Polemika/Drejtoria e Markave kërcënon mediat me padi gjyqësore për konfliktin e B-52

Polemika/Drejtoria e Markave kërcënon mediat me padi gjyqësore për konfliktin e B-52

Pijet B52, origjinalja dhe të falsifikuarat

Drejtoria e Markave dhe Patentave (DPPI) kërcënon me ndjekje gjyqësore mediat, të cilat po investigojnë lidhur me luftën e markave që ka shpërthyer rreth pijes energjike B-52 dhe, pa përgënjeshtruar asnjë nga informacionet e publikuara, pretendon se lajmet mbi atë investigim duhet të fshihen. Në një postim të shpërndarë vetëm në Facebook dhe që i drejtohet kështu gjithë shtypit shqiptar, pa saktësuar konkretisht se kush ka publikuar informacione të pasakta, DPPI tregon se nuk i pëlqen gazetarët që merren me një ngjarje, e cila, jo vetëm që iu intereson mijëra konsumatorëve, por edhe që mund të përfshinte përgjegjësi të drejtpërdrejta të drejtuesve të DPPI dhe anëtarëve të bordit të tij të apelimit. Një prej të cilëve, në mënyrë të çuditshme, është edhe avokate e kompanisë holandeze Bavaria, e cila, në konfliktin me konkurrenten Arseni shpk lidhur me pronësinë mbi markën B-52, deri tani gjithnjë ka marrë vendime favorizuese pikërisht nga bordi i apelit i DPPI-së, të cilat më pas janë rrëzuar nga gjykatat.

(Pija energjitike B-52 marka e regjistruar ligjërisht në Shqipëri nga “Arseni shpk”)

(Pija energjitike që shitet me markë të paligjshme në Shqipëri nga kompania holandeze)

Por DPPI, në vend që të japë sqarime lidhur me këtë skandal dhe me fakte të tjera të çuditshme që kanë dalë nga investigimet gazetareske, kërcënon se do t’i denoncojë në gjykatë mediat që po merren me këto. ”Mediat nuk kanë asnjë të drejtë të keqpërdorin detyrën dhe misionin e tyre për informimin e opinionit publik, me lajme të pavërteta apo të shtrembëruara, për interesa të ngushta personale -shkruan DPPI në Facebook - Në këto kronika vërehet mungesë totale e etikës nga ana e këtyre mediave, të cilat devijojnë nga misioni i tyre për informimin e publikut dhe janë në shkelje të parimeve themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive, të përcaktuara në ligjin, në të cilin veprimtaria e transmetimeve audiovizive siguron informim objektiv dhe të paanshëm të publikut, duke paraqitur në mënyrë të saktë faktet dhe ngjarjet, si dhe duke respektuar formimin e lirë të opinionit (...). DPPI u kërkon mediave, të cilat kanë transmetuar këto kronika të pavërteta, keqinformuese dhe në kundërshtim me ligjin për informimin, t’i heqin ato. Përsa më sipër, DPPI do t’u drejtohet organeve kompetente, për të siguruar vënien para përgjegjësisë të personave dhe mediave, të cilat, nisur nga interesa të ngushta personale, hedhin baltë, në mënyrë të qëllimshme, mbi figurën e titullarit dhe dëmtojnë imazhin e institucionit”. Se kush janë ''lajmet e pavërteta, keqinformuese dhe në kundërshtim me ligjin për informimin'', këtë DPPI nuk e shpjegon. Por kërkon, në mënyrë absurde dhe abuzive, të fshihen të gjithë artikujt dhe kronikat e transmetuara.

Konflikti mes firmave Bavaria dhe Arseni shpk lidhur me pronësinë e markës B52 ka nisur 10 vjet më parë: Arseni shpk ka regjistruar markën në Shqipëri më 2008, gjashtë muaj më parë nga Bavaria, e cila e kishte regjistruar vetëm për Holandën, Belgjikën dhe Luksemburgun. Pra, sipas konventave ndërkombëtare dhe ligjeve shqiptare, Arseni shpk është pronari i markës B52 për Shqipërinë, ndërsa DPPI i kishte dhënë të drejtë Bavarisë. U deshën shumë vite procesesh gjyqësore për të mbërritur në një vendim të parë nga Gjykata e Lartë, të vitit 2016 dhe një të dytë më 2017, me të cilat përfundimisht çështja konsiderohet e mbyllur dhe të cilat i njohin Arseni shpk ekskluzivitetin e plotë të markës B-52 për Shqipërinë. Por, ndërkohë, kompania holandeze Bavaria ka hedhur në treg dy pije të tjera energjike, nënë emrin ''852'' dhe ''8S2'', që janë krejtësisht identike, në markë dhe grafikë, me B-52-shin, duke krijuar konfuzion tek konsumatorët dhe duke u përpjekur të shmangë ndalimin e gjykatave për të tregtuar pijen B-52. Por, DPPI edhe një herë duket se mban anën e Bavarisë. Dhe kështu, u zbulua se avokatja Mirela Malka, anëtare e bordit të apelimit të DPPI-së, që vendos në raste të konflikteve si tillë, në të njejtën kohë është edhe avokate e kompanisë Bavaria. 

Në letrën e saj të publikuar në Facebook, Drejtoria e DPPI-së nuk jep asnjë shpjegim mbi konfliktin e interesit të avokates Mirela Malka, por konfirmon se, pas vendimeve të Gjykatës së Lartë të viteve 2016 dhe 2017, marka B52 iu hoq firmës Bavaria, por nuk thotë asgjë lidhur me atë se pse këto dy vendime kanë përgënjeshtruar krejtësisht qendrimin e Drejtorisë së Markave,e  cila, në të kundërt, ishte shprehur në favor të kompanisë Bavaria.

DPPI nuk thotë asgjë as lidhur me atë se si është e mundur që firmës Bavaria i lejohet sot e kësaj dite të tregtojë në tregun shqiptar dy pije energjike identike me B-52-shin e ndaluar, ndërkohë që dyqanet janë ende plot edhe me kanaçe B-52 të prodhuara nga Bavaria, për të cilat gjykata ka ndaluar importin dhe tregtimin.

Elvin Lako, drejtor i përgjithshëm i Patentave dhe Markave, i filmuar nga një gazetare e programit Fiks Fare me kamera të fshehtë, u përpoq të shpjegojë (pa e ditur se po regjistrohej) se është në siklet përballë Bavarisë, pasi qeveria holandeze kërcënon se do të bojkotonte anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ja biseda e regjistruar:       

Unë e kam problem këtë, se kjo B52-shi është ankuar qeveria holandeze, qeveria jonë ka qenë shumë e ndjeshme ndaj kësaj. Madje, ato (qeveria holandeze) thanë atëherë se do të kushtëzojnë dhe negociatat e BE-së, hyrjen dhe anëtarësimin në BE të Shqipërisë.

Ervin Lako, Kryetar i bordit të DPPI

 

GAZETARJA: Për B-52?
 

Po. Ka ardhur me letër nga kryeministri, që qeveria holandeze i ka vënë kusht Shqipërisë, që ndjekjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Atë logo që është shprehur Gjykata e Lartë. Unë kam siklet si do t’ia bëj kur të më thërrasë mua qeveria holandeze; dmth, i them unë: Kam zbatuar vendimin e gjykatës. 

Ervin Lako, Kryetar i bordit të DPPI

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hxhxhhx: 31/03/2018 09:17

    Mire e kane. Te paguar jeni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës