"Katari ka punësuar tifozë të rremë nga Pakistani për Kupën e Botës", ky është lajmi që po qarkullon në mediet e huaja. Burime të "Sporx" me qendër në Turqi bëjnë me dije se vendi organizator i Kupës së Botës, Katari ka huazuar "tifozë të rremë" dhe të paguar nga Pakistani për të festuar dhe t'u dukur të lumtur në eventin më të madh të futbollit në botë.
Media në fjalë tregon se çdo tifoz nga Pakistani do përfitojë 10 dollarë në ditë, ushqim dhe akomodim falas për 30 ditët e Botërorit. Pas protestave për të drejtat e njeriut dhe moslejimit të pijeve alkoolike, Katari është nën akuzë për një tjetër gjë, atë të pagesës së tifozëve.
Në kanalin zyrtar që Katari ka hapur për Kupën e Botës në Tik Tok, disa nga pamjet tregojnë tifozët e Holandës, Argjentinës apo Brazilit që tanimë janë në qytetet ku do zhvillohet Kupa e Botës. Bie në sy se ata nuk kanë lidhje me këto shtete, duke u thënë se janë tifozë të paguar për të rritur atmosferën. Sot Marca akuzoi edhe për trukim ndeshjesh nga Katari, me median spanjolle që tregon se vendi organizator ka paguar 7.4 milionë dollarë te tetë nga lojtarët e Ekuadorit që të shesin ndeshjen.