Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar orët e vona të mbrëmjes së djeshme në një lokal nate në Dhërmi, 37 km nga Vlora. Mësohet se disa të rinj janë konfliktuar dhe kanë qëlluar me armë në ajër, pas një sherri në ambientet e një disko mjaft të njohur në jug të vendit. 

Report Tv mëson se ngjarja ka ndodhur brenda në disko "Havana" në zonën e plazhit, mjaft e frekuentuar kryesisht nga të rinjtë dhe jo vetëm, gjatë sezonit turistik. Gjatë sherrit, klientët kanë ikur me vrap të alarmuar dhe për pasojë disa prej tyre janë lënduar nga gotat dhe shishet e thyera. Pak orë pas ngjarjes, policia ka arrestuar autorin e të shtënave, Emiljano Nina, 23-vjeç. 

Përplasja me armë ka shkaktuar panik edhe te turistët të cilët kanë zgjedhur Dhërmiun për të pushuar, ndërsa ngjarje të tilla vënë në pikëpyetje sigurinë në zonat turistike, pavarësisht masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e sezonit. 

Report Tv siguron pamjet/Çfarë la pas përplasja me armë zjarri
Shishe, gota e karrige të thyera. Report Tv siguron pamjet se çfarë la pas përplasja me armë zjarri te disko ‘Havana’. Siç duket edhe nga video, sherri brenda diskos ka qenë masiv dhe ka kthyer përmbys gjithçka brenda ambienteve të diskos. Klientët kanë parë tmerr me sy dhe janë larguar të alarmuar për t'i shpëtuar plumbave. 

Policia: Arrestuam autorin, s'ka persona të lënduar nga të shtënat
Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në disko 'Havana', duke arrestuar autorin që terrorizoi qytetarët dhe pushuesit me armë zjarri. Në pranga ka rënë 23-vjeçari Emiljano Nina, i cili ka qëlluar katër herë me pistoletë, pas një sherri me një person tjetër, për motive të hershme.

Arrestohet autori që qëlloi në ajër me armë zjarri gjatë një konflikti në një lokal. Sekuestrohet arma e zjarrit Pistoletë. Strukturat Policore të Komisariatit të Policisë Himarë në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për zbardhjen e ngjarjes së sotme të ndodhur në Dhërmi, kanë bërë të mundur dokumentimin e saj.

Nga veprimet e para të kryera ka rezultuar se në një lokal shtetasi Emiljano Nina është konfliktuar për motive të dobëta (të hershme) me një tjetër shtetas e për pasojë konflikti ka agravuar më tej, ku shtetasi Emiljano Nina ka shtënë 4 herë me armë zjarri në ajër. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Në përfundim të veprimeve hetimore është kryer arrestimi në flagrancë i autorit, shtetasit Emiljano Nina, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Po në kuadër të veprimeve të kryera është bërë e mundur dhe gjetja e sekuestrimi armës së zjarrit pistoletë me dy fishekë. Materialet hetimore do t'i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale ''Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit'', ''Prishja qetësisë publike'', parashikuar nga neni 278 dhe 274 të Kodit Penal.

Thuhet në njoftimin e policisë

Ngjarja në disko "Havana" në Dhërmi vjen pas plagosjes me armë zjarri në disko "Mango" në Sarandë në fillim të muajit qershor, ku u qëllua me armë zjarri truproja, Ardian Rako, 31-vjeç. Edhe aty protagonistë ishin disa të rinj të cilin u përfshinë në një sherr me njëri-tjetrin dhe për rrjedhojë pati të shtëna me armë zjarri. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:26
Qëlloi 4 herë me armë në disko ‘Havana’/I arrestuari protagonist i vrasjes së bujshme në Tiranë (Emri)

Emiljano Nina është 23-vjeçari që u arrestua sot nga policia për të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e kaluar brenda disko “Havana” në Dhërmi. Ngjarja ndodhi pas një sherri mes një grupi personash në një kohë kur lokali i natës ishte mjaft i populluar. 

I riu i arrestuar është një personazh i njohur për policinë. Ai ka qenë i ndaluar si bashkëpunëtor në një vrasje të bujshme në kryeqytet, krim i ndodhur në vitin 2015.

Në Linzë të Tiranës u vra në ambientet e një parkingu Enton Nikaj dhe një nga autorët e dyshuar ka qenë pikërisht Emiljano Nina, atëherë 20-vjeç, krahas tre të tjerëve. Nuk është e qartë se si ai ka lënë qelitë e burgut ku ka qenë i dënuar si bashkëpunëtor në krim.

Ora 11:31
'Në lokal kishte prindër me foshnja e gra shtatzëna'/Gazetari rrëfen tmerrin te 'Havana': Mu duk vetja si në luftë!

Gazetari Erion Dushi ka qenë i pranishëm te disko 'Havana' në Dhërmi ku ndodhi përplasja me armë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale ai rrëfen tmerrin që ka përjetuar, ndërsa paralajmëron se s'do shkojë kurrë më në atë vend.

Ai shkruan në Facebook se në lokal kishte prindër me foshnja, si dhe një vajzë shtatzënë. Ndërsa në momentin që nisi konflikti i armatosur Dushi tregon se si njerëzit të shokuar mundoheshin të fshiheshin nëpër tavolina.

Unë gjendesha një tavolinë larg sherrit që degjeneroi në përdorim arme dhe shihja vetëm njerëz të tmerruar që përpiqeshin të gjenin strehë përfshi dhe mua. Mu duk vetja sikur isha në luftë ku e vetmja gjë që më shkonte në mendje ishte nëse isha plagosur kund teksa prekja trupin për njolla të mundshme gjaku. Mu kujtua filmi “the kingdom” teksa vrapoja rrugicave mes lokaleve dhe terhiqja pas vetes miken time të shokuar që ende dridhej dhe më kërkonte mos të rendnim pas turmës.

Erion Dushi, gazetar

Ora 11:18
'Pamë tmerr me sy! Gjak kudo, njerëzit vraponin'/'Turisti dixhital' i shkruan Berishës për ngjarjen te disko 'Havana'

"Pamë tmerr me sy! Gjak kudo dhe njerëzit që vraponin"! Ky është mesazhi që ka publikuar ish-kryeministri Sali Berisha në Facebook, duke iu referuar denoncimit të "turistit dixhital" i cili pretendon se ka qenë dëshmitar në vendin e ngjarjes. 

Ndodheshim në Havana klub në Dhërmi ku nje sherr banal mes të “fortëve” degjeneroi me të shtëna armësh dhe njerëz të plagosur. Kemi  parë tmerr me sy! Gjak kudo dhe njerëz që vraponin kudo. Ka zgjatur më shumë se 10 minuta dhe ngjante me një akt terrorist. Nuk kishim ku fusnim kokën për shkak të ambjentit të hapur. Ka pasur më shumë se 5 të shtëna dhe strukeshim ku të kishim mundësi madje duke shtypur dhe njëri tjetrin. Policia jonë mediokre erdhi 10 minuta pasi kishte mbaruar çdo gjë në këmbë dhe ambulanca pas gjysmë ore. Dhe ka pasur të plagosur. Në lokal askush s’bëri kontroll fizik dhe asnjë lloj pyetje perveçse a keni rezervuar? Këto janë pushimet tona të sigurta dhe me kujtime të bukura. Kjo  është policia dhe shteti që duam. 

Mesazhi i publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha