nga viti 1947 deri në fund të vitit 2014, nuk ka qenë ky kusht. Mjaftonte që të kishte punuar i siguruar në Shqipëri, qoftë në sektor shtetëror, qoftë në sektor privat, në ish-kooperativë bujqësore, por edhe i vetësiguruar në bujqësi. Dikush u bë shkak që ligji të ndryshonte dhe në fakt, u ka krijuar një vështirësi të madhe invalidëve. Pra, mund të kesh edhe 30 vite punë, por nëse nuk ke 1 vit punë të siguruar brenda 5 viteve të fundit, nuk përfiton pension invaliditeti për sëmundjet e përgjithshme.

Për mua, ky është një nen i kundërligjshëm, pra në kundërshtim me Kushtetutën. Si ka mundësi që për 1 vit, të shkojnë kot apo dëm shumë vite të tjera pune të siguruar, kur ligji thotë që personat që sigurohen, kanë të drejtë të marrin pension pleqërie, pension invaliditeti sepse nuk dihet se kur ndodh, edhe pension familjar. Unë e kam ngritur disa herë zërin për këtë problem dhe shpresoj që Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, e cila i trajton këto probleme, duhet që ta heqë menjëherë këtë nen. Për mua nuk është i drejtë.

Flas nga Tirana. Jam 65 vjeç. Gruaja ime ka punuar 10 vite në kooperativë bujqësore, 20 vite ka punuar në fermë shtetërore dhe 10 vite në bujk privat. Ka dalë në pension në vitin 2009. Pensioni i ka dalë 95.000 lekë të vjetër në muaj. A mund të më ndihmoni që të di arsyen sepse ka persona të tjerë që janë me të njëjtat kushte si gruaja ime dhe marrin pension 180.000 lekë të vjetër në muaj.
Nëse vitet e punës së zonjës i mbledhim thjesht: 10 në kooperativë bujqësore, 20 në fermë shtetërore dhe 10 në bujk privat, dalin gjithsej 40 vite pune. Me 40 vite punë është e pamundur që të dalë pensioni 95.000 lekë të vjetër në muaj. Atëherë, ka një arsye për këtë. Arsyen dhe shkakun zonja duhet ta gjejë te Drejtori i Sigurimeve Shoqërore të Tiranës.

Të nderuar qytetarë. Kur dorëzoni dokumentet për pension, dorëzoni gjithashtu librezën e punës. Sigurimet Shoqërore janë të detyruara t’ju japin një librezë pensioni. Shpesh nuk e japin. Herë japin një copë letër e herë nuk e japin. Zyrat janë të shtetit, punonjësit e Sigurimeve Shoqërore janë të shtetit dhe marrin rrogë në sajë të pensionistëve sepse nëse nuk do të kishte pensionistë nuk do të kishte as Sigurime Shoqërore. Ju sugjeroj që të mos dilni nga zyra e drejtorit. Kërkoni me ngulm librezën e pensionit. Lexojeni në çdo rresht. Aty shkruhet emri e mbiemri i personit, sa vite ka punuar dhe sa është shuma e pensionit. Ndodh që zonja mund të ketë punuar 10 vite në kooperativë bujqësore, por mund të ketë filluar punë para moshës 16 vjeçe dhe këto vite nuk i quhen vjetërsi pune. Mund të ketë 10 vite në kooperativë bujqësore, por 1 vit i plotë pune i quhet kur ka punuar 230 ditë në vit.

Deri në vitin 2009, kur ka dalë zonja në pension, kanë qenë të njëjtat kritere për daljen në pension, vetëm se atëherë nuk kërkoheshin 36 vite e 4 muaj punë për femrat, por më pak. Prandaj, bashkë me librezën e pensionit, unë sugjeroj që zonja të shkojë te Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore dhe ta kërkojë me shkrim se cila është arsyeja pse ka dalë kjo shumë pensioni. Drejtoria është e detyruar të kthejë përgjigje zyrtare, me shkrim. Në qoftë se zonja nuk bindet nga përgjigjja zyrtare e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, atëherë t’i drejtohet Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Flas nga Korça. Burri im ka dalë në pension në mars të vitit 2018. A përfiton nga skema e re e llogaritjes së pensioneve?
Po zonjë, përfiton nga skema e re, për arsyen sepse Vendimi i qeverisë nr. 571, datë 3 tetor 2018, firmosur nga kryeministri, z. Edi Rama, hyn në fuqi nga data 1 janar e vitit 2018. Të gjithëve ju pensionistë të nderuar, që keni dalë në pension nga data 1 janar 2018 e në vazhdim, ju janë rritur koeficientët e përllogaritjes së pensionit. Si rrjedhim, pensioni juaj do të jetë më i lartë. Gjithashtu do të përfitoni edhe shpërblimin prej 5.000 lekësh të rinj, që kryeministri u ka premtuar pensionistëve për festat e fundvitit.

Flas nga Bilishti. Jam 30 vjeçe. Kam 2 vite e gjysmë sigurime shoqërore dhe nuk dal dot në KEMP. Sa vite më duhen?
Zonjë duhet të plotësoni dy kushte. Ju jeni 30 vjeçe, atëherë llogaritja është kjo: 30 – 20 = 10, 10 x 3 = 30, 30 : 4 = 7,5, pra që të përfitoni pension të plotë ju duhen 7 vite e gjysmë. Zonja ka 2 vite e gjysmë dhe i takon të marrë 33% të pensionit të plotë. Por, zonjës i ka lindur e drejta për t’u siguruar që 16 vjeçe, pra duhej të kishte 14 vite, ndërsa ajo ka vetëm 2 vite e gjysmë. Zonja duhet të shkojë te Sigurimet Shoqërore në Korçë. Pension invaliditeti do të marrë, por ai do të jetë në masën 33% të pensionit të plotë.

Na shkruan një zotëri: “Jam 54 vjeç dhe i sëmurë me diabet, i cili më ka dëmtuar sytë. Nuk shoh. Në qershor më kanë dhënë një ndihmë prej 117.000 lekësh të vjetër, jo si invalid por e kam përfituar nga statusi i të verbrit. Kam marrë librezën e të verbërve, të grupit të dytë. A më takon të dal në KEMP me 12 vite punë, plus 1 vit që kam paguar sigurime 430.000 lekë të vjetër”.
Kategoria e personave që kanë lindur të verbër ose janë bërë të verbër pa filluar punë, nuk marrin pension sepse nuk kanë vite pune. Këta marrin pagesë paaftësie rreth 117.000 lekë të vjetër, dhe nëse KEMP-i ka vendosur që ky person ka nevojë për kujdestar, atëherë edhe kujdestari paguhet me këtë shumë. Këta paguhen nga bashkitë me fondet e administratës së shërbimit social dhe varësinë e kanë nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Përkrahjes Sociale. Në rast se personi është në punë dhe verbohet gjatë punës, ose jashtë punës, por ka disa vite punë të siguruar, atëherë ai merr pension nga Sigurimet Shoqërore.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm