Nga 1 prilli, 11.500 biznese të vogla në skemën e TVSH-së

Nga 1 prilli, 11.500 biznese të vogla në skemën e TVSH-së

Foto ilustruese

Nga dita e parë e muajit prill, në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) janë shtuar edhe 11.500 biznese të vogla, për herë të parë, në përputhje me ligjin e ri, të përfshirë në Paketën Fiskale 2018. Nga 5 milionë lekë xhiro vjetore, që ishte më parë, tani edhe bizneset që realizojnë vetëm 2 milionë lekë xhiro qarkulluese duhet të përfshijnë TVSH-në 20% në mallrat që shesin. 
Kjo nismë është kundërshtuar nga Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm që paralajmëron, jo vetëm falimentim të një pjesë të këtyre subjekteve, por edhe rritje të çmimeve nga ata që do të vazhdojnë t’i hapur qepenat. Ndërkohë, risqet e paralajmëruara hidhen poshtë nga administrata tatimore, e cila deklaron se bizneset e vogla nuk kanë rritje kostosh. Madje, për t’i mësuar që të plotësojnë librat e blerjeve, shitjeve dhe deklaratën e TVSH-së, Tatimet po iu ofrojnë bizneseve trainime. Atyre që nuk do të mund ta bëjnë vetë këtë proces, do t’iu duhet të paguajnë shtesë një ekspert kontabël. 
Duke u përfshirë në TVSH, këta tatimpagues ngarkohen tani me detyrimin që të fillojnë të mbajnë inventar, të marrin faturë tatimore për çdo blerje që bëjnë nga shitësit me shumicë apo prodhuesit direkt, si dhe të fiskalizojnë kasën. 

Të vegjlit

Xhiroja mesatare e një biznesi të vogël në Shqipëri është rreth 3 milionë lekë në vit. Të dhënat më të fundit nga anketa e ndërmarrjeve e Instat-it, që i takojnë vitit 2016, tregojnë se në Shqipëri janë afro 97 mijë biznese me një deri në katër të punësuar. Të gjitha së bashku, sipas të dhënave të anketimit, këto biznese kanë realizuar një xhiro prej afro 287 miliardë lekësh. Me një mesatare qarkullimi prej 3 milionë lekësh në vit, mund të supozohet se një pjesë e madhe e këtyre bizneseve janë regjistruar tanimë si tatimpagues të TVSH-së, sipas ligjit të hyrë në fuqi më 1 prill.
Vendosja e TVSH-së në teori do t’i bëjë më pak konkurrues bizneset që deri më tani nuk e paguanin këtë tatim dhe në shumicën e rasteve do t’i detyrojë të rrisin çmimet e shitjes. Megjithatë, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për aktivitet të tregtimit të mallrave, ekspertët besojnë se efekti në çmime nga vendosja e TVSH-së do të jetë shumë më i vogël se niveli prej 20% i tatimit, për shkak të zbritjes së TVSH-së në blerje.

Rreziku

Megjithatë, edhe pa hyrë në fuqi ky ligj, në tre muajt e parë të vitit (nga 3 janari deri në 30 mars) konstatohet se kanë kaluar në status pasiv 3.652 biznese. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ka një rritje të ndjeshme me 45% të subjekteve të mbyllura. Në tre muajt e parë të një viti më parë, numri i subjekteve të mbyllura ishte 2.523. Ndërsa, në krahasim me tre muajt e parë të 2016-s, numri i subjekteve që kanë kaluar në pasivitet është dyfishuar.
Rritja e numrit të bizneseve të mbyllura lidhet me pasojat e krizës, por edhe me uljen e shpallur të pragut të TVSH-së, nga 5, në 2 milionë lekë, efektiv që nga 1 prilli. Tatimet njoftuan pak kohë më parë se është konstatuar shtimi i numrit të aplikimeve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për çregjistrim apo pezullim të aktivitetit, nga tatimpagues që janë penalizuar për shkelje të ndryshme nga administrata tatimore, që kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore si dhe tatimpagues të cilët, për herë të parë, hyjnë në skemën e TVSH-së dhe regjistrime të menjëhershme në po të njëjtën njësi nga persona të lidhur me tatimpaguesit që e zotëronin më parë këtë aktivitet.

Tatimet

“Do të duhet të bëjë kujdes, të ketë faturë për çdo mall që blen, të lëshojë faturë për çdo mall që shet, të lëshojë kupon tatimor për çdo mall që shet për konsumatorin final, kaq është e gjithë historia tani për tani. Administrata tatimore i ka të gjitha kapacitetet, të gjitha mundësitë që të menaxhojë të gjithë procesin si duhej”, është shprehur Xhavit Curri, nëndrejtor i përgjithshëm i Tatimeve.
Deklarimin e pare, bizneset që do përfshihen në TVSH do të duhet ta bëjnë në korrik, pasi do të jetë çdo tre muaj. Duke filluar nga korriku i këtij viti, ata do të duhet të plotësojë deklaratat e tyre të TVSH-së, do të duhet të plotësojnë librat e tyre të shitjes dhe blerjes. “Është një proces jo shumë i ndërlikuar. Tashmë biznesi është familjarizuar me këtë mënyrë deklarimi sepse listë-pagesat gjithashtu deklarohen një herë në tre muaj siç do të deklarohet dhe tatimi mbi vlerën e shtuar”, deklaron Curri.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, Ali Ahmeti: Kemi siguruar 19 mandate

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, Ali Ahmeti: Kemi siguruar 19 mandate