Janë testuar sot në mesditë, sportelet të cilët do të shërbejnë për pagesën e taksës së Rrugës së Kombit. Duke nisur nga java e ardhshme çdo automjet që do të kalojë në Rrugën e Kombit do të paguajë një tarifë që varion nga 2.5 deri në 22.5 euro.

Ndërkohë që janë bërë gati 4 sportele, nga dy për çdo kah të lëvizjes, koncesionari duke nisur nga sot është në fazën e testimit të sistemit nga ana teknike. Kjo do te vazhdoje deri javën e ardhshme. 

Një vendim i tillë për tarifën e makinave, sipas ministrisë vjen për rritjen e sigurisë në rrugë, pasi kompania parashikohet që me fitimet ta mirëmbajë. Taksimi ishte menduar që të fillonte më herët, por pas testimit të sporteleve është vendosur që tarifimi të nisë javën e ardhshme.

Ministria e Infrastrukturës deklaron se për 30 vite koncesionari do të përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë autostradën. Kujtojmë që më parë vendimi për dhënien me koncesion për tarifimin e rrugës është kundërshtuar nga banorët e Kukësit.

Tarifat nga java e ardhshme për të kaluar në Rrugën e Kombit
Klasa 1 motor - 2.5 euro
Klasa 2 veture - 5 euro
Klasa 3 autobus & kamioncine - 11.2 euro
Klasa 4 kamion i mesem - 16.2 euro
Klasa 5 kamion i rende - 22.5 euro


Gjiknuri: Koncesionari do ta mirëmbajë autostradën
Ministria e Infrastrukturës ka reaguar lidhur me vendosjen e tarifës për të kaluar në “Rrugën e Kombit”. Në një deklaratë për mediat, Ministria e Infrastrukturës shpjegon se për çfarë do të shërbejë kjo taksë dhe si do të funksionojë.

"Në Marrëveshjen e koncesionit, datë 6.12.2016 “Për ndërtim, përmirësim, shfrytëzim, mirëmbajtje të Autostradës Milot Morinë”, miratuar me VKM nr.870, datë 14.12.2016 “Për miratimin e kontratës se koncesionit, “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot – Morine”, ndërmjet Republikës se Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe Konsoriumit “Catalyst Viva Das General Contracting, LLC-Salillari shpk - Bee Tech-Violiap Ateve – Kastrati sh.a., ndër të tjera parashikohet se: Koncesionari përdor një shesh me dy kahe për pagimin e taksës ne afërsi të tunelit të Thirrës dhe Koncesionari mbledh dhe mban të ardhurat nga taksa e rrugës. Objektivi kryesor i këtij projekti Koncesion/PPP i punimeve dhe shërbimeve është përmirësimi i Autostradës dhe shfrytëzimi dhe mirëmbajtja efikase e saj.

Koncesionari do të përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë Autostradën sipas një pakete të paracaktuar të standardeve të performancës për një periudhë 30 vjeçare të koncesionit. Taksa e rrugës karakterizohet dhe taksohet sipas përllogaritjes se klauzolës se kontratës se koncesionit, në varësi të klasës së automjetit në bazë të klasifikimit të Automjeteve" thuhet ne deklaraten e ministrise.