Xhafaj fjalim ‘lamtumire’ me vartësit e tij: Kanabisin e kthyem në histori suksesi, goditëm të fortët

TIRANË- Ministri i Brendshëm në largim, Fatmir Xhafaj, ka folur për herë të parë për arsyet e largimit. Në një fjalim përshëndetës nga Ministria e Brendshme, Xhafaj ka thënë se është larguar vetë. Xhafaj tha se ka patur një mbështetje nga grupi parlamentar, por nuk harroi të thotë se përballë tij, ka qenë llumi i politikës.

“Po largohem nga detyra në mënyrë të paimponuar. Sulme të egra të orkestruara nga opozita. Kam patur mbështetje nga grupi parlamentar. Ndjej keqardhje për atë pjesë të politikës, që sulmet ndaj meje kanë qenë në jopak raste edhe johumane. Nuk ka rëndësi të jesh njëri nga ministrat, por gjurma që lë. Kam patur përballë llumin e politikës. S’ka rëndësi funksioni publik. Ka njerëz që e quajnë të rëndësishme uljen në karrige pushteti dhe si mundësi të artë për t’u pasuruar. Ka të tjerë, jo aq shumë, si për të lënë gjurmën e tyre. Ky ka qenë i vetmi qëllim i imi në këtë funksion”-tha Xhafaj.

Xhafaj ka folur edhe për rezultatet e punës së tij, gjatë kohës që ka drejtuar ministrinë e Brendshme, dhe ka theksuar se tashmë Shqipëria është hequr nga lista e vendeve që kultivojnë kanabis.

Në 27 mars të vitit të kaluar në këtë sallë deklaruam një luftë pa kompromis kundër këtij fenomeni kriminal, të zhvilluar prej 25 vitesh në këtë vend. Dëshiroj t’ju kujtoj të gjithë kritikëve tanë, por edhe skeptikëve të ndryshëm dhe veçanërisht atyre që e kanë harruar ose që me qëllim bëjnë sikur e kanë harruar për të minimizuar suksesin e arritur, që kanabisi kishte shërbyer ndër vite si burimi kryesor i ngritjes dhe fuqizimit financiar të krimit të organizuar në këtë vend dhe që gati po shihej si normalitet i jetës sonë dhe si një pamundësi e shtetit e shoqërisë ta fitonin betejën me të. 

Kemi përmbyllur operacionin e madh të anti-kanabisit të këtij viti. Po pres me padurim të shoh rezultatet e certifikuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë që asistojnë e monitorojnë këtë operacion, të cilat do të ri-dëshmojnë se si një histori turpi e dështimi në vite të tëra më në fund e kthyem së bashku në një histori suksesi. Tashmë është fakt i pranuar dhe certifikuar prej partnerëve ndërkombëtarë. Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve evropiane ku kultivimi i kanabisit është një fenomen.

Fatmir Xhafaj, ministër në largim

Xhafaj tha se policia e Shtetit ka bërë të mundur që shifrat e kriminalitetit të ulen në shifra historike.

Është plotësisht meritë e punës dhe e angazhimit tuaj, tejet serioz dhe profesional, që gjendja e kriminalitetit sot në vend është ndër më të ulëtat në këto 20 vite dhe standardi i sigurisë publike është ndër më të lartit. Statistikat zyrtare për vitin 2017 dhe 9-mujorin e parë të këtij viti konfirmojnë për sa më sipër. Dhe në disa tregues ato janë të krahasueshme me standardet më të mira evropiane. Numri i veprave penale dhe në tërësi treguesit e nivelit të kriminalitetit gjatë vitit të kaluar, por dhe gjatë këtij 9-mujori janë në nivelet më të ulëta historike. Përfshi këtu edhe numrin e vrasjeve, vjedhjeve, aksidenteve, etj.

Fatmir Xhafaj, ministër në largim

Xhafaj ka thënë se i është dashur të punojë në ekip për të bërë të mundur që organizmat ndërkombëtarë të rikthejnë besimin tek policia e Shtetit. Ai theksoi se operacioni Forca e Ligjit, ka dhënë rezultate konkrete.

Operacioni “Forca e Ligjit” është tashmë një qasje e certifikuar e vullnetit real dhe organizimit efikas në luftën kundër krimit të organizuar.  Në saj të këtij operacioni janë goditur disa grupe të strukturuara kriminale, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.  Në afro 11 muaj janë zhvilluar rreth 22 operacione policore, janë goditur dhë ndëshkuar 11 grupe të strukturuara kriminale të skeduara nga TFSQ, me mbi 175 persona të arrestuar drejtues dhe anëtarë të këtyre grupeve kriminale, si dhe janë sekuestruar vetëm prej tyre rreth 20 milionë euro pasuri. Disa procese hetimore janë në fazën e finalizimit të tyre dhe shpresoj që shumë shpejt të ketë rezultate të tjera në kuadrin e këtij operacioni. Në 5 javë që ka filluar intensivisht ky operacion policor pro-aktiv në territor janë ushtruar dhjetëra kontrolle ndaj personave konkret me precedent penal, në kërkim apo ndaj atyre që bëjnë të fortin në mjediset sociale, të skeduar si të tillë nga policia vendore. Dhe rezultatet flasin vet për ata që kanë sy të shohin e vesh të dëgjojnë. Janë ndaluar e arrestuar aty në territorin ku jetojnë rreth 350 persona nga të cilët rreth 190 persona janë ndër ata të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.

Fatmir Xhafaj, ministër në largim

Xhafaj ka uruar edhe pasardhësin e tij në detyrë, Sandër Lleshi, për të cilin tha se është i bindur se me eksperiencën dhe formimin që ka do të arrijë që tja dalë.

“Gjej rastin t’i uroj pasardhësit tim, ministrit të ri të Brendshëm shumë sukses në detyrën që shumë shpejt do të marrë, duke qenë i bindur se me eksperiencën dhe formimin që posedon, ai do t’ju qëndrojë, mbrojë dhe promovojë më tej vlerat e Policisë së Shtetit. Ai është tashmë në bordin e një treni të nisur, tren i cili uroj të eci edhe me më shumë shpejtësi”.-tha Xhafaj për Sandër Lleshin.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane: Raketat e lëshuara nga Izraeli kundër Iranit kanë teknologji për t'iu shmangur radarëve

Media amerikane: Raketat e lëshuara nga Izraeli kundër Iranit kanë teknologji për t'iu shmangur radarëve