Ylli Pata: Si u kthye Beleri nga 'kalë troje' në lodër politike

Ylli Pata: Si u kthye Beleri nga 'kalë troje' në lodër politike

Athina zyrtare ka pasur që nga krijimi i shtetit të saj, një qasje gjeostrategjike në marrëdhëniet me Shqipërinë. Qasje, që deri para rënies së komunizmit, bazën e kishte tek “ligji apo gjendja e luftës” me fqinjin verior.

“Gjendje” që ktheu në ideologji dhe atmosferë, një masë të madhe të logjikës dhe mënyrës së mendimit e veprimit në zonat e Greqisë veriore në kufi me Shqipërinë.

Greqia, përveç një vend i NATO-s, është edhe një shtet mjaftueshmërisht ushtarak. Vetëm në vitin 2023, Greqia është në krye të listës së vendeve të NATO-s që kanë shpenzuar më shumë për ushtrinë. Përkatësisht zë vendin e tretë pas Polonisë dhe SHBA, ku sipas të dhënave zyrtare ka shpenzuar 3,2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto që shkon në 330.579 miliard dollar sipas faktbook, të CIA-s.

Një qasje e tillë permanente, e ka bërë fqinjin tonë të jugut, një fuqi e rëndësishme me një kapacitet të aparatit të sigurisë, të një niveli të lartë. Me një bollëk burimesh, fushash veprimi e mundësi manovrimi tejet të madh. Po sipas CIA faktbook, personeli aktiv i ushtrisë greke është 120 mijë persona.

Pra, mundësitë e sasitë e një aparati brenda forcave të sigurisë, që i janë kushtuar Shqipërisë, që nga kapaciteti i arsenalit ushtarak, e mbi të gjitha një staf superkompetent i njësive të shërbimeve inteligjente. Të cilat bëjnë strategjitë, analizat, parashikimet dhe skenaret e mundshme, për t’ja dhënë elitës politike për të vendosur.

Gjatë kohës kur në Athinë drejtonte qeveria e Alexis Tsipras, pra e së të majtës, që kishte një aleancë me një parti të djathtë ekstreme, ministri Mbrojtjes i kësaj partie, shpesh bënte demonstrim forcash ushtarake në kufi me Shqipërinë.

Që ishte natyrisht një demonstrim politik, megjithatë, si demonstrim tregonte kapacitetet për fuqinë shtetërore të fqinjit verior.

I cili, në vitet e para pas rënies së komunizmit, tentoi të vendosë një hegjemoni ekonomike jo vetëm në Shqipëri, por edhe vende të tjera të rajonit. Nga nafta tek çimentoja, nga telefonia e lëvzshme deri tek furnizimet teknologjike kontrolloheshin nga kompani greke.

Të cilat u rrëzuan si kështjellë rëre pas krizës së tmerrshme të vitit 2008, e tani mbi gjithë atë hegjemoni thuajse nuk ka mbetur asgjë.

Nga 1990 deri në vitet 2000, Athina nuk ka përdorur apo nuk i ka shkuar ndër mend të përdorin personazhe të tipit të Fredi Belerit.

Influenca soft e Athinës ishte zgjeruar aq shumë, sa PBDNJ-ja e kohës para Dules merrte deputetë që nga Korça e deri në qytetin e Vlorës apo zonat pranë saj ku banon komuniteti kulturor vlleh.

PBDNJ-ja e Vasil Melos, kishte brenda saj përveç minoritetit etnik grek, edhe vllehët, malazezët e Vrakës, apo edhe komunitete të tjera. Kjo e bëri këtë parti një komunitet më i ekspozuar politik, por jo shumë të dobishëm për Athinën, e cila nisi zbatimin e planit strategjik të marrjes së Himarës.

Plan, që duket nuk është përkrahur nga grupi i atëhershëm politik i PBDNJ-së, e më pas çoi në ardhjen e Vangjel Dules, i cili më shumë se me qarqet politike të Athinës, kishte marrëdhënie të mira me Kishën Ortodokse greke dhe atë shqiptare, ku kishte nisur karrierën.

Ishte pas viteve 2000 kur grekët, nisën aktivizimit të planit të tyre për ta bërë Himarën, një territor minoritar.

Pasi dështuan në zgjedhjet e vitit 2000 e 2003, gjithçka mori formë në vitin 2007, kur Vasil Bollano u zgjodh kryetar i bashkisë Himarë me mbështetjen direkte e të fortë të Sali Berishës. Dihet tashmë aktiviteti i Bollanës, që e ktheu Himarën në një qytet ku të mbash flamurin kuqezi quhej herezi.

Ndërsa në qytetet e veriut të Greqisë ke Flamur grek thuajse në çdo shtëpi, institucion, lokal apo edhe ndërtesë kompanie, në fshatrat e bashkisë Himarë, simboli kombëtar shqiptar po humbte. Kush e bënte këtë, si familja e Lefter Çipës për shembull, kthehej direkt në një armik dhe luftohej nga OMONIA.

E cila u kthye në kuzhinën politike të PBDNJ-së, derisa e zbrazi fare. Sot PBDNJ-ja është vetëm një strehë logjistike, pasi edhe në njoftimet për shtyp, gjithçka hartohet e shpërndahet nga OMONIA.

E cila është organizata që ka një lidhje direkte me qarqet e “shtetit të thellë” në Greqi, e që përbën një detashment shumë të fuqishëm. E pikërisht ky “Shtet i thellë”, me humbjen e Vasil Bollanos në 2007-n, si pasojë e fitores së Jorgo Goros, nxorri në skenë kartën e Fredi Belerit.

I cili erdhi nga Greqia dhe nisi aktivitetin politik si shef i OMONIA-s, duke e lënë në hije çdo politikan të PBDNJ-së dhe vetë Vangjel Dulen.

Pas viteve 2000, ambasadorë të Greqisë në Tiranë, kanë ardhur pikërisht prej strukturave të detashmentit të sigurisë së shtetit fqinj. Pjesa më e madhe e këtyre diplomateve, vinin nga aktivizimi direkt në shërbimet inteligjente helene. Të cilat merren në vite e vite me dosjen “Shqipëria”.

I gjithë aktiviteti diplomatik i Athinës në Tiranë, ka lënë pas dorë të gjithë zonën e influencës që krijoi me soft power-in ekonomik të 10-15 viteve të para të tranzicionit, për operacionin e bërjes së Fredi Belerit, kryetar të bashkisë së Himarës.

Plani strategjik është krijimi i një “Kalë Troje” të Greqisë në Himarë, nga ku do të dalin pastaj arsenalet e një sërë skenarësh edhe më të plotë e të sofistikuar të “Deep State” grek, i cili konsiderohet ndër më të fuqishmit në rajon.

I aftë të përdorë kapacitete logjistike, kibernetike e teknologjike, për të krijuar luftra hibride dhe proxy që kanë mbirë si kërpurdhat pas shiut gjithë këto vite.

Portale që mbjellin një urrejtje për të gjithë ata që konsiderohen kundërshtarë, që etiketohen si proturq e tradhtarë.

Ishte pikërisht kjo infrastrukturë e fortë që ka edhe mbështetje të rëndësishme mediatike në Tiranë, por edhe politike siç u pa me Sali Berishën dhe Ilir Metën, që në vite kanë krijuar të ashtuquajtur komitete pronash apo grupe aktive njerëzish që bërtasin, vetëm për të fshehur dobësinë numerike në votat që kanë në territor.

Janë ata njerëz që bënë zhurmën e madhe në këshillin bashkiak të Himarës para pak kohësh, që kishin detyrën dhe objektivin për të ndaluar zgjedhjen e një kryetari të ri të përkohshëm të bashkisë.

Projekt që dështoi me sukses. Ne tani kemi një kryetare të re të bashkisë së Himarës, që mori votat e shumicës së këshillit bashkiak, madje edhe të opozitës atje. Ç’ka e ka djegur realisht planin e “Kalit të Trojës”.

Fredi Beleri kur të dalë nga burgu në gusht, do të jetë i pamundur për të rikandiduar për kryebashkiak, siç dhe është i ekspozuar për të drejtuar sërish “guerriljen politike” të OMONIA-s.

Ai është një lojë politike mes Tiranës dhe Athinës, deri në një kohë të dytë që duhet për të rimëkëmbur marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ndërkaq, nesër, kur Qirjako Micotaqis do të jetë në Ankara duke takuar Rexhep Taip Erdoganin, Edi Rama në Athinë me shqiptarët e Greqisë.

Të cilët janë realisht një burim nga më të çmuarët për vendin fqinj. Ata përbëjnë një fuqi të rëndësishme numerike, demografike, pse jo edhe strategjike.

Shqiptarët e Greqisë, janë një komunitet që edhe pse mjaft kanë lëvizur në Perëndim nga atje, 70 ose edhe më shumë e tyre që janë integruar tashmë, janë një forcë super e aftë për punë dhe zhvillimin e vendit fqinj. i cili në renditjen e fundit, ishte gati si Italia për nivelin e plakjes dhe rënies së forcës së aftë për punë.

Shqiptarët e Greqisë janë në një pjesë të madhe të tyre intelektualë të dorës së parë që jetojnë e punojnë atje, janë profesionistë të rëndësishëm në mjaft sektorë. Mjafton të shikosh kronikat në vite të shkollave greke ku një numër i madh fëmijë të emigrantëve tanë, ngrinin flamurin helen, ngaqë ishin më të mirët në shkollë.

Në talentshow-t në Greqi shqiptarët janë shpesh fituesit e mëdhenj, ku edhe vendi është përfaqësuar me to në konkurse e gara ndërkombëtare. E ajo që është më e rëndësishmja, shqiptarët në Greqi kanë atë numër të madh të rinjsh, që janë një nga “mallrat” më të çmuara për shoqërinë dhe ekonominë greke. E cila vetëm defiçitin e borxhit të jashtëm e ka 237 përqind të Prodhimit të Përgjithshëm Brutto.

Me një fjalë, shqiptarët e Greqisë janë një fuqi më bio, më e fisme, e natyrisht më efikase sesa kuajt e trojës që prodhohen në inkubatorët e nëntokës së shërbimeve inteligjente.

Deri tani shqiptarët e Greqisë, nuk janë aktivizuar fare në debatet e ndezura mes dy vendeve. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në fund të viteve 90 të shekullit të shkuar, kur në Athinë qeveriste babai i Qirjakos, Kostandin Micotaqis, e kishte aleancë të ngushtë me Milosheviçin, Mladiçin e Karagjiçin, shqiptarët ndezën opinionin publik helen duke mbrojtur Kosovën.

E imagjino, ata përfaqësonin vetëm brezin e parë, atë të shkolluar në Shqipëri. Sot kanë fëmijë e nipa që kanë kapur katedra nga më të larta të elitës greke./Tema

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket investigimi i Rai 3 për Shqipërinë?



×

Lajmi i fundit

'Shqiptarët ndajnë bukën me ty', Sylvinho për UEFA-n: Me punë mund të jemi surpriza e Euro 2024

'Shqiptarët ndajnë bukën me ty', Sylvinho për UEFA-n: Me punë mund të jemi surpriza e Euro 2024