POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Kërkesë urgjente nga Serbia dhe Rusia, Këshilli i Sigurimit mblidhet të hënën për Ushtrinë e Kosovës

Krijimi i Ushtrisë së Kosovës ka sjellë reagimin e Serbisë dhe Rusisë në OKB. Këto dy shtete kanë kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit, e cila do të mbahet të hënën në mbrëmje. Agjencia ruse e lajmeve njofton se Serbia me shumë gjasa do të përfaqësohet nga vetë presidenti Aleksandar Vuçiç.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, për të votuar draft-rezolutën e propozuar nga Partia Socialdemokrate, që ka të bëjë me parimet dhe udhëheqjen e pjesëmarrjes së Kosovës në dialogun me Serbinë. Në këtë dokument kërkohet që çdo marrëveshje eventuale me Serbinë të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës dhe se çështja e kufirit të Kosovës me Serbinë të mos vihet në diskutime.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit u vendos që të thirret të hënën në mbledhjen paraprake të së premtes në mbrëmje, ndonëse vendet anëtare ende nuk kanë vendosur nëse do të mbahet me dyer të hapura apo të mbyllura. Moska dhe Beogradi këmbëngulin për ta mbajtur të hapur mbledhjen, ndërsa nje grup vendesh perëndimore duan që ajo të mbahet me dyer të mbyllura. Kryesuesi i rradhës, që është Bregu i Fildishtë, vijon të negociojë me palët.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, John Bolton, përmes rrjetit social "Twitter" ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje sa më shpejtë të jetë e mundur.

Sa i takon raundit të ri të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, ende nuk është thirrur nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila e ndërmjetëson dialogun ndërmjet dy palëve në Bruksel. Por edhe Beogradi, pas vendosjes së taksës 100 për qind të mallrave serbe nga ana e qeverisë së Kosovës dhe pas miratimit të projektligjeve që transformojnë FSK në Ushtrinë e ardhshme të Kosovës, ka bërë të qartë se dialog nuk do të ketë së afërmi.

a.s./al.sp.
Komento