Kryepiskopi Joan ka mbajtur një fjalë në 10-vjetorin e Fronëzimit të Mitropolitit të Fierit, Imzot Nikolla. Në meshën solemne, ai vlerësoi gjithçka Mitropoliti ka bërë në qytet, ndërsa solli në vëmendje historinë e kishës dhe misionin e saj.

Fjala e plotë:

"Mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, Imzot Nikolla.

Të nderuar Mitropolitë,

Etër të shenjtë dhe pjesëmarrës në këtë ceremoni.

Do të doja t'ju falënderoja të gjithëve për kontributet që keni dhënë.  Përvjetorët janë të rëndësishëm, prandaj dhe ne shpeshherë kujtojmë, sepse përvjetorët janë thirrje për të medituar pak.

Fillimisht për të medituar për ata që ishin para nesh dhe për kontributin e madh që kanë dhënë në shekuj të gjithë, dhe sidomos personat që i njohëm edhe vetë, Kryepiskopin Anastas, mitropolitin Ignat, të cilët dhanë të gjitha mundësitë e tyre për ta ringritur përsëri Kishën. Ne i kujtojmë gjithmonë me mirënjohje, sepse vepra jonë nuk mund të fillojë sot. Ne vazhdojmë, vazhdojmë dhe ndërtojmë në themelet që janë ngritur nga të parët tanë, duke filluar që nga martirët e shekujve të parë dhe duke mbaruar me martirët e fundit martirët e rinj, të cilët për të mbrojtur besimin shpeshherë dhanë dhe jetën. Prandaj përvjetorët janë kujtime, dhe ata nuk mbeten vetëm në të kaluarën, por dhe në të tashmen.

Dhe do të doja ta përgëzoja Mitropolitin për iniciativën për ta ndërtuar Mitropolinë. Mbaj mend kur i thashë për herë të parë për Mitropolinë, atij iu duk shumë e habitshme dhe që nuk mund të ndërtohet kurrë. Dhe unë i thashë: Nëse do ta fillosh, do ta mbarosh, sepse ne nuk e bëjmë me forcat tona, por me hirin e Perëndisë. Nëse do të përpiqemi me gjithë shpirt, pa dyshim që gjithçka do të realizohet. Çfarë është e pamundur për ne, është e mundur për Perëndinë. Frika qëndron gjithmonë, por sa më tepër të kemi frikë Perëndinë, aq më shumë na pakësohet frika nga të tjerët. Sepse njerëzit që kanë frikë Perëndinë, nuk tremben nga njerëzit. Dhe duke mos patur frikë nga njerëzit, pa dyshim që do të fillojmë të bëjmë disa vepra të cilat do të lënë gjurmë, sepse Perëndia do të jetë vazhdimisht me ne. Asnjë forcë njeriu nuk mund ta bëjë këtë gjë. As Ringritjen e Kishës këtu, nuk mund ta bënte dot forca e njeriut, por hiri i Perëndisë. Dhe merita e njerëzve që ndërtuan ishte se ata patën hirin e Perëndisë. Zemrat e tyre ishin të pastra dhe hiri i Perëndisë zbriti mbi ta, i ndriçoi dhe i ndihmoi në rrugëtimin e tyre. Prandaj dhe e kujtojmë gjithmonë me mirënjohje Kryepiskopin Anastas për të gjithë kontributin që ai ka dhënë.

Dhe diçka tjetër që përmendim te përkujtimoret është se njerëzit e mëparshëm nuk janë të ndarë nga të gjitha këto gjërat e tjera që festojmë ne. Sepse te Zoti nuk ka të ndarë. Përkujtimoret tona nuk janë thjesht zi dhe vajtime, por janë edhe gëzim i thellë brenda, sepse kujtojmë njerëz të cilët dhanë një kontribut për Perëndinë dhe janë të gjallë tek Perëndia.

Dhe në përvjetorët tanë i kujtojmë të gjithë ata që kanë qenë jo sikur nuk janë, sepse ata janë të pranishëm tek Perëndia dhe luten për ne.

Përvjetorët na japin dhe një shtysë tjetër për të ardhmen, sepse do të thonë që puna jonë nuk ka mbaruar dhe duhet të përpiqemi deri në frymën e fundit. Dhe njerëzit kanë nevojë për këtë mesazh.

Sot mesazhi i Kishës është mesazhi kryesor. Të gjitha ideologjitë e tjera nuk japin më shpresë. Vetëm Zoti jep shpresë, prandaj dhe ne në fund të shërbesës kur bëjmë përlëshimin themi: Lavdi më ty, o Perëndi, shpresa jonë, lavdi më ty. Nëse do t'i themi fjalët jo vetëm thjesht me buzë, po të ndalojmë te ato, do të kuptojmë që Perëndia është i vetmi shpresë për njerëzimin dhe mësimi i tij është e vetmja shpresë për të mbajtur vendin, familjet, dhe për të pasur një jetë të drejtë. Prandaj dhe përvjetorët janë kaq të rëndësishëm për t'i kujtuar.  Në këtë përvjetor të 10 -të jam shumë i gëzuar që Mitropolia e Fierit, siç u tha që ishte trashëgimtare e një mitropolie shumë të vjetër, por edhe të re që ka filluar në Fier tani ka edhe selinë e saj. Edhe për këtë dua të falënderoj të gjithë kontribuesit dhe pa dyshim Mitropolitin Nikolla, i cili u përpoq me gjithë shpirt për ta ndërtuar dhe ia arriti. Edhe kjo është diçka tjetër që u jep shpresë të gjithë njerëzve. Nëse do të përpiqemi, do të realizojmë gjithçka, sepse nëse përpiqemi për diçka të drejtë, Zoti nuk do të na braktisë. Nëse punojmë për Kishën, Zoti nuk do të na braktisë. Nëse punojmë vetëm për vete, atëhere ndoshta Perëndia do të na braktisë. Po nëse punojmë për të drejtën, për Kishën edhe për njerëzit, Zoti do të jetë gjithmonë pranë nesh.

Ju uroj që ta gëzoni Mitropolinë e  re, edhe ndërtesën e Mitropolisë, edhe këtë kishë që është relativisht e re dhe shpresojmë që në të ardhmen do jetë akoma dhe më e bukur. Do të jepni kontribute edhe për t'u bërë ikonat dhe gjëra të tjera. Sepse duke dhënë tek Perëndia, ne nuk humbasim. Tek njerëzit mund të humbasë, te Perëndia nuk humbet. Nëse i japim Zotit një,  Ai do të na japë dhjetë, sepse askush nuk mund ta mundë Perëndinë në bujarinë e Tij. Por Perëndia kërkon nga ne për të dhënë diçka dhe atë do ta shumfishojë, ashtu siç shumëfishoi bukët dhe siç shumëfishon shumë gjëra,  nëse ne realisht  i afrojmë ato para Perëndisë.Ju uroj edhe një herë të gjithëve që Perëndia të jetë gjithmonë i pranishëm në këtë kishë, të ndriçojë Mitropolitin, klerikët, ju dhe të gjithë ne të tjerët. Sepse, në Kishën Orthodhokse,  suksesi në një vend, është suksesi i të gjithë orthodhoksisë. Ne nuk jemi të copëtuar. Çfarëdolloj qyteti apo fshati të jetë, nëse ai lulëzon, e gjithë Kisha ka lulëzuar. Kini gjithmonë ndërmend analogjinë që bën Shën Pavli për Kishën. Ai e krahason atë me trupin. Nëse vuan dora, vuan gjithë trupi; nëse vuan syri, vuan i gjithë trupi. Dhe  nëse është e shëndetshme dora, i gjithë trupi është i gëzuar. Prandaj dhe ne duhet të gëzohemi gjithmonë me gëzimin e të tjerëve dhe të përmbushim thënien e famshme nga Etërit e Kishës që thotë: Lum ata njerëz që gëzohen me  gëzimin e të tjerëve.

Lavdi Perëndisë për gjithçka. Krishti u Ngjall - Vërtet u Ngjall!"