TIRANË - Pas arratisjes nga ambientet e Komisariatit numër 3 në kryeqytet të të dënuarit 26 vjeçar Bledar Zefi, blutë e kryeqytetit kanë vënë në pranga dy efektivët në cilësinë e përgjegjësve të ngjarjes.Sipas njoftimit të bluve të kryeqytetit dy efektivët Arsela Hajdinaj dhe Bajram Elezi kanë shoqëruar të dënuarin drejt tualeteve në një kohë që kjo nuk ishte detyre e tyre. Në momentin që i dënuari është drejtuar drejt tualetit mësohet të ketë shtyrë efektiven Hajdinaj me detyrë trup shërbimi patrulle dhe të jetë larguar.

Ndërkohë Bajram Elezi mësohet të jetë me detyrë nd/specialist dhe pergjegjes i dhomave te sigurisë, dhe të dy akuzohen për shpërdorim detyre dhe për shkelje të rregullave të shoqërimit të të dënuarëve në komisarit.Efektivët u arrestuan në flagrancë nga policia e kryeqyteti dhe mësohet se po merren në pyetje në ambientet e komisariatit ku ndodhi ngjarja e dytë e bujshme pas largimit pak kohë më parë të këngëtarit të njohur si Stresi

Dy efektivët pritet të dalin para gjykatës pas 48 orësh.
 
Si u arratis Zefi?
Zefi u arrestua rreth orës 01:00 të mëngjesit pak kohë pasi kishte mbërritur nga Italia. Pas ndalimit ai ishte shoqëruar në një nga dhomat e shoqërimit të këtij komisariati dhe ishte në pritje të komunikimit të arrestit ndaj tij. Paraditen e sotme, Zefi iu kishte kërkuar që të shkonte në tualet dhe po shoqërohej nga dy policë, një police femër dhe një polic burrë. Në këtë moment ai ka shtyrë të dy efektivët e policisë dhe më pas ka mundur të dalë nga dera e komisariatit, duke kapërcyer traun e gardhit që rrethon oborrin. Dëshmitarët thanë se ai iu drejtua me shpejtësi rrugës “Mine Peza”, duke u fshehur mes pallateve. Menjëherë efektivë të komisariatit nr.3 vrapuan për ta ndalur, por ishte zhdukur tashmë. Për të hetuar arratisjen mbërritën në komisariatin nr.3, hetues të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave të që nisën veprimet. Dy efektivët e policisë u pezulluan ndërsa tashmë ata janë marrë nën hetim për arratinë. 

Menjëherë pas largimit të tij nga ambientet e komisariatit policia nisi kontrollet në banesat e të afërmve të tij dhe të njohurve ku mendohet se Zefi mund të fshihej.  Po ashtu, Shërbimi i kontrollit të Çështjeve të Brendshme ka filluar hetimin për të përcaktuar përgjegjësit për arratisjen nga komisariati. 
 
26-vjeçari nga Fushë-Arrëzi Bledar Zefi dhe me banim në rrugën "Riza Cuka" në Laprakë është dënuar në mungesë në 26 qershor të këtij vitit nga Gjykata e Xhenovas me 10 vite burg për vjedhje me armë, si anëtar i një bande kriminale që vepronte në Itali.
 
Vetëm një javë më parë ambientet e reja të rikonstruktuara të Komisariatit numër 3 u inaugurua nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

komisariati 3
(Komisariati nr. 3 në Tiranë dhe i arratisuri Bledar Zefi)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)