Njeriu në krye të krye të shtetit, padyshim, më i spikaturi për ndihmesën e dhënë e që jep parreshtur për përçarjen kombëtare, nxitoi në një takim me mediat të njoftonte vdekjen e 26 vetëve. U bëri të ditur të pranishmëve se emrin Gërdec e dëgjonte për herë të parë. Baxhanakut të ndjerë, një nga viktimat që mbante inventarizimin e mallit të vdekjes, nuk i vajti në varrim që të mos dekonspirohej se familjarë të tij ishin pjesë e biznesit vdekjeprurës. Do kalonin përpos se pak ditë që të bëhej i njohur një shënim, vënë mbi një shkresë të Ministrisë së Mbrojtjes, që opinioni shqiptar të mësonte përmasat e babëzisë së përvetësimit të pronës publike.
Gjëmimimi i tmerrshëm në Gërdec dhe të vrarët që la pas, as mos t’ju shkojë nëpër mend se u dëgjuan siç duhet nga organet e drejtësisë. Prokurorë e gjyqtarë të ndodhur nën trysninë e pushtetit autoritarist të Berishës, institucione të drejtësisë të kapura dhe media shtypi e vizive, u bënë të mekura. Pak ditë pas gjëmës, në një tjetër takim me mediat, kryeministri i sulmoi paturpësisht disa prej tyre, për mënyrën e përcjelljes së lajmit, si mercenare dhe zëdhënëse të mafias.
Në aferën e çmontimit të predhave nga fshatarë të paditur e fëmijë të mitur, u përmend si pjesë emri i djalit të kryeministrit. Kompania private e gangsterëve ishte kontraktore e Ministrisë së mbrojtjes. E fshehur pas kufomave të Gërdecit, kjo ministri u ngriti më pas të vdekurve një memorial përqeshës, që shkruante se ata ishin viktima të një aksidenti teknollogjik. Në të vërtetë, ajo që ngjante si memorial ishte një poshtërsi e tejskajshme e shpirtrave të rënë në skllavëri.
Vetë shteti, përfshi dhe organet e drejtësisë, u trajtuan si skllevër. Ndodhur nën zgjedhë, të sunduar nga tirania, morën vendime e dhanë zgjidhje si “drejtësi”, duke i përkëdhelur vrasësit me pak vite dënim. Sot, asnjë nga fajtorët që kryen vrasje, nuk ndodhet në burg.
Askujt e në asnjë rregjim nuk i njihet e drejta të marrë qoftë edhe një minutë nga jeta e tjetrit. Jetët e humbura të 26 shpirtrave njerzorë janë të shënuar në kujtesën dhe ndërgjegjen e kombit si rrjedhë e origjisë dhe e lakmisë për pasuri. Tej asaj që ndodhi, shumëkush pyet me të drejtë: çfarë ndodhi me kriminelët, me ata që kërkonin të pasuroheshin me grabitje, me anë të ligjeve të rregulluara enkas për bandën, me shfrytëzimin dhe sundimin në postet shtetërore?
E gjithë veprimtaria, që përfshin gjithçka nga sfera e gangsterit, u la e u lye butësisht, u parfumos. Nuk ka më keq për një shoqëri kur njeriu ka frikë nga e vërteta! Disa u morën haptas në mbrojtje, disa, jo se u shitën, por u vunë nën akuzë, madje u dënuan, për t’ua zbutur gradualisht dënimet derisa në qeli s’ngeli më askush.
Falja ose zbutja e fajit të vrasësit, të kriminelit, me apo pa dashje, është territori i njeriut të paskrupullt. Sikur të mos kish ndodhur shpërthimi, pak gjasa kishte të zbulohej kjo veprimtari lakmitarësh!? Po qe se ngjarja nuk do shoqërohej me pirgje kufomash, vazhda gjaku të plagosurish (numëri i të cilëve s’u mor vesh kurrë) e viktima fatkeqe, askush nuk do merrte vesh se të miturit demontonin armët!? Nëse nuk do ishin rrafshuar me tokën Gërdeci dhe Marqineti, nuk do mësohej se pak kilometra nga Aeroposti Ndërkombëtar i Rinasit kryhej veprimtari kriminale, me rrezik për jetët e që përfundoi në një det gjaku!?
Kush i lejoi këta gangsterë, që nga ana e tyre i lejuan vetes të shkelnin në mënyrë flagrante rregullat që ndërtojnë ushtrinë, që shfrytëzonin fëmijët në punë tepër të rrezikshme, që nuk mund t’u besoheshin as të rriturve, por vetëm specialistëve të formuar? Pamëdyshje, ata që drejtonin shtetin, por që harruan detyrën për të cilën ishin betuar.
Praktika shkresore me Shtabin e Përgjithshëm, për zgjedhjen e vëndit, Gërdecit, si vënd të demontimit, mbulohej me argumentin se bëhej me kompani amerikane ...ha,ha,ha! Është vërtet e pështirë dhe qeshja vjen nga marazi. Si s’u ndje kush për të thënë se pse u kontraktua një kompani” e huaj”, kur në Uzinën e Poliçanit me dhjetra teknikë të specializuar rrinin pa punë. Nga thua u buronte kjo siguri?
Dihet se nuk është nevoja, që për t’u marrë në hetim, domosdo prokuroria duhet të provojë se është pjesë e aferave korruptive dhe organi i prokurorisë la plot emëra pa hetuar, as guxoi t’u çonte ndonjë ftesë. Si s’bëri burg kush nga Shtabi i Përgjithshëm, që miratoi ngritjen e të ashtuquajturës “fabrikë” në zemër të një zone të mbipopulluar, pak qindra metra larg nga arteria magjistrale më e rëndësishme e shtetit, pak kilometra larg nga i vetmi aeroport ndërkombëtar i vëndit, vetëm e vetëm që të fitonin sa më shumë, duke paksuar shpenzimet e transportit? Shumëkush, që në atë kohë, kur tirreshin seancat pa fund të gjyqit, e dinin se drejtësia nuk do të arrinte dot deri tek ata, tek autorët e vërtetë të këtij krimi të përbindshëm.
Qytetarët e Gërdecit të shkatërruar fizikisht e mendërisht, të mësuar me të qenit larg punëve publike, të pafrymëzuar nga ndjenja e detyrës për t’i dalë vetes zot, nuk e shkundën dot plogështinë, për të kërkuar drejtësi. Pak prej tyre luftuan për të drejtën e të vërtetën. Shumicës partia në pushtet atë botë ja mbërriti përsëri t’ja merte votën në zgjedhjet e radhës.
Gjykimi-ka shkruar Platoni-nuk u lihet në dorë lakmitarëve për fitime, atyre që mendojnë të shtojnë pasurinë. Ka qenë kurdoherë detyrë e çdo qeverije, kudo, jo vetëm tek ne, që të mos lejojë që lakmia të mund të realizojnë pasuri me gjakun e të tjerve, me shpërdorimin e pushtetit qeverisës, duke kthyer njërëz në viktima e fatkeqë. Ato që u vranë dhjetë vjet më parë ishin të reja, beqare ose nuse me fëmijë të vegjël.
Kishte dhe të moshuar që halli i shtëpisë, i bukës, i kish shtrënguar të hynin në dyert e ferrit. Të miturit, Erison Dudaj dhe Flavoi Deliu po shetisnin aty rrotull vëndit të krimit me biçikleta, por që Albademili, me Ministrinë e Mbrojtjes, me organizatorë të tjerë lakmitarë pasurie në hije, i dogji të gjallë. Ka pasoja edhe më tej: u vetëvranë, si e ndjera Tushe dhe i shoqi, që se përballuan dot humbjen tragjike të vajzës 18 vjeçare. Këta maskarenj, të mbuluar nga turpi, mos mendo i dashur lexues se ecën kokëulur.
Si delenxhinj që ishin, krekoseshin, shtireshin në Kuvend e para mediave sikur tashmë Gërdeci duhej harruar se fatkeqët u ndihmuan, u shtruan një copë rrugë të fshatit, u dhanë nga 200 mijë lekë për të bërë varrimet, i ndihmuan të ndërtonin shtëpitë. Pra, ata vazhduan të administrojnë vendin si njerëz demokratik. Dhe s’mund të ndodhë që një komb të jetë i fortë, kur qytetarve të saj u ka humbur energjia dhe janë bërë të flashkët e të qullët. Çfarë cinizmi e shfaqje sigurie patën këta mëkatarë, o Zot!? (*titulli origjinal i autorit: IMORALITETI I NJË QENDRIMI-SHPREHJE E KORRUPTIMIT TË THELLË TË DREJTËSISË DHE SHTETIT)
d.c./shqiptarja.com









