Fqinjët në rajon tashmë kanë filluar komentet dashakeqe: ja ku po çon favorizimi dhe miklimi politik i shqiptarëve; ata po synojnë bashkimin kombëtar! A po bashkohen me të vërtetë shqiptarët? Jo. Bashkimi i këtyre ditëve është simbolik dhe festiv, nuk është bashkim i vërtetë, siç po interpretohet edhe nga ata që e dëshirojnë dhe do t’i gëzoheshin bashkimit, e edhe atyre që janë kundër ose i frikësohen kësaj zgjidhjeje të çështjes shqiptare.

Vizuelisht, këto ditë trojet shqiptare janë veshur kuq e zi. Refreni “Rreth flamurit të përbashkuar…” është duke u jetësuar si asnjëherë më parë. Në të gjitha trojet e tyre, si dhe kudo në botë ku jetojnë në numër më të konsiderueshëm, shqiptarët po e festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Fqinjët në rajon tashmë kanë filluar komentet dashakeqe: ja ku po çon favorizimi dhe miklimi politik i shqiptarëve; ata po synojnë bashkimin kombëtar!

A po bashkohen me të vërtetë shqiptarët?

Jo. Bashkimi i këtyre ditëve është simbolik dhe festiv, nuk është bashkim i vërtetë, siç po interpretohet edhe nga ata që e dëshirojnë dhe do t’i gëzoheshin bashkimit, e edhe atyre që janë kundër ose i frikësohen kësaj zgjidhjeje të çështjes shqiptare. Është e vërtetë se po festohet sikur bashkimin e kemi në prag, ose do të vijë pashmangshëm dhe shpejtë por, megjithatë, kjo është vetëm një dehje dhe dalldisje festive, e cila kur të bëhemi esëll, nuk lë pasoja, pos ndoshta atë mahmurllëk të zakonshëm.

Jubileu Shqipërisë gjithsesi meriton festimin. Edhe pse ka teprime, eufori, folklor dhe dominim të shijes së keqe dhe provinciale (shihni vetëm ato “përmendore” amatoreske dhe qesharake që po ngritën në vendet publike!) mendoj se shqiptarëve mund t’u falen ekzaltimet e çastit. Pas një shekullit të përpëlitjeve me fatin dhe të jetën në pasiguri, me vetizolimin, diktaturën, represionet e regjimeve të ndryshme, vonesat në zhvillim etj., ata nuk mund t’i ndalësh dhe qortosh pse po festojnë.

Për më shumë, ata nuk e festojnë bashkimin, për këtë edhe nuk bëhet fjalë, por e festojnë një ndjenje të veçantë dhe legjitime të përbashkësisë. E festojnë ndjenjen që mund të quhet gjetje e rrugës së përbashkët, që është kontrapunkt i atyre rrugëve që i kanë kaluar brezat e mëhershëm, të ndarjeve fizike dhe tjera, të izolimeve, të çoroditjeve, që kushtëzuan pamundësitë e zhvillim normal të kombit.

Festohet ideja se më në fund e kemi kap hapin tonë dhe hapin me botën, duke ecur edhe një rruge të drejtë.

Kuptohet, kjo rrugë e gjetur dhe e drejtë nuk është ndonjë projekt ose gjendej tashmë e përfunduar, që nuk ballafaqohet me probleme dhe pengesa. Pengesat janë të shumta edhe në ditët e sotme, dhe disa do të zgjasin edhe në kohë në të ardhmen.

Mirëpo esenciale është se shuma e negativitetit dhe problemeve është shumë mp e vogël dhe më pak e ndikiueshme se ato të pozitivitetit, të rreshtimit dhe konstituimit premtues të kombit që nuk do të lejojë më kthimin prapa, ose ngecjet.

Shqiptarët sot ndajnë një vizion të përbashkët të faktorizimit që ua krijon sigurinë se nuk do të humbasin më as sot, e as në të ardhmen.

Ky vizion mbase më së miri mund të shpjegohet duke analizuar parullën ose thirrjen e njohur “Jemi një!”

Është e vërtetë se kjo thirrje mund t’i ketë disa kuptime, ndër to edhe atë të gjakimit për krijimin e shtetit të përbashkët, por unë mendoj se ajo më shumë shpreh një kushtrim të solidaritetit për të cilin po vetëdijesohet gjithnjë e më shumë një subjekt kombëtar që objektivisht është i përbërë. Nuk është një e ndonjë shkrirjeje automatike, por një e ndjenjës solidare mes shqiptarëve që vazhdojnë të jetojnë në disa shtete të rajonit, ku i kanë pozitat dhe të drejtat e ndryshme, por i kanë shtuar fuqishëm komunikimet e ndërsjella.

Kur shqiptarët thonë “jemi një”, nuk e mendojnë se doemos duhet të jetojnë në një shtet, por se e kanë një subjektësi trans-shtetërore që është sa e përbërë, po aq edhe thellësisht solidare. Andaj edhe festa e 100 vjetorit po lëviz aq natyrshëm nga një skaj në tjetrin të trojeve të banuara me shqiptarë.

Kjo i lë shije të keqe fqinjëve, që edhe ashtu historikisht nuk e kanë dashur afirmimin dhe faktorizimin e shqiptarëve, si popull me të drejta të barabarta. Sidomos në Serbi, afirmimi dhe fuqizimi i shqiptarëve shikohet si diçka që rrezikon rajonin, e në të vërtetë rrezikon vetëm ambiciet e hegjemonistëve serbë.

Por që nga vitet ’90 është paraqitur qartë një qasje thellësisht e ndryshme e shqiptarëve nga serbët, në trajtimin e zgjidhjes së çështjes shqiptarë. Derisa Serbia e viteve ’90 të shekullit të kaluar synonte bashkimin me luftë e të gjitha trojeve “serbe”, edhe atje ku kur nuk ka qenë Serbi, dhe ku serbët nuk janë shumicë, dhe për këtë e patën bërë rrëmujë dhe kaos rajonin, shqiptarët zgjodhën një strategji shumë më racionale dhe më të matur, që bashkimi i tyre të ndodhë gradualisht dhe mbi bazat e një policentrizmi, të akomodimit me realitetet e krijuara më herët. Kur e them këto mendoj në mainstreamin e politikës shqiptare, në partitë dhe lëvizjet kryesore, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe trojet tjera të banuara me shumicë shqiptare… Sigurisht se ka pas dhe ende ka lëvizje dhe parti që kërkojnë revidimin e kufijve me çdo mjet, që njëfarëdore ndjek modelin e konfrontimit me të gjithë fqinjët, të ngjashëm me atë që e ka ndjek Serbia. Vetëm se ato janë margjinale dhe deri më sot nuk kanë arritur që të imponohen si alternativa vendimtare.

Ithtarët e bashkimit të menjëhershëm të kombit këtë qëndrim racional dhe jokonfrontues të mazhorancës politike shpesh e konsiderojnë si gabim trashanik ose edhe si tradhti kombëtare. Por, nuk është ashtu. Ato politika të matura bazohen në analizat racionale të raportit të forcave dhe interesit kombëtar, në rrethanat kur përt herë të parë shqiptarët kanë aleatë të fuqishëm dhe perspektivën e zhvilimit të gjithanshëm.

Në këto analiza nuk përjashtohen edhe skenarët negative, nëse p.sh. vetë Evropa do të përjetojë ndonjë regres dhe çarje, që shqiptarët pastaj sërish do të mund t’i lë në baltë. Uniteti dhe solidariteti shqiptarë që po manifestohet sot, e garanton edhe solidaritetin në mbrojtjes dhe sigurisë së shqiptarëve që e ndiejnë se janë një.

(Marre nga gazeta express)
(sg/shqiptarja.com)