Ish-deputeti dhe njëherazi anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, Arben Imami, akuzon Lulzim Bashën se po shkel statutin duke thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar ditën e nesërme pa vendimin e Këshillit Kombëtar. Sipas Imamit, kjo mbledhje vjen në një kohë kur studentët protestojnë për të drejtat e tyre, ndërsa Basha duke vulosur përçarjen e PD, shtoi Imami, po u jep studentëve mesazhin më të gabuar nga forca politike që lindi prej të rinjve dhe rrëzoi regjimin komunist.   

Kuvendi Kombëtar i PD pritet të zgjedhë nesër strukturat e reja të selisë blu. 

Reagimi i plotë i Imamit:

Shqipëria është në një momënt delikat dhe deciziv për të ardhmen e saj.

Mijëra studentë dhe pedagogë prej 10 ditësh kanë mbushur sheshet e Tiranës dhe qyteteve të tjera universitare për shkak të krizës së plotë politike, ekonomike dhe sociale. Establishmenti korruptiv politiko- financiar që po drejton dy partitë e mëdha në vend, ka detyruar rininë e vendit të dalë në sheshe e të kërkojë me forcën dhe kurajon e së drejtës shpërbërjen e kësaj status quo-je. Si pedagog i lëvizjes studentore dhe bashkë themelues i Partisë Demokratike u bëj thirrje studentëve dhe pedagogëve të vazhdojnë pa ndalim rrugën e virtytit, dijes dhe dashurisë për vendin. Historia jonë na tregon se të drejtat fitohen.

Pikërisht në këto ditë z. Basha zgjedh të mbledhë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, në kundërshtim të hapur me statutin e propozuar dhe miratuar po prej tij. Kuvendi po mblidhet pa vendim të Këshillit Kombëtar, Kryesisë dhe në kundërshtim flagrant me frymën demokratike të një partie perëndimore që ka rrëzuar komunizmin. Ky Kuvend vulos frymën e përcarjes së Partisë nga baza në qendër. Një opozitë që drejtohet në mënyrë autoritare nuk jep shpresë për një Shqipëri demokratike dhe ky është mesazhi më i gabuar që Lulzim Basha po u dërgon studentëve në protestë dhe gjithë shoqërisë shqiptare.

Ndaj I bindur plotësisht në principet mbi të cilet e nisem këtë luftë për liri dhe demokraci, ju bëj me dije se pjesëmarrja ime në ate Kuvend do të ishte e pamoralshme.