103-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit, mësuesit: Krijimtaria e saj letrare është pak e njohur në shkolla

Në këtë 103-vjetor të lindjes, Musine Kokalari (Andana, Turqi, 10 shkurt 1917 - Rrëshen, 13 gusht 1983) shkrimtarja simbol e shkrimit edhe qëndresës, u përkujtua në Pavijonin e Terrorit Komunist në Muzeun Historik Kombëtar. Në programin e Edukimit Përmes Artit nxënësit e shkollës 9-vjeçare, që mbajnë të njëjtin emër në Tiranë, sollën disa pjesë letrare të shkrimtares disidente, që 16 vite të jetës së saj i kaloi në burgjet e komunizmit.

Tregimet e saj me karakter të lartë moral, rrëfenjat edhe përrallat e frymëzuara nga folklori toskë, që përcjellin tensionin qytetar edhe demokrat, janë burim frymëzimi edhe sot për këta nxënës

“Është një model frymëzimi për ne. Duam që t’i njohim më shumë veprat e saj letrare”, shprehen nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Musine Kokalari”.

Ndërsa, mësuesit e letërsisë në këtë shkollë, shprehin keqardhje, që akoma në tekstet letrare të hartuara nga Ministria e Arsimit në vendin tonë nuk i kushtohet hapësira e duhur veprimtarisë së Kokalarit, si shkrimtare

“Në fakt krijimtaria letrare e Kokalarit është shumë pak e njohur, e njohim si politikane, një grua që ka qenë e përndjekur, por jo që ta kemi në vëmendje si shkrimtare edhe etnologe. Në shkollën tonë, për fat të mirë jemi marrë shumë me veprën e Kokalarit, por kjo nuk ndodh me nxënësit edhe shkollat e tjera. Këtu duhet që grupi i hartuesve të teksteve të përzgjedhin pjesë nga veprat e saj. Ndoshta, kjo gjë do të bëhet në tekstet që do të botohen në vazhdim”, shprehet Rifije Muçi, mësuese e letërsisë në shkollën “Musine Kokalari”.

“S’po flas vetëm si një drejtues shkolle, por edhe si redaktor librash në këtë tekst, edhe do të thoja se është shumë e rëndësishme, që të njohim figurat tona në gjerësi edhe thellësi. Nuk e shikojmë Kokalarin, si një emancipuese edhe studiuese, por e kemi parë si të persekutuar. Le të shihet kështu, se s’ka femër që të persekutohet nga sistemi si ajo. Por, nga ana tjetër, duhet që të ndalim tek vepra e saj. Nëse një studiues fiton emër, këtë duhet që ta bëjë edhe nëpërmjet veprës, jo nëpërmjet një votimi politik. Musine Kokalari është e para shkrimtare grua shqiptare, duke qenë e tillë, duhet që të përfshihet. Edhe këtu do t’jua rekomandoja hartuesve të teksteve, që të përfshijnë të gjithë njerëzit që kanë dhënë një kontribut. Është një farë metodologjie e shtrembëruar e kësaj figure në evidentimin e vlerave të kësaj figure”, shprehet Besim Cengu, drejtor i shkollës “M.Kokalari”.

E rritur mes librave me përralla dhe rrëfenja, në një familje intelektualësh në Gjirokastër, Kokalari kreu institutin “Motrat Qirjazi” dhe shkollën e mesme “Nana Mbretëreshë”. Më pas vijoi studimet për degën e Letërsisë në La Sapienza të Italisë.  

Në gjykatë, Musine Kokalari mbajti këtë qëndrim:

"Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund ti persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj".

Themeluesja e Partisë Social-Demokrate, që nënshkroi programin antikomunist, duke synuar zgjedhje të lira, për 16 vite radhazi u dënua me burg (1946-1961), ndërsa pas lirimit nga burgu vitet e fundit (13 gusht 1983) jetoi në një banesë të lënë pas dore në Rrëshen, në kushte të rënda fizike edhe psikologjike.

Megjithatë, për brezat pas saj, shkrimtarja ka lënë vepra, si “Siç më thoshte nënua plakë”, “Reth vatrës”, “Kolla e vdekjes” apo edhe “Si lindi Partia Socialdemokrate”.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pyka: 11/02/2020 09:45

    Shëmbull dhe simbol për shqiptarët,model për rininë ....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët