“Besëlidhja e lirisë 1878” është p[përkujtuar me një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar, në kuadër të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë ekspozitë paraqitet rruga dhe veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ekspozita prezanton objekte vetjake të patriotëve shqiptarë, si të Mic Sokolit, Jeronim De Radës, Sami Frashërit, Ali Pashë Gucisë, Iljaz pashë Dibrës dhe të Daut Boriçit. Ekspozita “Besëlidhja e Lirisë 1878” hapet me hartën, që tregon katër vilajetet shqiptare atë të Shkodrës, të Janinës, të Kosovës dhe të Manastirit. Stenda e dytë paraqet gjendjen ekonomiko-kulturore dhe sociale të Shqipërisë të shek. XIX.
Stenda e tretë, Luftën Ruso-Turke dhe shpërnguljet e shqiptarëve. Stenda e katërt në MHK i kushtohet Komitetit të Stambollit, i cili u krijua më 18 dhjetor 1877. Kryetar i Komitetit të Stambollit u zgjodh Abdyl Frashëri. Stenda e radhës tregon Traktatin e Shën Stefanit (3 mars 1878). Në ekspozitë pasqyrohet dhe aksioni i Gjakovës (korrik - shtator 1878). Në stenda paraqitet edhe mbrojtja e territoreve në Shqipërinë e Poshtme Gjirokastra, Arta, Janina dhe Preveza. Për publikun ekspozita flet dhe për mendimin politik të shqiptarëve, të cilin e gjejmë te shkrimet e Vaso Pashës (Pashko Vasës), Jeronim De Radës, Elena Gjikës (Dora D’istria) etj.
Pjesë e saj është dhe formimi i qeverisë së përkohshme, janar - prill 1881, në të cilën bënin pjesë Ymer Prizreni (kryetar), Shuaip Spahiu (nënkryetar), Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi etj. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, në fjalën e hapjes së kësaj ekspozite tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson unitetin e kombit shqiptar, pasi ishte një krijesë e Komitetit Shqiptar të Stambollit. “Lidhja përbëhej nga intelektualët shqiptarë më të shquar të të gjithë krahinave të Shqipërisë e krijuar në kryeqendrën e Kosovës, që përfaqësonte elementin e forcës më të suksesshëm shqiptar në Perandorinë Otomane.
Për më tepër vendimet e saj prekën si Veriun dhe Jugun, Lindjen dhe Perëndimin e Shqipërisë, duke i dhënë kohezionin e duhur shoqëror dhe kombëtar shqiptarëve” pohoi mes të tjerave drejtori Koçi. Lidhja e Prizrenit qe e para lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar, sepse në të morën pjesë të gjitha krahinat e Shqipërisë. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit themelimi 10 qershor 1878, tregoi rëndësinë e madhe që kishte për betejat e ardhshme çlirimtare edukimi i popullit shqiptar me ndërgjegjen kombëtare nëpërmjet shkollës shqipe, letërsisë shqiptare dhe publicistikës atdhetare.
140-vjetori i Lidhjes së Prizrenit/ Ekspozita rikthen dokumentet dhe protagonistët në Muzeun Kombëtar
Komento