Këndi i ekspertit/Fadil Kepi: Pensionet, Si mund të plotësojnë emigrantët vitet e punës

Këndi i ekspertit/Fadil Kepi: Pensionet, Si mund të plotësojnë emigrantët vitet e punës

Fadil Kepi në emisionin "Këndi i ekspertit" në Report Tv

Si çdo javë, në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli, eksperti për çështjet e pensioneve Fadil Kepi ka sqaruar qytetarët mbi problematikat e pensioneve. Profesor Kepi ka sqaruar me hollësi procedurën që duhet të ndjekin qytetarët shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë për të plotësuar vitet e punës në mënyrë që të përfitojnë pension edhe në vendin amë, veç vendit ku ata jetojnë. Po kështu eksperti ka sqaruar qytetarët edhe për disa problematika të tjera siç janë dokumentacioni i duhur për pension të veçantë apo për të invaliditetit etj.

Nga Çikago na shkruan zoti Armando Sakaj dhe na pyet: “A mund të bëj sigurime vullnetare në Shqipëri? Jam 41 vjeç dhe pasi mbarova shërbimin ushtarak në Tiranë, erdha në Amerikë për të jetuar me familjen”.

Së pari, sqaroj të gjithë emigrantët, kudo që jetojnë dhe punojnë, legjislacioni shqiptar i merr në mbrojtje për vitet që kanë punuar në Shqipëri dhe sigurohen vullnetarisht nga ata vetë kur vijnë në vendin tonë apo nga pjesëtarët e tjerë të familjes, u quhen vjetërsi pune për efekt pensioni. Zoti Armando, meqenëse është i ri, 41 vjeç, do të dalë në pension rreth moshës 65 vjeç dhe minimumi i viteve të punës për pension në vendin tonë është 15 vjet dhe për të marrë pension të plotë, kur ai të plotësojë moshën 65 vjeç, i duhen 40 vjet punë. Ai 2 vjet i ka sepse ka qenë ushtar. Këto i quhen vjetërsi pune për efekt pensioni. Në Shqipëri s’ka punuar. Ka të drejtë të bëjë sigurime vullnetare. Vlera e sigurimeve vullnetare, për t’u siguruar për vitet e kaluara, është 62.208 lekë të reja në vit. Nëse këtë shifër e pjesëtojmë me 12 muaj, i takon 5.100 lekë të reja në muaj. Në qoftë se ai dëshiron të sigurohet duke paguar paradhënie, për vitin 2019 i paguan këtë vit, deri më 31 dhjetor. Shumës prej 62.208 lekësh i bëhet një zbritje prej 6%, baras me 3.372 lekë të reja.

Po kështu mund të veprojë në vitin 2019 që të sigurohet për vitin 2020. Pra, atij i duhen edhe 24 vjet për të dalë në pension, duke paguar në këtë mënyrë, ai përfiton rreth 90.000 lekë të reja. Ndërsa po të sigurohet për vitet e kaluara do të paguajë shumë e plotë dhe nuk e përfiton këtë zbritje. Unë mendoj që ai të veprojë kështu. Ta shfrytëzojë këtë mundësi që ka, duke paguar nga 1 vit paradhënie. Kështu i bëhen 24 vjet punë dhe 2 që i ka, i bëhen 26 vjet. Kështu i afrohet viteve të punës për të përfituar 3/4 e pensionit. Në qoftë se nga ana financiare ai është në gjendje të mirë, ai mund të sigurohet edhe për vitet e kaluara. Në Amerikë ai punon i siguruar, kështu që do të marrë pension sipas ligjit amerikan. Atëherë i krijohet mundësia për të marrë dy pensione.

Jam invalide e grupit I, që nga viti 2007. Jam e datëlindjes 1960. Kur të mbush moshën për pension, sa muaj më shtyhen?

Ju sivjet jeni 58 vjeçe. Gratë sivjet dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 8 muaj. Vitin tjetër, gratë do të dalin në pension 60 vjeçe e 10 muaj. Në vitin 2020, gratë do të dalin në pension 61 vjeçe, ndërsa ju mbushni 60 vjeç. Ju do të dilni në pension në vitin 2022. Periudha që merrni pension invaliditeti të plotë ose të pjesshëm, ju quhet vjetërsi pune për pension, deri në ditën që plotësoni moshën për pension pleqërie. Ju doni ende kohë për të dalë në pension pleqërie, gati 4 vjet, dhe pas 4 viteve do të merrni ose pensionin e pleqërisë ose pensionin e invaliditetit, cila shumë t’ju dalë më e lartë. Gjithashtu do të vazhdoni të merrni edhe shtesën nga bashkia prej 3.300 lekësh të reja në muaj. Ju KEMPI-n e përsërisni çdo vit dhe në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore mund të merrni edhe sqarime më të hollësishme ose edhe te KEMPI në rrugën “Myslym Shyri”, ku janë tre mjekë shumë profesionistë dhe me eksperiencë edhe në fushën e legjislacionit.

Flas nga Tirana. Kam gjithsej 37 vjet punë. Kam punuar në minierë për 18 vjet, ku kam pasur trajtim të veçantë. Jam 63 vjeç. Dua të di se në çfarë moshe do të dal në pension?

Personat të cilët marrin trajtim të veçantë nga viti 2000 e në vijim, dalin në pension të plotë, sipas ligjit me nr. 150/2014, i cili thotë: “Kjo kategori e minatorëve të nëntokës del në pension të plotë në moshën 55 vjeç. Duhet të kenë gjithsej 30 vjet punë dhe nga këto, 11 vjet e 6 muaj nën tokë”. Në vitin 2000, me anë të një ligji të veçantë, përfituan trajtim të veçantë minatorët e nëntokës, të cilët kishin 23 vjet punë gjithsej dhe nga këto, gjysma e viteve, pra 11 vjet e 6 muaj, të kishin punuar nën tokë. Deri në mars të vitit 2001 dilnin në pension minatorët me 23 vjet punë, pavarësisht nga mosha, mjafton të kishin punuar 11 vjet e 6 muaj nën tokë. Ka pasur minatorë që janë trajtuar me trajtim të veçantë, të cilët kanë dalë në pension edhe 39 vjeç. Ju jeni 63 vjeç dhe unë çuditem se si ju nuk keni dalë në pension të plotë sepse i keni plotësuar kushtet qëkur. Ka që në vitin 2014, pra 4 vjet, që ligji ka hyrë në fuqi dhe zbatohet.

Ju lutem, bashkë me librezën e punës, do të shkoni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në zonën ku banoni. Nëse dilni në pension si minator i nëntokës në moshën 55 vjeç, me 30 vjet punë gjithsej, dhe 11 vjet e 6 muaj nën tokë, periudha e trajtimit të veçantë ju quhet vjetërsi pune që nga viti 2000, por jo nën tokë, por në sipërfaqe. Nuk keni të drejtë të punoni. Nëse punoni në sektor privat, pensioni ju ndërpritet. Ndoshta kjo është arsyeja që s’keni dalë ende në pension. Por, në qoftë se ju keni tokë në rrethin ku jetoni ose në rrethin ku keni lindur, keni të drejtë të merrni edhe pensionin edhe të ardhurat nga toka, mund të merreni me bujqësi, mund të merreni me blegtori. Por nëse punoni në sektor privat, dhe dilni në pension si minator i nëntokës, ju ndërpritet pensioni.

Flas nga Shkodra. Unë vetë jam 30 vjeç. Dëgjoj shumë persona që nuk gjejnë vitet e punës, u kanë humbur. Dua të di si mund t’i gjej unë vitet e mia të punës dhe ku shkojnë ato kur humbin, kush i merr? Dua të di se si t’i mbroj unë vitet e mia të punës?

Vitet e punës quhen që nga mosha 16 vjeç. Shënohen në librezën e punës. Shënohet aty kur ke hyrë dhe kur ke dalë nga puna me firmë dhe me vulë, se njeriu mund të ndryshojë disa vende pune. Kur transferoheni nga një qendër pune në një tjetër qendër pune, lexojeni mirë librezën e punës kur e merrni në dorë. Shikoni mirë nëse është vulosur në datën kur keni filluar punë në atë qendër dhe në datën kur jeni larguar nga puna. Pra, baza është libreza e punës.

Por, ka raste kur një sektor privat e ka plotësuar librezën e punës edhe me datën e hyrjes në punë edhe me datën e largimit nga puna, por nuk ka paguar sigurimet shoqërore. Ky nuk është faji i Sigurimeve Shoqërore, por as faji yt. Atëherë ç’duhet të bësh? Me librezën e punës, kur largohesh nga puna, merr asistencë. Edhe asistenca duhet shënuar në librezën e punës sepse quhet vjetërsi pune. Edhe koha e shërbimit ushtarak quhet vjetërsi pune. Në qoftë se ti je 30 vjeç, nuk ke bërë ushtri. Mund ta kesh paguar vitin e ushtrisë, por ai vit nuk të quhet vjetërsi pune. Vjetërsi pune ushtria quhet kur ke shërbyer atje ku të ka dërguar dega ushtarake. Pra, janë shumë të qarta këto. Për paqartësi dhe sqarime të tjera për veten tënde, por edhe për të afërm të tjerë, mund të shkosh në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër, ku punojnë specialistë me arsimin përkatës dhe me eksperiencë, prej të cilëve do të marrësh përgjigje për paqartësitë e tua.

Telefonoj nga Franca. Jam një qytetare e Republikës së Shqipërisë, por me vendbanim në Francë. Kam lindur më 28 tetor 1965, jam me vendbanim të përhershëm në Francë, kam nënshtetësinë franceze dhe në Shqipëri kam punuar në repartin e qilimave në Shijak. Librezën e punës e kam këtu. Kam punuar nga viti 1984 deri në vitin 1988. Është shënuar në librezë, me vulë të rregullt. Pyes: para vitit 1984 kam punuar në fermat e Sukthit, nga mosha 14 vjeçe deri në moshën 18 vjeçe, në punë sezonale, gjatë tre muajve të verës. A më quhet vjetërsi pune kjo periudhë? Nëse po, ku mund t’i gjej të dokumentuara këto vite?

Periudhë pune për pension quhet nga dita që ke mbushur moshën 16 vjeçe. Nga mosha 14 vjeçe deri në ditën që ke mbushur moshën 16 vjeçe, nuk të quhen vjetërsi pune për pension. Vjetërsi pune për pension quhet periudha kur vazhdon shkollën e lartë ditën. Për të gjetur vitet e punës, meqenëse fatmirësisht e paske librezën e punës, unë të rekomandoj që në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Sukth, atje ku ke punuar ti, ose mund të shkosh te Drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore në Durrës. Atje, specialistët do të thonë se sa vite pune të bëhen gjithsej. Për të marrë pension, aktualisht gratë në Shqipëri duhet të plotësojnë moshën 60 vjeçe e 8 muaj. Ti je 53 vjeçe. Pra, është ende shpejt që të marrësh pension.

Ti do të dalësh në pension rreth moshës 63 vjeçe e 6 muaj, ose më mirë të themi, pas 10 vjetëve. Minimumi i vjetërsisë për të përfituar pension në vendin tonë janë gjithsej 15 vite punë të siguruara. Jam i sigurt se do t’i gjesh. Deri tani nuk kam dëgjuar që një person të ketë punuar në fermën e Sukthit dhe të mos i ketë gjetur vitet e punës. Dhe, nga ana tjetër, në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Durrës, ka edhe juristë me eksperiencë, të cilët kanë vite që punojnë aty, dhe do të japin sqarimet e duhura. Në qoftë se nuk i plotëson 15 vite punë, edhe kur të plotësosh moshën për pension pleqërie, rreth 63 vjeçe e 6 muaj, nuk përfiton pension. Të lute, mundohu të bësh sigurime vullnetare. Më the që ke nënshtetësi franceze. Nga dita që keni lënë nënshtetësinë shqiptare dhe ke vetëm atë franceze, nuk ke të drejtë të bësh sigurime shoqërore vullnetare në Shqipëri. Por, ke të drejtë të bësh sigurime vullnetare nga dita që ke shkuar në Francë deri në ditën që ke lënë nënshtetësinë shqiptare. Pra, janë dy probleme që jam i sigurt që ti i di mirë. Kur të vish në Shqipëri, duhet të shkosh te Drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore në Durrës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pina Kova: 18/10/2018 17:58

    Pershendetje! Pike se pari duhet tju falenderoj per kohen qe na kushtoni dhe do tju isha shume mirenjohese nese do te me ndihmonit me pyetjen time. Une dhe bashkeshorti im jetojme ne Amerike qe nga 2004 dhe kemi marre qytetarine Amerikane. Une kam lindur ne vitin 1977 dhe nuk kam vjetersi pune ne Shqiperi. Bashkeshorti ka lindur ne vitin 1968 dhe ka mbaruar studimet e larta ne shqiperi. Ka punuar ne greqi per rreth 15 vite menjehere pas mbarimit te shkolles.(nuk e di nese eksiston mundesia e njohjes se viteve te punes ne greqi,nga shteti shqiptar apo jo)Tani po interesohemi se si mund te paguajme kontributet per sigurimet shoqerore ne shqiperi qe mund te perfitojme pension nga shteti shqiptar. Nese fillojme te pagujme kontributet e vitin 2019 dhe te vazhdojme ti paguajme ato rregullisht cila eshte mosha qe une dhe bashkeshorti do te perfitonim pesion dhe cila eshte sasia e lekeve qe mund te perfitojme pasi kemi kontibuar per 15 vite.

    Përgjigju
  • Milena Nikolli: 31/07/2018 12:30

    Pershendetje! Jam nje zonje nga Kruja. Dua te paguaj 10 vite sigurime per pension si bujk,nga viti 90 deri ne 2000.Ju lutem me sqaroni sa eshte tarifa per keta 10 vite,a eshte e njejte me vitin qe jemi tani?Me 384 Mije viti pasi dua te di pensioni si me del,i njejte me ata qe kane paguar 20 fish me pak? Mbetem me shprese qe do te me sqaroni..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës